Intervistë | Haliti: Osmani dhe Kurti po e sundojnë Kosovën, po kapin çdo institucion - NACIONALE

Intervistë | Haliti: Osmani dhe Kurti po e sundojnë Kosovën, po kapin çdo institucion

2 javë më parë

nga Muhamet Koci

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka adresuar një sërë kritikash për Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti. Ai ka thënë se ata po e sundojnë Kosovën, duke tentuar të kapin çdo institucion publik. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Haliti ka vlerësuar se dy krerët e shtetit po ndjekin politikë përçarëse në raport me Shqipërinë.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka kritikuar Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti për sundim të Kosovës. Ai ka thënë se Kurti e Osmani me pushtetin e tyre po synojnë t’i kapin të gjitha institucionet publike.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën Nacionale, Haliti ka vlerësuar se kjo qeveri nuk është e shëndetshme për demokracinë. Sipas tij, në këtë mënyrë mazhoranca nuk po ia lejojnë as opozitës ta luajë rolin që i takon.

Krerët e shtetit, deputeti i PDK-së, i ka kritikuar edhe për qasjen e tyre ndaj UÇK-së dhe udhëheqësve të saj.

Sipas tij, Osmani dhe Kurti janë kreatorë të politikave që e kanë quajtur UÇK-në kriminale.

Në këtë intervistë të gjatë për Nacionalen, ai ka folur edhe për rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë kundër raportit të Dick Martyt dhe mënyrën se si është hartuar dhe miratuar ky raport në Këshill të Evropës.

Nacionale: Z. Haliti, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një rezolutë kundër raportit të Dick Martyt. Cili është vlerësimi juaj për këtë veprim të Kuvendit të Shqipërisë?

Haliti: Në aspektin moral dhe politik është bërë një akt zyrtar i përfaqësuesve të popullit të Shqipërisë, i cili i është kundërvënë një akuze të pabazë dhe një akuze e cila është përjashtuar nga aktakuza që i është ngritur krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale. Akuza për transplant të organeve, sipas të gjitha të dhënave, nuk ekziston.

Nacionale: Kryeministri Edi Rama ka thënë se këtë çështje do ta dërgojë edhe në Këshill të Evropës. E shihni si të mundshme një gjë të tillë?

Haliti: Çështja që ka të bëjë me Këshillin e Evropës dhe kalimin e kësaj rezolute do një analizë, një angazhim dhe përkushtim të madh për ta futur në rend të ditës. Për ta fituar një çështje të tillë në rend të ditës, ajo duhet të kalojë përmes Byrosë së Asamblesë Parlamentare. Për ta kaluar në byro duhet një lobin me anëtarët e saj. Nëse kalon, atëherë ajo duhet të shkojë përmes një komisioni të Këshillit të Evropës, në këtë rast të Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Pra, duhet të shqyrtohet në komisionin që është miratuar vetë raporti i Dick Martyt, ku ne atëherë kemi humbur për një votë. Sepse kur është miratuar raporti, atëherë në Paris, në komision ka munguar përfaqësuesi i Parlamentit të Shqipërisë.

Nacionale: Kush ka qenë ai deputet dhe a e dini arsyen e mungesës së tij?

Haliti: Nuk e besoj se ka munguar qëllimshëm. Shpetim Idrizi ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në këtë komision. Kam qenë në atë komision dhe ma kanë dhënë të drejtën me diskutu mua, si udhëheqës i delegacionit, sepse në atë kohë parlamenti ka qenë i shpërndarë, ka qenë funksionale vetëm Kryesia e Kuvendit. Përfaqësues kemi qenë unë dhe z. Gashi, ku kemi diskutuar të dytë. Natyrisht se ka pasur një reagim histerik të delegacionit rus në komision, duke kërkuar që të largohem unë nga komisioni. Ata kanë thënë se unë jam pjesë grupit kriminal e këso gjërash.

Nacionale: Domethënë përfaqësuesit rusë në komision ju kanë akuzuar juve drejtpërdrejt?

Haliti: Po, sepse edhe në raport të Dick Martyt kam qenë i akuzuar për këto çështje. Mirëpo, kryetari i atij komisioni ka thënë se përfaqësuesit rusë nuk kanë të drejtë të kërkojnë largimin e dikujt nga komisioni. Ai ka treguar se komisioni ka ftuar përfaqësuesit e Kosovës, duke thënë se Kuvendi më ka autorizuar mua për të përfaqësuar Kosovën dhe se kam të drejtë të flas për aq kohë sa na kanë dhënë. Kuptohet se ne nuk kemi pasë të drejtë fare të marrin pjesë në atë komision, por me kërkesë të kryetarit të komisionit jemi ftuar aty.

