Intervistë | Shasha: Të gjitha proceset integruese të Kosovës janë të lidhur me avancimin e dialogut
Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka bërë me dije se Kosova nuk e ka luksin ta refuzon planin franko-gjerman. Ai ka thënë se të gjitha proceset integruese të Kosovës janë të lidhur drejtpërdrejt me avancimin e dialogut me Serbinë. Sipas tij, është infantile të mendohet avancimi i Kosovës pa progres në dialog.
Drejtorin e Institutit EPIK, Demush Shasha, nuk e ka befasuar ndryshimi i kryeministrit Albin Kurti në raport me dialogun me Serbinë dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka thënë se çështja e formimit te Asociacionit është e paevitueshme për çdo kryeministër të Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë gazetën Nacionale, Shasha ka vlerësuar se ndryshim i Kurtit në raport me dialogun me Serbinë është i dobishëm për Kosovën.
Shasha ka thënë se i pari i Qeverisë po përjeton një evolucion nga Albini opozitar në Kurtin burrështetas.
Më tej, Shala ka theksuar se Kosova nuk e ka luksin ta refuzon planin franko-gjerman, i cili i është propozuar nga BE-ja.
Ai ka bërë me dije se propozimi euro-amerikan për Kosovën dhe Serbinë është i ngjashëm me marrëveshjen e vitit 1995 në mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
Drejtori i Institutit EPIK ka treguar se kjo marrëveshje kishte mundësuar Maqedonisë së Veriut anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OSBE, Partneritetin për Paqe dhe organizata tjera ndërkombëtare.
Nacionale: Z. Shasha, kryeministri Kurti tashme ka pranuar planin franko-gjerman. Si e keni parë këtë qëndrim të kryeministrit?
Shasha: Që nga nisja e dialogut fati i faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës është ndërlidhur me dialogun me Serbinë. Në vitin 2013 kur Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjet e para të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova fitoj Marrëveshjen Stabilizim Asocimi dhe lansoj procesin e liberalizimit të vizave. Që nga ajo kohë procesi i dialogut ka ngecur dhe ka kaluar nga kriza në krizë. Rrjedhimisht këtë fat e përjetoj edhe procesi i afirmimit ndërkombëtar të Kosovës. Që nga viti 2016 kur hyri në fuqi Marrëveshja Stabilizim Asocimi dhe u bë rekomandimi i parë i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave Kosova nuk ka bërë asnjë progres në afirmimin e pozitës së saj në skenën ndërkombëtare. Në fakt e kundërta ka ndodhur ku kemi parë trendin e ri të “çnjohjeve”.
Në këtë drejtim, Kosova duhet t`i jap fund kësaj status-quos. Propozimi euro-amerikan është mundësi e jonë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë. Propozimi euro-amerikan për herë të parë do të avancoj marrëdhënie në mes Kosovës dhe Serbisë duke marr për bazë parime universale Evropiane, siç janë sovraniteti, integriteti territorial dhe të drejtat e njeriut. Kjo do të siguroj se Kosova dhe Serbia të trajtohen si palët e barabarta në kuadër të dialogut dhe të angazhohen në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mbi parimet Evropiane dhe universale dhe jo improvizime afatshkurtra që shndërrohen në mollë sherri me kalimin e kohës. Prandaj në gjithë këtë kontekst është e mirëseardhur që Kryeministri Kurti njeh rëndësinë e propozimit euro-amerikan.
Nacionale: Pranimi i këtij plani po bëhet pa e prezantuar zyrtarisht. A do të duhej që plani të publikohej fillimisht?
Shasha: Elementet e ndryshme të planit janë bërë publike qoftë nga pjesëmarrësit në procesin e dialogut, qoftë nga mediat nacionale dhe të huaja. Nga ana tjetër është e kuptueshme që në procese komplekse të negociatave ndërkombëtare disa elemente të negociatave do të ngelin jopublike për të mos lënduar procesin negociator.
Nacionale: Siç e dimë plani nuk e përmban njohën reciproke. A do të duhej të paraqes ndonjë problem kjo për Kosovën?
Shasha: Njohja reciproke është synimi përfundimtar i procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Propozimi euro-amerikan do të jetë progres i ndjeshëm drejt arritjes së këtij caku. Pra dy vendet do të dakordohen të njohin realitetin dhe një numër të elementeve të sovranitetit të tyre respektiv. Kjo nuk do të konsiston në njohjen e plotë reciproke, por do të shtroj rrugë për normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e cakut përfundimtar në vitet në vijim. Pra për të marr një analogji unë besoj se propozimi euro-amerikan për Kosovën dhe Serbinë është i ngjashëm me marrëveshjen 1995 në mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Pra marrëveshja ’95-es ka ngritur marrëdhënie diplomatike në mes palëve, ka njohur sovranitetin dhe integritetin territorial të palëve, ka mundësuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Këshillin e Evropës, OSBE, Partneritetin për Paqe, etj. Po ashtu, palët janë zotuar për lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve, shërbimeve dhe mallrave, si dhe kanë thelluar bashkëpunimin dypalësh në shumë fusha sektoriale. Pra në këtë sens unë besoj se komuniteti perëndimor ka kuptuar se momentalisht është e pamundur të arrihet tek marrëveshja finale dhe rrjedhimisht sikur në rastin e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë kanë vendosur që këtij akti ti paraprijë një marrëveshje normalizimi dhe në këtë sens propozimi euro-amerikan është trampolina jonë drejt njohjes reciproke dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve me shtetin e Serbisë.
