Intervistë | Tahiri: Qeveria ra në grackën e Serbisë, barrikadat hiqen vetëm me marrëveshje
Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka bërë me dije se heqjes së barrikadave në veri duhet t`i paraprijë një proces politik.
Ajo ka thënë se liria e lëvizjes në atë pjesë të vendit mund të rikthehet vetëm pas ndonjë marrëveshje në mes të palave në Bruksel.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Tahiri ka thënë se largimi i barrikadave nga rrugët nuk duhet të shkaktojë ndonjë tension tjetër.
Tahiri ka fajësuar edhe Qeverinë e Kosovës për tensionimin e situatës në atë pjesë.
Ajo ka deklaruar se Qeveria ka rënë në grackën e Serbisë, e cila vazhdimisht kërkon pretekste për të ndërhyrë në veri.
Për tensionimin e situatës në veri, sipas Tahirit, Serbia e ka shfrytëzuar mos koordinimin e Kosovës me amerikanët për çështjen e targave.
Ish-krenegociatorja e Kosovës ka ftuar kryeministrin Albin Kurti që të jetë i kujdesshëm me hapat që ndërmerr në veri.
Ajo ka thënë se çdo hapë në atë pjesë duhet të jetë në koordinim me SHBA-të dhe BE-në.
Nacionale: Znj. Tahiri, që disa javë është tensionuar situata në veri. Cili është komenti i juaj?
Tahiri: Për fat te keq situata në veri është e barrikaduar dhe me tensione të mëdha. Kështu që, Serbia në mënyrë të vazhdueshme po i shpreh synimet e saj për ta destabilizuar veriun. Kësaj radhe arriti te tregohet edhe më agresive që ta krijojë këtë gjendje në veri. Për mendimin tim janë disa arsye pse Serbia është agresive në këtë kohë.
Nacionale: Cilat janë ato?
Tahiri: Duhet thënë se iluzionet e Serbisë për ta dominuar Ballkanin me ndihmën ndihem e Rusisë, janë shuar për disa arsyeje që do ti përmendi. E para, është se Bosnjës iu dha statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, ku ra iluzioni i Serbisë për Republikën Serbe, që vazhdimisht ka pasur pretendime ndaj asaj pjese të Bosnjës. E dyta, Gjermania rigjallëroj procesin e Berlinit dhe i dha rëndësi Ballkanit Perëndimore. Me këtë rast përmbysi Ballkanin e Hapur, që Serbia ishte ideatore e tij. Këtë projekt unë e kam quajtur serbo-rus, sepse ka pasur bazën e hegjemonisë serbe në Ballkan. Gjithë këta faktor e zemëruan Serbinë.
Nacionale: Si e keni parë reagimin e Qeverisë së Kosovës ndaj kësaj situate?
Tahiri: Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës nuk ishte në gjendje të sheh se veriu i Kosovës po rrezikohet dhe të sheh që Serbia ishte në kërkim të pretekstit që të bëj destabilizimin e veriut. Prandaj, unë pata thënë se hapat e gabuar të qeverisë po e rrezikojnë veriun. Sepse mendoj se kemi përball një Serbi jo paqësore, por djallëzore, e cila është e frymëzuar nga Puni dhe Rusia. Kurse, kemi një Qeveri të Kosovës të dobët, e cila nuk ka kapacitete për të menaxhuar situata komplekse, siç është situata në veri. Jo vetëm që nuk ka kapacitete, por qeveria as nuk koordinohet me ndërkombëtaret. Ne e pamë rastin e targave që ishte pa koordinim me amerikanet. Madje, nuk koordinohet as me opozitën. Ajo është e dobët dhe nuk i sheh burimet e rrezikut për veriun, ndërkohë që veriu është fuqia gjeopolitike e shtetit tonë për shkak të minierave dhe ujit që i kemi.
Nacionale: Çka është dashur të bëjë Qeveria si përgjigje ndaj situatës aktuale?
