“Dëmi i madh është bërë”: Vendimi i Qeverisë për shkarkimin e Ekipi Menaxhues i vonë - NACIONALE

“Dëmi i madh është bërë”: Vendimi i Qeverisë për shkarkimin e Ekipi Menaxhues i vonë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Hap tepër i vonuar. Kështu po konsiderohet veprimi i Qeveris së Kosovës për të shkarkuar Ekipin Menaxhues, i cili mbrëmë në Brukseli ka prezantuar një draft-statut për Asociacionin. Njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se ky ekip është dashur të shkarkohet para prezantimit të draftit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, sot ka shkarkuar Ekipin Menaxhues, i cili mbrëmë në Brukseli ka prezantuar një draft-statut antikushtetues për Asociacionin. Një veprim i tillë i Qeverisë po konsiderohet si shumë i vonuar. Madje, njohës të proceseve politike po vlerësojnë se qeveria po manipulon me terma. Sipas tyre, këtij ekipi i ka skaduar mandati me prezantimin e Asociacionit dhe nuk mund të thuhet se është shkarkuar.

Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, ka thënë se Qeveria është dashur ta shkarkonte këtë ekip para propozimit të draftit.

Ekipi menaxhues nuk është shkarkuar, siç po trumbetohet nga deputetë të pushtetit. Atij i ka përfunduar mandati. Mos manipuloni me terma. Punë e madhe do të ishte shkarkimi para takimit të 2 majit. Ç’na duhej puna e propozimi i tyre? Ai grup dihet çfarë pikëpamje ka për shtetin e Kosovës”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Edhe analisti Imer Mushkolaj ka vlerësuar se Qeveria e ka shkarkuar këtë ekip pasi i njëjti e ka kryer misionin e tij.

Ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, që e paska shkarku qeveria, edhe ashtu s'ka pasë tjetër punë. Ky ekip është dashtë të shkarkohet më herët, e jo pasi që ka prodhuar një dokument të dëmshëm, që do të shërbejë si bazë për negociata. Vendimi për shkarkimin e ekipit tash është i kotë dhe veç propagandë qeveritare”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Kurse, gazetari Adriatik Kelmendi ka bërë me dije se tashmë bisedimet për Asociacioni do të vazhdojnë mbi këtë propozim.

Shumë mirë që u shkarkua Ekipi Menaxhues për Asociacionin sot. Por ky shkarkim është i vonuar. Dëmi i madh është bërë. Kjo i bie si kur e di se një vrasës është nisur drejt shtëpisë tënde, ti ia hapë me vetëdije derën, ai e kryen vrasjen dhe ti pastaj e thërret policinë për ta burgosur. I vrari nuk kthehet në jetë më, pavarësisht çka ndodh me vrasësin pas aktit”, ka vlerësuar Kelmendi.

Sipas tij, pala që nuk do të punojë mbi këtë draft do të konsiderohet destruktive nga BE-ja.

Borrell mbrëmë tha se bisedimet për Asociacionin do të vazhdojnë mbështetur mbi draftin e statutit të prezantuar nga ky Ekip Menaxhues. Dhe me logjikën e vendosur nga Brukseli, sipas Aneksit të Zbatimit, pala që nuk tregohet konstruktive do t’i bartë pasojat. Tash, pas prezantimit të draftit, pala që nuk do të punojë mbi të do të shihet si destruktive. Këtu është kurthi”, ka vlerësuar ai, duke shtuar se nuk është dashur të lejohet të prezantohet ai draft në Bruksel.

“Qeveria e ka ditur se kryesuesja e Ekipit është deputete e partisë së Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë. Nuk është dashur me asnjë kusht të lejohet prezantimi i një deputeteje, e cila është betuar në Kushtetutën e Serbisë - Kushtetutë brenda së cilës ndodhet edhe Kosova - të propozojë çfarëdo për rregullimin e brendshëm të Kosovës. Është ahistorike”, ka vlerësuar

Lirimi nga detyra i ekipit

Ministri i Administrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, sot ka njoftuar se ka liruar nga detyra Ekipin Menaxhues që ishte themeluar për hartimin e statutit të Asociacionit.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka vlerësuar se vendimi vjen pas prezantimi të draft-statuti që u bë të martën në Bruksel në takimin e kryeministrit Kurti me presidentit serb, Vuçiq.

Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status. Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujičić, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojković.” – thuhet në reagimin e ministrit.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që pati në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku u prezantua draft-statuti i këtij grupi, ka thënë se propozimi i Ekipit Menaxhues ishte kundërshtues.

Ai ka thënë se ai ishte i papajtueshëm me ligjshmërinë dhe kushtetueshmërinë e vendit, teksa shtoi se ka paraqitur një draft të tij.

“Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, që dekomisionoj veten me rastin e prezantimit, është rezultat i dëshirës për Republika Sërpska në Kosovë. Ekziston dëshira për Republika Sërpska në Kosovë e kjo e ka shkruar këtë statut. Draft-visioni është inspiruar për një marrëveshje të bërë nga Serbia për normalizim të marrëdhënieve me Kroacinë. Kjo marrëveshje parasheh të drejtat e dispozitat për mbrojtje të pakicës serbe në Kroaci”, ka thënë Kurti.

Formimi i Ekipit Menaxhues ishte paraparë me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Ky ekip ishte formuar nga ish-ministri i MAPL-së, Goran Rakiq.

Lajme të ngjashme