Intervistë | Tahiri: Shumica parlamentare është populiste, refuzon çdo propozim të opozitës
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar VV-në për sjelljen në Kuvend të Kosovës. Ai ka thënë se shumica parlamentare gjatë seancave po shpërfaqë popullizëm dhe nxitë përplasje.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Tahiri ka vlerësuar se partia në pushtet refuzon çdo propozim të partive opozitare.
Deputeti i AAK-së ka krituar edhe qasjen e Qeverisë ndaj komunave të Kosovës.
Në këtë intervistë Tahiri ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Nacionale: Z. Tahiri, Kuvendi nuk ka mbajtur seancë që disa javë. Pse po ndodh kjo?
Tahiri: Është evidente se puna në seanca plenare ka mangësi serioze, përkundër një roli konstruktiv të Kryetarit. Megjithatë, kjo nuk mund të thuhet edhe për komisionet parlamentare, aty ka një dinamike e përkushtim më serioz të secilit deputet. Puna në seanca, shpesh po ndikohet nga dinamika e punës së qeverisë. Qeveria po provon të përcaktoi agjendën e Kuvendit, e këtu shumica parlamentare, por edhe kuvendi, nuk po arrijnë të sigurojnë vendimmarrje, por as mbikëqyrje efektive ndaj ekzekutivit. Ndërkaq shumica parlamentare, më shumë se kontributin, po vazhdon të shpërfaqë popullizmin dhe nxitjen e përplasjeve.
Nacionale: Gjatë këtij viti kemi parë Kuvendin e Kosovës që nuk është funksional. E kujt është përgjegjesia?
Tahiri: Shihet se shumica, shpesh refuzon propozimet e opozitës, pa u ndalë në përmbajtje e kontribut. Kjo dhe qasja jo serioze e shumicës, qoftë e pjesëmarrjes në seanca, por edhe e komunikimit e dialogut në kuvend po qon në uljen e performancës. Vlerësimi i organizatave, nxjerr në pah rolin aktivë të grupit parlamentar të AAK-së, ku përkundër numrit të deputetëve, prin qoftë për nga numri i diskutimeve, çështjeve të ngritura, por edhe kontrollit parlamentar.
Nacionale: Gjatë javëve të fundit VV-së i janë larguar dy deputetë. Kjo dukuri, sa mund të provokojë zgjedhje të reja në vend?
Tahiri: Vlerësoi, se është mungesa e debatit të brendshëm, ajo që po përcillet edhe në punën e përgjithshme të Kuvendit. Mendoi se ka disa mos pajtime që janë bindje, e parimore, por ka edhe probleme pozicionimesh të brendshme të po reflektohen në seanca. Shumica parlamentare duket sikur nuk e ka pasur të qartë peshën e mandatit që ka marrë. Sa u përket zgjedhjeve, më shumë se largimi i deputetëve, e bënë të pa qartë përfundimin e mandatit, qasja kaotike e shumicës bashkë me qeverinë.
Nacionale: Kosova edhe zyrtarisht i ka filluar bisedimet për formimin e Asociacionit. Tashmë janë prezantuar dy draft-statute të Asociacionit. Si e keni parë draftin e Ekipit Menaxhues dhe draftin e kryeministrit?
Tahiri: Kjo qeveri, duket se në vend se të jetë pro-aktive, duket sikurse i shkon pas problemit. Më tepër, i intereson të gjejë fajtor sesa të prodhoi zgjidhje. Diskutimet e fundit, tregojnë se nuk ekziston një fokus i qartë, si rrjedhojë po prodhohen situata të tilla. Vlerësoi se edhe ndërmjetësuesit evropian përveç palëve zyrtare në dialog, po ndajnë role të paqarta. Si ka mundësi që brenda Kosovës, Qeveria, në këtë rast Kryeministri dhe ish-Ekipi Menaxhues të paraqesin propozime të ndara, kur dihet se ky ekip i paraqet draftin qeverisë. Ky ish-Ekip Menaxhues edhe pse pa mandat, ka tejkaluar jo vetëm autorizimet por ka avancuar nga kornizat e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, zotimet ndërmjetësuesve, por edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri ka paraqitur një model që është ai Kroat, që në kuadrin e të drejtave dhe garancive afirmative Kushtetuese të Republikës së Kosovës për komunitetin Serb, është shumë më i avancuar.
Nacionale: Ndërkombëtaret kanë bërë me dije se pikënisje për statutin e Asociacionit do të jetë drafti i Ekipit Menaxhues. Çfarë rreziqesh mund t`i sjell Kosovës ky draft?
Tahiri: Marrëveshja e Prillit, në Ohër ka përcaktuar kornizat e procesit. Por që paraprakisht duhet pasur parasysh edhe marrëveshjet paraprake, por dhe garancitë. Nuk mund të ri-modelohet një proces pa i ndjekur parimet por edhe rrugën e kontrollit kushtetues dhe vendimin e Gjykatës Kushtëtuese. Pra, çfarëdo drafti, që shqyrtohet duhet ti ketë parasysh këto udhëzime
Nacionale: Deri me tani kjo qeveri nuk është treguar bashkëpunuese me komunat, duke i penguar ato në punën e tyre. Pse mendoni se po ndodh kjo?
Tahiri: Qeveria siç duhet nuk po arrin, të lirohet as nga arroganca e fitores, por as nga inati i rezultatit të zgjedhjeve lokale. E kam theksuar shpesh, se procesi i shpërndarjes së investimeve nga qeveria tek komunat ka kaluar edhe nëpër favorizime partiake. Megjithatë, një proces i bashkëpunimit mes komunave dhe qeverisë, ka qenë i konsoliduar. Madje, në vitin 2019, kemi ngritur këtë nivel në një forum të rregullt mes qeverisë dhe komunave, ku kemi adresuar një mori çështjes, si pronat, financimet, ndryshimet ligjore, por edhe problematika tjera të përbashkëta. Një proces i reformës në financim, ka qenë i nisur, por që qeveria e pati proklamuar edhe me grantin e katërt, ku investimet kapitale nga ministritë e linjës do tu barteshin komunave si grant i veçantë. Por, që kjo u largua nga agjenda legjislative, madje kjo shpërndarje u thelluar duke ndare mbi 50% vetëm për katër komunat e VV. Nuk u ndalen duke krijuar ballafaqime në ndalesat e pagave gjatë grevave, fajësimin për rritjen e tatimit në pronë, shfuqizimin e vendimeve për bartjen e pronave, heqjen e projekteve nga buxheti e deri tek kjo e ndalimit të investimeve. Por që nuk u ndal me kaq edhe me interferime në kompetenca, sa i përket edukimit, që tashmë ka vendim të Gjykatës Kushtetues. Vlerësoi se Qeveria, duhet ti shoh komunat si partner kryesorë për të shtyrë përpara agjendën e zhvillimit, ngase secili sukses në komuna, por edhe anasjelltas është i Kosovës.