Intervistë | Lladrovci: Tendenca e kthimit të të ricikluarve në PDK është qesharake - NACIONALE

Intervistë | Lladrovci: Tendenca e kthimit të të ricikluarve në PDK është qesharake

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Ramiz Lladrovci nuk dëshiron t`i shoh në PDK ata që dikur e kanë braktisur këtë parti. Ai ka thënë se tendenca për riciklime në parti është qesharake. I pari i Drenasit beson fuqishëm në lidershipin aktual të PDK-së.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është shprehur kundër rikthimit në PDK të atyre që e kanë braktisur këtë parti.

Ai nuk ka përmendur emra specifik, por ka thënë se është kundër riciklimit të të sprovuarve në parti.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Lladrovci ka thënë se disa personalitete duhet ta dinë se janë e kaluara e PDK-së.

Ai ka vlerësuar se është përkrahës i gjeneratave të reja, të cilat kanë energji dhe vullnet për të bërë ndryshime.

I pari i Drenasit është shprehur i kënaqur me lidershipin aktual të PDK-së.

Sipas tij, lidershipi i PDK-së ka dëshmuar suksese, konsekuencë dhe vendosmëri përball situatave.

Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për pakënaqësitë në PDK, zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen në parti si dhe raportin e Qeverisë Kurti me komunat.

Nacionale: Z. Lladrovci, nga reshjet e fundit të shiut janë prekur disa komuna të Kosovës. Si është gjendja në komunën tuaj dhe si e keni parë reagimet e fundit?
Lladrovci: Shpreh solidaritetin tonë të plotë me zonat e prekura nga vërshimet, me familjet që kanë pësuar dëme. Ne kemi qenë të përgatitur për çdo situatë me ekipet tona emergjente, në dy tre raste kemi pasur intervenime, por, pa dëme të mëdha, jemi duke përcjell gjendjen në komunën tonë me njësitë tona. Puna jonë me kohë për pastrimin e përroskave, kanaleve dhe rregullimin e shtratit të lumenjve u dëshmua punë e mirë dhe me vend. Falënderoj Halil Kastratin për ndihmën e ofruar me pako për familjet e prekura nga vërshimet. Ftoj bizneset dhe qytetarët vullnetmirë të Drenasit të shprehin solidaritet me familjet.

Nacionale: Z. Lladrovci, vazhdimisht jeni ankuar ndaj Qeverisë. A i keni qartësuar këto ankesa në takimin që keni pasur me kryeministrin?
Lladrovci: Kur ankohem, nuk kanë të bëjnë me emrat individual të kryeministrave, sepse, ankohem për anashkalim apo padrejtësi, për sjellje jo të duhur të qeverisë ndaj komunës që unë udhëheq. Çdo kryeministri deri tash i kam reaguar kur kam menduar se po shkelet interesi i qytetarëve të Drenasit apo interesi nacional i Kosovës. Po, në takime me Kryeministrin i kam prezantuar shqetësimet, ankesat dhe kërkesat tona kundrejt pushtetit qendror, me argumente.

Nacionale: Çka duhet të përmirësoj Qeveria në raport me komunat?
Lladrovci: Komunat nuk kanë buxhet për rregullimin e investimeve kapitale si për liqe artificial, për kolektorët, për rrugë me katër korsi, për ndërtimin e objekteve me rëndësi të veçantë që i mungojnë Drenasit, andaj, në këtë drejtim shkojnë ankesat tona. Kërkesa të mëdha e investime të pakta nga Qeveria.

Nacionale: Cili është vlerësimi i juaj për Qeverinë Kurti?
Lladrovci: Kam pritur më shumë nga kjo qeveri, sepse, premtimet kanë qenë të mëdha. Fjalët dhe punët kanë dallim. Kam vërejtje për shumë projekte, thjeshtë, nuk duan t’i finalizojnë, edhe pse nevoja është e madhe, pra, kam vërejtje esenciale që pengojnë mirëqenien e qytetarëve, qoftë për nevojat elementare si uji, ambienti, mobiliteti, heqja e pengesave të komasacionit, e deri te vendet e reja të punës dhe ngritja e Qendrës së biznesit Drenasi II.

