Intervistë | Haradinaj: Kurti pengesë, s`po i lejon ShBA-të dhe BE-në ta fusin në qoshe Serbinë - NACIONALE

Intervistë | Haradinaj: Kurti pengesë, s`po i lejon ShBA-të dhe BE-në ta fusin në qoshe Serbinë

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Ramush Haradinaj ka vlerësuar se veprimet e Albin Kurtit në veri po e favorizojnë Serbinë në procesin e dialogut të Brukselit. Ai ka thënë se në këtë mënyrë Kurti po i pengon aleatët perëndimor të Kosovës që t`i bëjnë presion Serbisë për marrëveshjen finale.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj dialogut me Serbinë.

Ai ka thënë se me veprimet e tij shefi i qeverisë është shndërruar në pengesë për arritjen e marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, sjelljet e Kurtit nuk po e lejojnë ShBA-të dhe BE-në t`i bëjnë preson Serbisë për këtë marrëveshje.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Haradinaj ka bërë me dije se duke krijuar kriza në veri Kurti po i pengon aleatët perëndimor ta zbardhin qëndrimin e Serbisë për marrëveshjen.

Sipas tij, në këtë mënyrë, ndërmjetësit e dialogut po merren vetëm me problemet që po i shkakton Kosova.

Haradinaj ka vlerësuar se kjo është një qasje e dëmshme për Republikën e Kosovës.

Ai është shprehur i habitur me durimin që po tregojnë aleatët me kryeministrin Kurti.

I pari i AAK-së ka thënë se me veprimet në veri, Kurti ia ka arritur peshën edhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në këtë intervistë, Haradainj ka folur edhe për kërcënimet e fundit që janë raportuar ndaj liderëve të opozitës.

Haradinaj ka treguar se edhe ai disa herë ka qenë cak i kërcënimeve të tilla, por nuk i ka bërë publike.

Lideri i AAK-së ka thënë se bërja publike e kërcënimeve i dëmton hetimet.

Nacionale: Z. Haradinaj, gjatë vizitës që kishte në Kosovës këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ju jeni takua me të. Çka është diskutuar në atë takim?
Haradinaj: Në takim janë diskutuar zhvillimet e brendshme në Kosovë, gjendja në veri, krijimi i normalitetit atje, por edhe dinamikat e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritja deri të marrëveshja finale. Gjithashtu, janë diskutuar edhe obligimet e Kosovës në këtë rast Asociacioni i Komunave me Shumice Serbe në Kosovë.

Nacionale: Janë paralajmëruar edhe vizita të tjera të diplomateve të fuqishëm perëndimor. Çka do të thotë kjo për procesin e dialogut?
Haradinaj: Është e mirëpritur ardhja e të deleguarve të kancelarit Scholz, presidentit Macron dhe rikthimi në Kosovë i z. Escobar dhe z. Lajçak. Kjo vërteton se po hyjmë në një fazë shumë serioze të dialogut dhe jep shpresë se jemi afër arritje se marrëveshjes finale.

Nacionale: Si po sillet qeveria ndaj kësaj dinamike të re të dialogut?
Haradinaj: Diçka që për mua është shqetësuese është që në këtë kohë kur Kosova është dashur të ua krijon të gjitha parakushtet aleatëve tonë që presioni i tyre të shkon te Beogradit, pra për përfshirjen e Beogradit në tavolinë që të arrihet marrëveshja, Prishtina po i pengon ata. Pra, po i pengon ata që të fokusohen të Beogradi dhe ta rrisin presonin për ta ulur në tavolinë, duke iu nxjerr probleme dhe pengesa, sikurse që ishin zhvillimet në veri. Kjo qasje e kryeministrit Kurti dhe veprimet e tij, që për pasoj kanë pasur përkeqësimin e gjendjes në veri, kanë qenë kryekëput pengese për Amerikën dhe BE-në që këta me mujtë me iu fokusuar Beogradit dhe me ia shtuar presionin që me e arrit marrëveshjen.