Nacionale: Çka nëse nuk do të miratohej aty raporti i Martyt?

Haliti: Sikur të mos ishte miratuar raporti i Dick Martyt në komisionin për të drejtat e njeriut, atëherë Marty 6 muaj nuk ka pasur të drejtë ta përsërisë kërkesën e tij për t'ia miratuar raportin dhe për ta kaluar pastaj në formë rezolute në Asamble të Këshillit të Evropës.
Pas miratimit të raportit në këtë komision, kemi shkuar në asamble, dhe aty shkuarja jonë ka qenë me ftesë të delegacionit të Shqipërisë, si mysafirë të tyre, dhe jo të ftuar nga KE.
Në këtë mënyrë, mundësitë tona kanë qenë të kufizuara. Atëbotë, në konferencë për shtyp unë kam deklaruar se kjo rezolutë është bërë me presionin e delegacionit rus dhe është krejtësisht një konstruksion ruso-serb kundër UÇK-së, kundër Kosovës dhe kundër SHBA-së e NATO-s.
Pra, edhe rezoluta e Shqipërisë kundër këtij raporti, nëse dëshiron të miratohet, duhet t’i kalojë të gjitha këto procedura.

Nacionale: Sa optimist jeni se kjo rezolutë mund të miratohet në Asamblenë Parlamentare të KE-së?

Haliti: Nuk pres që mund të miratohet. Besoj se do t’i kthehet një përgjigje delegacionit të Shqipërisë. Pra, KE-ja ka procedurat e veta, ka filtrin e vet që është Byroja. Vetëm pas Byrosë kjo çështje mund të futet në diskutim në ndonjë komisioni të rëndësishëm të asamblesë. Pastaj, çështja kthehet edhe njëherë në Byro, e cila mund ta kalojë dhe ta hedhë poshtë. Këto janë procedurat dhe nuk besoj se mund të miratohet. Megjithatë, publikimi i një të vërtete se në Shqipëri nuk ka pasur Shtëpi të Verdhë, është gjë e mirë. Sepse kjo ndikon për t’i hedhur poshtë dyshimet e ngritura si për Shqipërinë ashtu dhe për Kosovën.

Nacionale: Vazhdimisht kritikohen institucionet e Kosovës se kanë injoruar këtë çështje që nga fillimi dhe se nuk kanë bërë sa duhet për ta penguar miratimin e këtij raporti. A ka mundur të parandalohet miratimi i raportit të Martyt?

Haliti: Nuk besoj në këtë. Raporti i Martyt ndoshta ka mundur të pengohet në embrion.

Nacionale: Si në embrion?

Haliti: Unë nuk e kam ditur që Dick Marty ka qenë në Kosovë për ta hartuar raportin, nuk e kam ditur që Marty ka qenë i autorizuar për të ndërtuar një raport me këto lloj të akuzash. Ai ka qëndruar në Kosovë dhe e kanë furnizuar shqiptarët e serbët, duke i dhënë dokumente çfarë kanë dashur ata. Mendoj që qeveria e atëhershme dhe strukturat e ish-UCK-së, pra strukturat e PDK-së dhe të AAK-së, kanë mundur me e furnizu Martyn me të vërtetën rreth luftës. Këta njerëz kanë mundur ta furnizojnë më mirë se ata që nuk kanë pasur lidhje me UÇK-në. Sikurse të ishte furnizuar Marty me informata të duhura për këtë çështje, besoj se situata do të ishte ndryshe. Sepse pretendimet e Martyt kanë qenë të bazuar kryesisht në të dhëna të shërbimit sekret serb dhe në të dhëna të mediave që kanë qenë kundër UÇK-së.
Mendoj se raporti i Martyt ka pasur synim tjetër, jo UÇK-në. Mendoj se raporti ka pasur qëllimin që duke akuzuar UÇK-në për veprimet e përmendura aty të synojë përplasjen e SHBA-së dhe NATO-s me pjesën tjetër të botës. Sepse ai ka qenë i angazhuar edhe në një proces kundër SHBA-së, duke pretendua se CIA ka pasur burgje te fshehta nëpër vende të ndryshme të botës. Pra, beteja e këtyre që janë kundër SHBA-së, kundër luftës së UÇK-së dhe intervenimit të NATO-së në Kosovë, ka qenë që të argumentojnë gjeja krimet e UÇK-së që janë bërë në sy të NATO-së dhe ShBA-së.
Mirëpo, Gjykata Special është deklaruar se raporti i Martyt nuk është përfshirë në akuzat e krerëve të UÇK-së që janë në Hagë.

Nacionale: Miratimin e rezultues së Kuvendit të Shqipërisë nuk e ka përshëndetur nga Presidentja Osmani dhe as nga Kryeministri Kurti. Si e keni parë këtë veprim të tyre?