Tahiri: Qeveria është dashur ta parandalojë eskalimin e situatës në veri në këtë shkallë. Parandalimi ka qenë i mundur, në kohen kur qeveria veproi për zbatimin e marrëveshjes për targat, ku nuk u koordinua me palën amerikane dhe as me BE. Ky mos koordinim i dha pretekst Serbisë që të shfrytëzon minoritetin serb për qëllime politike dhe i nxit banda kriminale, siç e bën vazhdimisht. Kjo i dha mundësi Serbisë që t`i rikthen strukturat paralele në veri. Derisa në kohen si kryenegociatore me qeveritë e kaluara shuam strukturat paralele, tani ato janë rikthyer.
Edhe në kuptimin e sovranitetit, kjo qeveri ka pasur për detyrë ta konsolidoj me tej sovranitetin në veri dhe jo të bëj regres siç po ndodh tani në veri.
Nacionale: Ky regres në pjesën veriore po vazhdon. Çdo ditë shtohet barrikadat, ndërsa Qeveria e Kosovës po thotë se ato duhet të largohen nga KFOR-i. Si duhet të largohen barrikadat?
Tahiri: Mendoj se barrikadat mund të largohen vetëm me ndihmën e KFOR-it, eventualisht EULEX-it. Vetëm ata duhet ta bëjnë heqjen e barrikadave, në mënyrë që ato të hiqen dhe situata të mos eskalon.
Mendoj se kësaj duhet t`i paraprijë një proces politik. Pra, amerikanët, ose BE-ja të thërras një takim në kuadër të dialogut të Brukselit që të adresohet politikisht çështja e heqjes se barrikadave dhe kthimi i normalitetit në pjesën veriore.
Interesi i jonë strategjik është se me mjete diplomatike dhe politike të zgjidhet çështja e tensioneve, në mënyrë që edhe festat e funditvitit të priten në mënyrë të qet për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Nacionale: Pra, mendoni se barrikadat mund të hiqen vetëm përmes procesit të dialogut të Brukselit?
Tahiri: Këtë e them nga përvoja, sepse, siç e dini, edhe kur unë i kam udhëhequr bisedimet kemi pasur situata të rënda. Dhe për t`i zgjidhur ato pa pasoja e kemi bërë përmes procesit politik të dialogut.
Në të ardhmen kjo qeveria duhet të mendoj kur hedh hapat në çështje të ndjeshme siç është veriu. Pra, Qeveria duhet të parashikojë se çfarë pasojash mund të sjellin hapat që i ndërmerr. Prandaj, sugjerimi im është që të këtë një takim trepalësh të dialogut në Bruksel, të adresohet çështja dhe të gjendet një zgjidhje paqësore dhe të hiqen barrikadat nga ndërkombëtarët, pra KFOR-i dhe EULEX-i.
Nacionale: Në bazë të kësaj që po thoni, a i bije së Qeveria ka rënë në grackën e Serbisë?
Tahiri: Po. Qeveria e Kosovës ka rënë në grackën e Serbisë. Dhe apeli im për qeverinë është që të këtë kujdes dhe të mos bije më gracka të tilla. Sepse Serbia këtë e kërkon. Ajo është në kërkim të provokimeve të situatave që të këtë pretekst për ndërhyje në veri. Ndërsa, detyra e Qeverisë është ta mbron vendin dhe të parandaloj çfarëdo tensioni. Prandaj, duhet koordinim me amerikanët.
Nacionale: Veprimet e tilla të Serbisë janë ndërlidhur edhe me çështjen e formimit të Asociacionit. Cili duhet të jetë pozicioni i Kosovës për këtë çështje?
Tahiri: Vazhdimisht është thënë se deri në marrëveshjen finale duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, sidomos Asociacioni, që është kërkuar vazhdimisht nga Serbia. Mirëpo, Qeveria Kurti nuk ka dhënë asnjëherë sqarime në këtë drejtim. Sepse e di që ka ardhur në pushtet duke kundërshtuar formimin e Asociacionit. Madje, kundërshtimin e ka pasur me mjete të dhunshme. Për ta pranuar këtë obligim, qeverisë po i kujtohet historia e kundërshtimit dhe nuk po është në gjendje të bëj tërheqje.