Nacionale: Po me rolin opozitar të PDK-së sa jeni i kënaqur?
Lladrovci: Po ashtu, pritjet i kisha të mëdha nga Kabineti i Qeverisjes së Mirë që do të ofronte alternativa për çdo çështje dhe fuqizimin e kauzave që janë prioritet i qytetarëve tanë si perspektiva për të rinjtë dhe vendet e reja të punës, energjia, fuqizimi i kompanive të themeluara nga të rinjtë, e deri te furnizimi me barna, siguria e deri te dialogu të cilit i mungon transparenca. Pra, më shumë punë me kauza.

Nacionale: Kemi parë zëra që janë shprehur të pakënaqur me liderishioin aktual të PDK-së. Si i kemi parë këto pakënaqësi?
Lladrovci: Nëse thoni pakënaqësi, pse nuk e shihni përkrahjen që e merr ky lidership. Rikthimi i madh i PDK-së ngjau pas gjashtë muajve, në zgjedhjet lokale. Jam i prirur të shoh anët pozitive të punës që bën ky lidership i PDK-së. Pa dilema se ka suksese, por, deri sa jemi në opozitë në nivelin qendror, i japë mbështetje për më shumë punë në terren. Disa zëra kundër janë sharmi i demokracisë, apo jo.

Nacionale: Jeni shprehu kundër rikthimit te z. Limaj në PDK. Pse jeni kundër?
Lladrovci: Nuk jam marrë me emra konkret por me fenomenin. Jam kundër riciklimit dhe rikthimit të të sprovuarve. Konsideroj se një parti nuk mund të kthehet prapa me metoda të dështuara që të rikthej primatin. Jam përkrahës i gjeneratave të reja të cilat kanë energji dhe vullnet për të bërë ndryshimin. Disa duhet ta dinë se janë e kaluara e PDK-së. E kaluara nuk bëhet as e tashme, as e ardhme. Vet tendenca e kthimit të të ricikluarve del qesharake.

Nacionale: Këtë vit pritet të mbahen zgjedhjet e brendshme në PDK. Çka pritni nga këto zgjedhje?
Lladrovci: Pres një garë të fortë me tendenca të heronjve të rremë të rikthehen në skenë për aktin e fundit. Po ashtu, e shoh dhe pres dështimin e heronjve të rremë përballë zhvillimeve të reja në terren dhe të krahasimit me partitë tjera kundrejt metodave të tejkaluara të zgjedhjeve partiake. Të dështuarit në procese, nuk i sjellin asgjë të re as të mirë proceseve pozitive në PDK. Pres vetëm mirë, avancim dhe zgjerim të bazës partiake, me kuadër dhe aktivistë të rinj që e duan vendin dhe demokracinë, nëpërmjet fuqisë së PDK-së dhe të kaluarës së saj pozitive.

Nacional: A mendoni se në këto zgjedhje duhet te ndryshohet lidershipi, apo duhet të vazhdohet me të njëjtin?
Lladrovci: Lidershipi i PDK-së ka dëshmuar suksese, konsekuencë dhe vendosmëri përball situatave dhe konsideroj se proceset do të nxjerrin rezultatin meritor. Nuk jam i krahut të propagandës por i punës. Dihet kush ka punuar e kush po punon. Dihet kush po rri në stom dhe kritikon apo duartroket. Lidershipi ka përgjegjësi për vendimet të cilat i bëjnë mirë partisë, ndërsa ndalon trendet negative duke identifikuar perspektivën dhe rreziqet, ashtu sikur trasimin e rrugës së fitores kurdo që të mbahen zgjedhjet.

Lajme të ngjashme