Nacionale: Refuzimi i këtij plani a do të duhej të ishte alternativë për Kosovën?
Shasha: Alternativat çdo herë ekzistojnë, por liderët e të dy vendeve duhet të kuptojnë koston e alternativave eventuale. E ardhmja e Kosovës është integrimi i plotë në familjen euro-atlantike. Në këtë drejtim plani euro-amerikan është investimi më serioz i komunitetit perëndimor për avancimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor që nga koha e Marrëveshjes së Prespës. Rrjedhimisht konsideroj se Kosova nuk e ka luksin e humbjes së kësaj mundësie.
Nacionale: Gjithashtu, kryeministri Kurti ka pranuar formimin e Asociacionit me disa kushte. A ju ka befasuar kjo?
Shasha: Jo pasi që prej kohësh është e qartë se Asociacioni është temë e paevitueshme për kënd do që bëhet Kryeministër i Kosovës. Besoj që ajo çfarë po shohim sot është evolucion i dobishëm i Albinit opozitar në Kurtin burrështetas.
Nacionale: Si i keni parë gjashtë kushtet e Kurtit. A besoni se mund të pranohen këto kushte?
Shasha: Është e mirëseardhur që Kosova të jetë palë aktive në tavolinën negociatore dhe të bëjë përpjekje të diktoj procesin negociator. Në këtë drejtim prezantimi i gjashtë kushteve është i mirëseardhur. Kushtet e prezantuara në thelb janë të arsyeshme, sidoqoftë mua personalisht nuk më ka pëlqyer prezantimi i këtyre kushteve në një formë sensacionale dhe publike në foltoren e Kuvendit. Siç thash më herët procese komplekse të negociatave ndërkombëtare kërkojnë një dozë të shëndetshme të konfidencialitetit me qëllim të krijimit të mjedisit konstruktiv politik të nevojshëm për avancimin e negociatave. Sidoqoftë, jemi ku jemi dhe tani është me rëndësi që Kryeministri Kurti të përpiqet që brenda procesit konfidencial negociator të jetësoj gjashtë kushtet e prezantuara. Dhe në këtë drejtim besoj se në veçanti dy kushtet do të janë subjekt i negociatave intensive. E para, heqja e monoetnicitetit të Asociacionit dhe e dyta trajtimi i ngritjes së Asociacionit brenda propozimit euro-amerikan, dhe jo si parakusht i propozimit.
Nacionale: Këto kushte a mund të jenë pengesë për vazhdimin e procesit?
Shasha: Nuk besoj. Unë jam i prirur të shoh gotën gjysmë të mbushur. Konsideroj se hendeku në mes palëve për dakordimin mbi propozimin euro-amerikan (përfshirë modalitetet e ngritjes së Asociacionit) nuk është i paevitueshëm. Me pak inxhiniering diplomatik dhe negociator besoj se do të gjinden mekanizmat e nevojshëm për tejkalimin e hendekut momental. Po ashtu unë besoj se liderët e dy vendeve kuptojnë se kanë më shumë për të humbur se sa të fitojnë nga dështimi eventual i propozimit euro-amerikan.
Nacionale: Opozita e i ka kritikuar ndryshimin e Kurtit për këto tema. Cili duhet të jetë qëndrimi i opozitës për këtë proces?
Shasha: Konsideroj se sa i përket dialogut opozita ka qenë shumë konstruktive. Pra asnjëherë nuk kemi parë asnjë deklarata apo aksion të opozitës i cili ka tejkaluar dekorumin parlamentar dhe politik. Dhe kjo është për tu vlerësuar.
Nga ana tjetër konsideroj se Kosova është me një udhëkryq të rëndësishëm shtet-ndërtues. Synimet tona për liberalizimin e vizave, anëtarësim në BE, NATO, Këshill të Evropës, etj, është drejtpërdrejt i lidhur me avancimin e dialogut. Është infantile të mendohet se Kosova mund avancoj këto procese pa bërë progres në dialog. Për të kuptuar këtë nuk duhet të ngremë hipoteza për të ardhmen, por vetëm të njohim të kaluarën: çdo haprim i deri sotëm i Kosovës në skenën ndërkombëtare ka qenë rezultat i avancimit të dialogut. Dhe në gjithë këtë sfond unë pres pjekuri politike nga të gjithë akterët politik të vendit me qëllim të avancimi të planit euro-amerikan dhe lëvizjen nga status-quoja momentale.