Nacionale: Pse mendoni se po e bënë këtë kryeministri Albin Kurti?
Haradinaj: Kjo pse-ja për ne është vërtetë e rëndësishme. Nuk ka dilemë se me veprimet e fundit Kurti ka qenë pengesë kryesore për Amerikën që ata mos me i pasë duart e lira që të kthehen vetëm nga Beogradi për të ia shtuar presionin për marrëveshjen, por janë detyruar me u marrë me mikro-menaxhim të problemeve dhe krizave që i ka shkaktuar Kurti. Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën, por është mjaft e rëndë për aleatet tanë që në angazhimin e tyre për të ia kryer një punë Kosovës, pengesat më të mëdha i kanë nga kryeministri i Kosovës. Në fakt, edhe pala serbe është e interesuar që mos të arrihet marrëveshja, mirëpo bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur asnjëherë me e nxjerr në dritë qëndrimin e palës serbe, sepse Kurti iu ka dalur në rrugë me problemet, krizat dhe pasojat që ia ka shkaktuar Kosovës.

Nacionale: Pra, me këto sjellje mendoni se Kurti po i bën favor Serbisë?
Haradinaj: Kurti iu ka dalë në rrugë aleatëve tonë dhe nuk po i lejon ata me arrit të Serbia që me i kërku asaj me e kry punën. Sepse ky po nxjerr probleme dhe ata duke u marrë me problemet që po i shkakton Kurti, nuk po i vjen radha me ia tregu vendin Serbisë.

Nacionale: Çështja kryesore që pritet të diskutohet është tema e Asociacionit. Si e keni parë qasjen e kryeministrit Kurti ndaj kësaj teme?
Haradinaj: Në të kaluarën Asociacioni kishte humbur shumë peshën, sepse ne kemi dëshmuar se serbët kanë garanca për jetë të barabartë në Kosovë. Por, pas disa veprime që ka ndërmarr Kurti, Asociacioni ka fituar peshë, sepse shihet si një mënyrë për të ua garantuar të drejtat serbëve. Për fat të keq, më këto veprime, Kurti jo vetëm që ju ka dal në rrugë si pengesë amerikanëve që me i ardhë radha Serbisë me e detyruar me i thanë “po” marrëveshjes, po i ka dal pengesë edhe plot qëllimeve tjera, të cilat kanë pasur për qëllim të dëshmojnë se në Kosovë të gjithë janë të barabartë dhe nuk ka nevojë për qëllime aq specifike. Nëse para një viti asociacioni nuk e ka pasur peshën që ka sot, me këto veprime e Kurti Asociacioni e ka fituar peshën e vetë dhe tani po e shihni që po kërkohet si temë në vete. Bindja ime është se obligimet që i ka marrë Kosova duhet të rikonfirmohen në marrëveshjen finale, por jo një nga një. Këtë ia kam kërkuar çdo herë Kurtit që të mos bën dialog prej temës në temë, por të kërkon marrëveshje finale më të gjitha temat.

Nacionale: Në bazë të asaj që keni parë në takimet me kryeministrin, sa besoni se ai do të t`i marr parasysh sugjerimet e aleatëve dhe të opozitës për këtë proces?
Haradinaj: Fakti se Kurti është bërë pengesë e vazhdueshme për t`i ardhur radha Serbisë që aleatët tanë të mund të adresojnë me Serbinë pa pengesa, besoj se edhe aleatët do ta humbin durimin me kryeministrin Kurti. Kuri nuk ka shprehur shqetësime në përmbajtjen e marrëveshjes aq shumë, sa ka krijuar kriza periferike me të cilat ua ka bërë të pamundshme aleatëve të Kosovës që ata me e fut në qoshe Serbinë dhe me ia kërkuar pranimin e marrëveshjes.

Nacionale: Se fundi, është përmendur edhe fakti që Osmani dhe Kurti po e shqyrtojnë mundësinë e ndërrimit të emrit për Asociacionin. Çka do të thotë kjo?
Haradinaj: Për me përmbyll këtë proces, mendoj se Kurti dhe Osmani ndoshta në fund si rrugëdalje do të provojnë edhe këtë, që të luajnë me emër. Kjo nuk është kredibile, sepse aleatët tonë do ta hetojnë se cili është qëllimi. Pra, se është qëllimi vetëm të fshihen nga populli. Nuk besoj se aleatët e Kosovës do t`i japin shumë rendësi kësaj dhe nuk do ta trajtojnë me respekt një kërkesë të tillë. Sepse kjo nënkupton një lloj mashtrimi për qytetarët e Kosovës, duke ndryshuar diçka në emër e duke mbajtur substancën e njëjtë. Të ju them të drejtën aleatët e Kosovë mu me kanë befasuar sa durim kanë pasur dhe sa gjatë po vazhdojnë me i menaxhuar minikrizat që po i shkarkon Kurti dhe Presidentja e Kosovës. Jam i befasuar me durimin e aleatëve ndaj tyre se sa gjatë po i tolerojnë. Mirëpo, jam i zhgënjyer me këtë që po ndodh, sepse ne në vend se me i ndihmuar dhe me iu krijuar parakushte Amerikës dhe BE-së që ata me iu drejtu Serbisë me këkrse të qartë, për fat të keq ne po i bëjmë pengesa, po iu dalin trup në rrugë dhe nuk po i lejojmë Amerikës dhe BE-së me mbërri te Serbia.

