Intervistë | Mustafa i PDK-së flet për tri "dështimet" në ekonomi të Qeverisë Kurti më 2023 - NACIONALE

Intervistë | Mustafa i PDK-së flet për tri "dështimet" në ekonomi të Qeverisë Kurti më 2023

2 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Koordinatori i Departamentit për Financa i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa në një intervistë për fundvit për Nacionalen ka folur për sfidat ekonomike me të cilat është ballafaqur Kosova gjatë vitit 2023.

Mustafa për Nacionalen ka renditur disa nga dështimet e Qeverisë Kurti në përmirësimin e ekonomisë në vend, teksa ka përmendur edhe tri vendimet e gabuara që janë marrë nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti.

Gjithashtu, Mustafa ka dhënë edhe rekomandimet e tij se si duhet vepruar Qeveria në fushën e ekonomisë gjatë vitit 2024.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë:

Nacionale: Cilat janë tri vendimet e gabuara në ekonomi gjatë vitit 2023?

Mustafa: Rritja e tatimit në pronë - Gjatë vitit 2023 pjesës më të madhe të qytetarëve të Kosovës iu dyfishua fatura e tatimit në pronë si pasojë e një vendim të pamatur të Qeverisë së Kosovës. Në kushtet e ballafaqimit më të rëndë që qytetarët e Kosovës ndonjëherë kanë pasur me inflacionin dhe pa pasur asnjë mbështetje domethënëse për t’u përballur me çmimet e larta, Qeveria e Kosovës ua rëndoi barrën edhe më shumë duke ua dyfishuar faturën e tatimit në pronë.

Buxheti për vitin 2024 – Në fund të vitit 2023, Qeveria e Kosovës aprovoi buxhetin e fundit për mandatin e saj qeverisës, i cili nuk përmban asnjë projekt apo politikë të rëndësishme për të krijuar kushte për zhvillim ekonomik apo përmirësim të kushteve të jetës për qytetarët e Kosovës. Ajo që vërehet qartë në këtë buxhet është vazhdimi i ndryshimit të strukturës së buxhetit në dëm të shpenzimeve kapitale dhe në favor të shpenzimeve për subvencione dhe transfere. Me këtë, kjo qeveri po e zhvendos shpenzimin e parasë publike nga kategoria më e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe rritjes së mirëqenies, drejtë kategorive të cilat vetëm financojnë skema populliste të kësaj qeverie që nuk lë asnjë gjurmë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Shtrenjtimi i mëtejmë i tarifave të energjisë elektrike, mbi rritjen prej 100% që kishte ndodhur në vitin e kaluar, duke ndikuar kështu në rritjen e mëtejmë të kostos së jetesës për qytetarët e vendit.

Nacionale: Tri dështimet në ekonomi gjatë vitit 2023?

Mustafa: Shkalla e ulët e realizimit të investimeve kapitale – Qeveria e Kosovës ka vazhduar të ketë performancë shumë të dobët në realizimin e investimeve kapitale edhe gjatë vitit 2023. Deri në fund të muajit shtator 2023, vlera e investimeve kapitale të realizuara ishte vetëm 30% e gjithsej shumës së buxhetuar. Si rrjedhojë e dështimit të qeverisë në realizimin e projekteve kapitale, vendi po ngecë në zhvillimin e infrastrukturës së domosdoshme për zhvillim ekonomik dhe rritje të mirëqenies, përderisa kjo po reflektohet negativisht edhe në aktivitetin e sektorit privat në vend.

Dështimi për ti mbështetur qytetarët për tu përballur me rritjen e çmimeve. Rritja e çmimeve që ka ndodhur në Kosovë gjatë dy viteve të fundit i ka bërë shpenzimet e jetesës të papërballueshme për shumë familje kosovare, përderisa Qeveria e Kosovës ka dështuar plotësisht ti mbështesë qytetarët të përballen me këtë rritje të çmimeve. Gjatë kësaj periudhe, qeveria dështoi ti korrigjojë për normën e inflacionit pagat e sektorit publik dhe poashtu nuk ndërmorri asnjë hap për t’i rritur ndihmat sociale dhe pensionet. Rrjedhimisht, sipas raportit të UNDP-së, krahasuar me vitin 2021, në vitin 2023 Kosova kishte 26,610 familje më shumë që jetonin nën pragun e varfërisë.

Dështimi për të krijuar kushte më të mira për zhvillimin e sektorit privat. Investimet e sektorit privat kanë vazhduar të zvogëlohen edhe gjatë vitit 2023, përderisa struktura e investimeve të huaja direkte vazhdon të jetë e përqendruar në shkallë shumë të lartë në blerjen e patundshmërive. Vlera e eksporteve gjatë vitit 2023 ka shënuar rënie, përderisa rritja e importit ka çuar në deficitin më të lartë tregtar që ka pasur ndonjëherë Kosova.

Nacionale: Tri gjërat që duhet të bëhen në vitin 2024:

Mustafa: Realizimi i investimeve të buxhetuara kapitale.

Rritja e kapaciteteve energjetike dhe furnizimi i energjisë me çmime të përballueshme për qytetarët.

Ofrimi i mbështetjes së qëndrueshme për qytetarët për tu përballur me rritjen e shpenzimeve të jetesës.

Lajme të ngjashme