Haliti: Këta janë një grup njerëzish që realisht po sundojnë Kosovën. Dhe janë po ata kreator të politikave që e kanë quajtur UÇK-në kriminale dhe kanë kërkuar që sa më shpejt ata të shkojnë në Hagë. Një politikë e tillë sot është edhe publike përmes levave të caktuara dhe mediumeve të caktuara. Kështu që, unë nuk çuditem pse ata nuk kanë reaguar. Sepse politika e tyre ka qenë që përmes akuzave publike, brenda dhe jashtë institucioneve, veçanërisht përmes mediumeve dhe foltores se parlamentit të Kosovës, të quhen kriminel të gjithë drejtuesit e UÇK-së. Kur them të gjithë drejtuesit, them edhe ata që janë përmendur në raportin e Martyt.
Këta po ndjekin një politik grindavece, një politikë përçarëse edhe në raport me Shqipërinë, sepse po dëshirojnë të inkuadrohen në luftën e brendshme në Shqipëri. Mendoj se e kanë gabim.

Nacionale: Mendoni se të dytë po ndjekin të njëjtën politikë?

Haliti: Tani të dytë janë në një përplasje publike dhe ndonjëherë të heshtur me kryeministrin e Shqipërisë. Kjo nuk do të duhej të lejohej në politikat shtetërore që bën Kosova. Do të duhej që të dy vendet të fokusohen në thellim të bashkëpunimin dhe në politika që e ndihmojnë Kosovën dhe Shqipërinë në rrugën e tyre drejt BE-së.

Nacionale: E kemi parë që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osman, ka kritikuar ish-presidentin Thaçi se ka bërë presion për miratimin e Gjykatës Speciale. Ka ndodhur një gjë e tillë?

Haliti: Unë vlerësoj se z. Thaçi ka qenë i përgjegjshëm në raport me kërkesat që janë bërë nga bashkësia ndërkombëtare dhe nuk e besoj që ka bërë presion. Ne kemi diskutuar rreth kësaj çështje, po nuk ka pasur preson. Mirëpo, kurrë nuk e kam besuar atëherë se të arrestuarit eventual nga kjo gjykatë të mund të mbahen në paraburgim kaq gjatë. Nuk kisha me thënë se ka bërë presion z. Thaçi, diskutimet janë bërë edhe në grup parlamentar dhe në kryesi të partisë, sepse në politikë diskutohen gjerat.

Nacionale: Më herët thatë se janë bërë akuza të renda në drejtim të UÇK-së nga foltorja e kuvendit dhe nëpër media. Mendoni se këto kanë ndikuar në formimin e Gjykatës Speciales?

Haliti: Jo nuk e besoj. Por, ato akuza kanë pasur ndikimin e vet në opinion. Sepse këta zgjedhjet i kanë fituar mbi bazën e atyre akuzave.

Nacionale: Gjithashtu thatë se Osmani dhe Kurti po e sundojnë Kosovën. Në çfarë kuptimi po mendoni?

Haliti: Unë mendoj se nuk duhet me qenë të gjitha institucionet e Kosovës në një orientim politik. Këta tani kanë filluar me i kap të gjitha institucionet. Po përpiqen me e kap Prokurorin e Shtetit, gjyqësorin, ndërmarrjet publik i kanë kapur pothuajse të gjitha. Të njëjtën gjë po e tregojnë edhe në raport me institucionet tjera publike. Kjo ia pamundëson opozitës kontrollin opozitar ndaj politikave të gabueshme të Qeverisë. Mendoj se edhe Kuvendi është i mbivotuar.

Nacionale: Në përgjithësi, cili është vlerësimi i juaj për qeverisjen e z. Kurti?

Haliti: Problemi kryesor është zhvillimi ekonomik. Në planin e zhvillimin ekonomik nuk po shoh që ka investime të jashtme në Kosovës. Unë po shoh e dëgjoj vetëm zhurma. Tani e kemi këtë rastin e nënshkrimit të MCC, ku kanë shkuar presidentja dhe kryeministri. Ajo ka mund të nënshkruhet edhe nga këtu, sepse ata i kanë ndarë ato mjete për Kosovën. Dhe sa kam dëgjuar unë kanë pasur përplasje ndërmjet presidentes dhe kryeministrit se kush duhet të shkojë për të nënshkruar marrëveshjen. Mirë që e kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe kanë shkuar të dytë.

Nacionale: Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se pritet ta takojnë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Pritni diçka nga ky takim?

Haliti: Nëse ata të dy i pret Sekretari i Shtetit, Z. Blinken, do jetë mirë për Kosovën dhe rajonin. Por, do t’i nënshtrohen presionit lidhur me negociatat Kosovë-Serbi.

Lajme të ngjashme