Intervistë | Apolloni: Mjaft ndërtuam përmendore vetëm për heronjtë, t’i kthejmë sytë edhe nga viktimat civile - NACIONALE

Intervistë | Apolloni: Mjaft ndërtuam përmendore vetëm për heronjtë, t’i kthejmë sytë edhe nga viktimat civile

3 vjet më parë

nga Medina Pasoma

Medina Pasoma

Vepra “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” e Ag Apollonit është nominuar për çmimin prestigjioz evropian, “European Union Prize Literature”. Shkrimtari dhe profesori universitar, me veprën e tij më të re, e përfaqëson Kosovën në këtë garë të rëndësishme ndërkombëtare.

Njëri nga qëllimet e këtij libri është promovimi i historisë së luftës, por përmes një qasjeje të re, e cila e kapërcen narrativën aktualisht sunduese, ku në qendër është heroi luftëtar. Nëpërmjet veprës së tij, Apolloni përpiqet që të dëshmojë se heronj kanë qenë edhe njerëzit e thjeshtë, të cilët i kanë mbijetuar tragjedisë, e jo vetëm luftëtarët.

Në këtë kontekst, vepra shënon një përpjekje për ta “ndriçuar” jetën e njerëzve të rëndomtë, të cilët, ndonëse kaluan nëpërmes skëterrës së luftës, rrallëherë janë qendërzuar në tregimet e rrëfimet mbi historinë e luftës.

Përballë ka edhe autorë nga 12 vende të tjera të botës, përfshirë Armeninë, Kroacinë, Çekinë, Qipron, Estoninë, Finlandën, Francën, Luksemburgun, Malin e Zi, Poloninë, Suedinë e Lihtenshtajnin.

Lufta e fundit, dhuna seksuale ndaj grave gjatë kësaj periudhe, të ndërthurura me personazhe që përfshihen në animacion, përrallë e mitologji, e bëjnë veprën të mos jetë plotësisht as roman dokumentar, as përrallë e pastër.

Në anën tjetër, çmimi “European Union Prize Literature” synon që t’i shfaqë pasurinë dhe larminë e letërsisë bashkëkohore evropiane. Ka për qëllim që ta inkurajojë krijimin e veprave letrare jokombëtare, por të cilat kanë një lexues më të gjerë se kaq. Emrat e pesë të nominuarve të posaçëm dhe të fituesit të çmimit kryesor do të publikohen më 28 prill.

Gazeta “Nacionale” ka zhvilluar një bisedë me Ag Apollonin, i cili ka treguar për ato që i pret nga ky konkurs:

Nacionale: Vepra juaj, “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, ka arritur që të nominohet për çmimin prestigjioz evropian, “European Union Prize Literature”. Çfarë ndjesie ju ka dhënë kjo?

Apolloni: Isha i befasuar. Sa herë që më nominojnë për ndonjë çmim, ose sa herë që më shkruan ndonjë botues a përkthyes i huaj për të më përkthyer ndonjë vepër, kështu ndihem. Unë nxjerr një vepër letrare, sepse nuk mund ta mbaj brenda më. Kur botoj, pra, ndihem i çliruar, kurse kur më nominojnë ose shpërblejnë, ndihem i nderuar. Ky çmim është themeluar në vitin 2009, mirëpo deri më 2021, çdo shkrimtar i përzgjedhur nga shteti i tij, shpallej fitues, prandaj kishte rreth trembëdhjetë fitues në vit, ndërsa vitin e kaluar janë vendosur rregulla të reja, kështu që tash kemi trembëdhjetë konkurrentë, prej të cilëve vetëm njëri do të jetë fitues, plus pesë të tjerë që do të përzgjidhen (‘five special mentions’) për t’ua sugjeruar botuesve evropianë. Kështu që, sigurisht, tash është një garë ndryshe, një garë më e fortë.

Nacionale: Duke pasur parasysh që ky çmim vjetor është promovim i pasurisë dhe i larmisë së letërsisë bashkëkohore evropiane, si mendoni se do të ndikojë ky fakt në rrëfimin që ju e keni ndërtuar?

Apolloni: Mendoj se kjo mund të ndikojë në promovimin e letërsisë shqipe në Evropë, dhe ne vërtet kemi nevojë për promovim. Besoj që edhe veprat e mia mund të sjellin, nëse jo një ngjyrë, së paku një nuancë në spektrin e letërsisë evropiane.

Nacionale: Kur flasim për tematikën e veprës, dimë se aty përfshihen edhe lufta e Kosovës e dhuna e përjetuar gjatë kësaj periudhe, të ndërthurura me një rrëfim mes përrallës, mitologjisë e religjionit. Sa është i rëndësishëm promovimi i historisë së Kosovës në mënyrë artistike në këtë kontekst evropian?

Apolloni: Është në natyrën njerëzore, si nevojë antropologjike, të tregosh dhe të dëgjosh, apo të lexosh tregime. Duke u nisur nga ky fakt, mendoj se është shumë i rëndësishëm promovimi i historisë sonë në një rreth më të gjerë evropian. Përveç një linje lojcake me përrallën e Kësulëkuqes, unë aty rrëfej për viktimat e përdhunimit gjatë luftës, me një theks të veçantë për një shqiptare të krishterë, Marta, e cila ishte gruaja e parë që e kishte marrë guximin ta sfidonte mentalitetin kosovar, duke e denoncuar përdhunuesin e saj, i cili menjëherë u arrestua nga KFOR-i, u dënua me njëzet vjet burg, por, për pazare politike, u lirua pas dy vjetëve.

Mendoj se Marta është një simbol i Kosovës dhe është e habitshme që, sa ishte gjallë, nuk iu dha vëmendja dhe përkrahja e duhur dhe po aq e habitshme është që ende nuk kemi asnjë emër rruge për nder të saj, asnjë bust a shtatore. Nuk e kuptoj shurdhërinë tonë para zërit ankues të saj sa ishte gjallë, dhe nuk e kuptoj shpërfilljen tonë përballë viktimave të përdhunimit. Me denoncimin publik që e bëri, ajo mbetet një grua simbol për tragjedinë e Kosovës, siç mbesin edhe Pashkë Marku, Ferdonije Qerkezi, Vasfije Krasniqi e shumë gra të tjera. Mjaft u kemi ngritur përmendore vetëm heronjve, t’i kthejmë sytë edhe nga viktimat civile! Për më shumë se dy dekada e kemi shpërfillur pjesën më lirike dhe më tragjike të luftës. Prandaj, historitë e tilla të Kosovës duhet të tregohen para botës, jo pse janë pjesë e një kombi, por pse janë pjesë e këtij kontinenti dhe e këtij njerëzimi. Pastaj, se si duhet të tregohen, kjo është çështje që e mendon secili autor para se të shkruajë një vepër me fate të tilla.

Lajme të ngjashme