Nacionale: A duhet ta formon Kosova Asociacionin?
Tahiri: Qeveria është për këto punë, që të gjejë zgjidhje. Unë nuk mund ta këshilloj. Tani qeveria duhet të jetë e sinqertë. Ka qenë lehtë me e kundërshtu asociacioni kur ka qenë në opozitë, tani është në tavolinë të negociatave, në Bruksel dhe duhet ta kundërshtoj aty asociacionin.
Nacionale: Deri me tani janë publikuar pikat e planit franko-gjerman. Keni ndonjë qëndrim për këtë plan?
Tahiri: Marrëveshja finale për Kosovën është e pranueshme vetëm nëse e ka njohjen reciproke brenda. Me sa kemi parë, në pikat që janë publikuar, aty flitet vetëm për njohjen indirekt.
Nacionale: A duhet pranuar një marrëveshje kur nuk parashihet njohja reciproke?
Tahiri: Pa njohje reciproke të shprehur qartë dhe në mënyre eksplicite nuk duhet të pranohet plani. Sepse ai plan nuk sjell paqe afatgjate në Ballkan dhe as në raportet Kosovë-Serbi.
Ky plan ka një pikë edhe për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme. Dhe unë mendoj se ajo pikë duhet të pranohen, sepse ato janë obligime ndërkombëtarë të Kosovës që janë marrë në Bruksel.
Kjo qeveria duhet t`i zbatoj marrëveshjet e arritura në këtë proces, pavarësisht se i ka kundërshtuar. Qeveria duhet të dalë publikisht dhe të shpjegon se kur ka qenë në opozitë ka mashtruar.
Nacionale: Në bazë të asaj që keni parë deri me tani, a besoni se z. Kurti do ta pranoi formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe?
Tahiri: Nuk mund të flas në emër të Kurtit. Por, ai tani ka hequr dorë nga shumë kërkesa, ai ka thënë se nuk shkon në Bruksel pa kërkuar falje Serbia dhe shumë gjera tjera.
Nacionale: BE-ja si afat për arritjen e marrëveshjes e ka përmendur marsin e vitit 2023. Sa jeni optimiste se mund të arrihet marrëveshja brenda këtij afati kohor?
Tahiri: Gjatë gjithë kohës sa jam marrë me negociata, unë nuk kam folur asnjëherë për afate kohore dhe as tani nuk flas. Ajo që dua të them është se Serbia nuk është e gatshme të pranoj planin franko-gjerman, ani pse nuk është njohja reciproke aty. Ajo madje nuk është e gatshëm ta njoh Kosovën as në mënyrë de-fakto. Mirëpo, se si do të sillet ajo nuk na takon të flasim në si Kosovë. Mendoj se BE-ja duhet të jetë me i qartë me Serbinë. Duhet t`i thuhet qartë Serbisë se nuk mund të jetë edhe me Perëndimin edhe me Rusinë.
Ndërsa, Qeveria e Kosovës dhe Kurti duhet të jenë vigjilent dhe të shohin se problemi me Serbinë nuk zgjidhet vetëm me deklarata. Qeveria vetëm po deklarohet, se çka po bën Serbia, e çka po bën Putini. Qeverisë Kurti i duhet një reflektim dhe t`i korrigjojë deklarata e saj. Ndoshta nuk po mund të dalin nga ai mentaliteti i mëhershëm kur Kurti thoshte se amerikanët janë imperialist, ndoshta ende i ka mbetur të një pjesë trurit ajo. Duhet të reformohet koka, mendësia politike e Kurtit dhe VV-së. Kurti duhet ta marrë veten dhe të sillte si burrështetas, jo të sillet si një populist i një partie të zakonshme politikë. Ai është kryeministër.