Nacionale: Cila do të jetë qasja e juaj dhe AAK-së për ta penguar kryeministrin Kurti për të prodhuar këso krizash në vazhdim?
Haradinaj: Ne kemi një përcaktim dhe jemi të vendosur që të jemi palë serioze, transparente dhe e përgjegjshme. Pra, do të mbajmë qëndrime serioze dhe të përgjegjshme. Ne nuk dëshirojmë me i dekurajuar, me ua humb shpresën aleatëve tonë që ata të mendoje se të gjithë ne në Kosovë jemi palë të papërgjegjshme, se jemi interesgji dhe se veprojmë vetëm për pak vota dhe se nuk marrim përgjegjësi për çështje që nuk janë popullore. Sepse të merresh me serbët e Kosovës nuk është popullore, por është interes nacionale i Kosovës me siguri serbëve të drejta të barabarta dhe me i siguru ata se nuk duhet të vazhdojnë të mbesin pengë i Beogradit. Pra, ata nuk kanë nevojë për Beogradin, sepse e kanë Prishtinën, e kanë Uashingtoni, e kanë Brukselin. Kjo nuk është popullore, por ne duhet ta bëjmë këtë në interes të vendit. Duhet ta bindim secilin se serbët e Kosovës janë të sigurt në Kosovë.

Nacionale: Dje kemi parë se janë raportuar disa kërcënime nda dy liderëve opozitarë dhe disa deputetëve të LDK-së dhe PDK-së. Cili është qëndrimi i juaj për këtë?
Haradinaj: Të ju them të drejtën, nuk kam informata kredibile nga institucionet e rendit për këtë çështje. Pra, ne nuk e dimë të vërtetën e kësaj dhe e kam të vështirë me u deklaruar. Ajo çka mundem me zbulu për opinion është se edhe ne na ka ndodhur raste të tilla shpesh. Pra, unë në vazhdimësi kam pasur kërcënime.

Nacionale: A mund të na tregoni se në çfarë kohe i keni pasur këto kërcënime?
Haradinaj: Në vazhdimësi kemi pasur, edhe tash kohëve të fundit, po edhe më herët. Por, ne i kemi raportuar ato menjëherë në Policinë e Kosovës. Nuk e kemi shqetësuar opinionin publik asnjëherë. Sepse kemi menduar se këto tema janë të institucioneve të specializuar, në këtë rast të policisë. Këtë e kemi bërë edhe për interes të hetimeve, ne nuk kemi ndërhyrë me njoftime publike. Sepse ne mendojmë se në këtë mënyrë dëmtohen edhe hetimet. Nëse kërcënimi është serioz bërja publike e kërcënimin i dëmton hetimet. Pra fshihen provat, gjurmët dhe gjerat tjera.

Nacionale: A keni qenë i kërcënuar edhe tani se bashku me dy liderët tjerë opozitar?
Haradinaj: Nuk do të deklaroj asgjë për shkak të interesit të hetimeve. Unë e kam ofruar dy edhe detyrën e kryeministrit, kam qenë i zgjedhur vazhdimisht deputet, jam i afërt me çështjet e rendit, ligjit dhe të sigurisë. Nuk praktikohet diskutimi në media dhe në opinion publik për zhvillime të tilla. Këto mbesin në kanale profesionale. Këto vetëm trajtohem përmes organeve kompetente. Por, po ju them se dhe unë personalisht kam pasur kërcënime disa herë rresht dhe jo fort në kohë të shkuar dhe vetëm i kemi raportuar në organet kompetente çdoherë.

Lajme të ngjashme