Intervistë | Hyseni: Qeveria gaboi me shkarkimin e Ekipit Menaxhues
Skënder Hyseni mendon se draft-statuti i Ekipit Menaxhues do të jetë pikënisje e bisedimeve për formimin e Asociacionit. Ish-kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë ka vlerësuar se draft-vizioni i Kurtit për Asociacionin nuk duhet të merret seriozisht. Sipas tij, propozimi është vetëm një lojë e kryeministrit
Ish-kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Skënder Hyseni, e ka vlerësuar si hap të ngutshëm veprimin e Qeverisë së Kosovës për të shkarkuar Ekipin Menaxhues, i cili në takimin e Brukselit e ka paraqitur draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka bërë me dije se sipas marrëveshjen së vitit 2013 këtë ekip e cakton komuniteti serb në Kosovë.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Hyseni ka thënë se ekipi është dashur të qëndrojë aty derisa të arrihet pajtimi për tekstin e propozuar.
Hyseni beson se pikënisje për fillimin e negociatave për formimin e Asociacionit do të jetë drafti i Ekipit Menaxhues.
Ai ka komentuar edhe vizionin e kryeministrin Albin Kurti për statutin e Asociacionit.
Sipas tij, kjo është vetëm një lojë e kryeministri Albin Kurti.
Ish-kryediplomati i Kosovës ka vlerësuar se propozimi i shefit të Qeverisë është vetëm një përpjekje për t’a ripaketuar pranimin e Asociacionit.
Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për ujdinë e Kosovës me Serbin për Deklaratën për Personat e Pagjetur. Sipas tij, kjo deklaratë ka te meta të shumta.
Nacionale: Z. Hyseni, në takimin e 2 majit Kosova dhe Serbia janë pajtuar rreth deklaratës së të pagjeturave. Në deklaratë nuk është përfshirë termi “të zhdukur me dhunë”. Cili vlerësimi i juaj për këtë çështje?
Hyseni: Pak ka rëndësi kjo! Duhet lexuar deklaratën në tërësi. Mungesë thelbësore e konsideroj mungesën e afateve për zbardhjen e fatit të të pagjeturave.
Nacionale: Teksti i kësaj deklarate është vlerësuar edhe si barazi në mes të palave për çështjen e të pagjeturve. Pra, është bërë përgjegjës shteti i Kosovës edhe për periudhat kur Kosova nuk ishte shtet fare. Çka flet kjo për Qeverinë e Kosovës?
Hyseni: Është e vërtetë. Kjo deklaratë është miratuar si marrëveshje e veçantë, e jo si një element i marrëveshjes së përgjithshme. Me këtë marrëveshje palët barazohen tërësisht dhe në të gjitha rrafshet dhe, natyrisht përgjegjësinë për këtë e bartë Qeveria e Kosovës. Kjo ashiqare, flet për një qeveri e cila ka humbur tërësisht sensin e përgjegjësisë. Kosova nuk ishte shtet në asnjë periudhë për të cilën flet kjo deklaratë dhe, rrjedhimisht kjo ishte e pafalshme!
Nacionale: Në ketë takim është folur edhe për Asociacionin, ku palët kanë prezantuar qëndrimet e tyre. A ka qenë Kosova e përgatitur sa duhet për këtë çështje?
Hyseni: Kosova duhet të ketë qenë e përgatitur, sepse e ka ditur për çka po shkon. Përshtypja ime është se Qeveria e Kosovës po bënë lojëra në përpjekje për t’i ikur obligimit që ka rreth asociacionit.
Nacionale: Si e shihni vazhdimi e diskutimeve për formimin e Asociacionit?
Hyseni: Diskutimi do të vazhdojë dhe si pikënisje do të merret draft-statuti i Asociacionit i paraqitur nga Ekipi Menaxhues.
Nacionale: Qeveria e ka shkarkuar e Ekipin Menaxhues, i cili ka prezantuar draftin për statutin e Asociacionit. Ka qenë veprim i duhur ky?
Hyseni: Ka qenë gabim, sepse sipas marrëveshjes së 2013-tës, Ekipin Menaxhues e cakton komuniteti serb në Kosovë. Shkarkimi i tij ka qenë veprim i ngutshëm ngase ai ekip duhet të qëndrojë aty derisa të arrihet dakordimi për tekstin e propozuar.
Nacionale: BE-ja ka bërë me dije se me këtë veprim Kosova e ka shkelur marrëveshjen. Çfarë duhet të bëj tani Qeveria e Kosovës?
Hyseni: BE-ja është e vetmja instancë e cila konstaton shkeljet e marrëveshjes. Qeveria e Kosovës duhet të sillet në pajtim me obligimet që ka marrë me marrëveshjen e Ohrit.
Nacionale: Në këtë takim edhe kryeministri Kurti e ka prezantuar vizionin e tij për statutin e Asociacionit. Sa besoni se mund të jetë i realizueshëm ai vizion?
Hyseni: Tashmë jemi mësuar me lojërat e kryeministrit Kurti. Ai ka pranuar themelimin e Asociacionit, por ja që ende po bënë përpjekje për t’a ripaketuar!

