Interpretimet e 'çoroditura' të treguesve ekonomikë – praktikë e zakonshme e Kurtit dhe Muratit - NACIONALE

Interpretimet e 'çoroditura' të treguesve ekonomikë – praktikë e zakonshme e Kurtit dhe Muratit

2 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Nxjerrja e statistikave të fabrikuara është një fenomen i njohur globalisht. Në qeveritë e shteteve, ky aktivitet theksohet kryesisht në periudhat parazgjedhore si rezultat i tendencës së votuesve për t'u fokusuar në rezultatet makroekonomike. Në Kosovë - në këmbim të vlerësimit më të lartë qytetar për performancën e qeverisë - një formulë e ngjashme e nxjerrjes së të dhënave të shtrembëruara, me burime të pamjaftueshme dhe joproporcionale është bërë pothuajse praktikë e zakonshme e zyrtarëve qeveritarë.

Përmbysja e të dhënave duke relativizuar në kohë krahasimet e ndryshme të treguesve ekonomikë të vendit për të arritur rezultatet e dëshiruara karakterizoi në veçanti logjikën e kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Financave Hekuran Murati që nga marrja e pushtetit.

Dukuria e interpretimeve gjysmake të treguesve ekonomikë po zbatohet në masë të madhe si shkak-pasojë e mos përditësimit të të dhënave të ndryshme nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, duke krijuar kështu anomali në vazhdimësinë e pasqyrës reale të pak tregues ekonomikë të përditësuar.

Për shembull, në mungesë të Anketës së Fuqisë Punëtore, e cila paraqet burimin kryesor të të dhënave të tregut të punës, kjo situatë u shfrytëzua së fundi nga ministri Murati në statistikat e numrit të grave të punësuara ndër vite.

151,000 gra të punësuara përgjatë vitit 2023, sipas statistikës krejtësisht të pavlefshme të Muratit në mungesë të një burimi të dhënash, evidentuan një tendencë të rrezikshme të qeverisë për të manipuluar shifrat.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, gjatë një fjalimi të seancë të Kuvenit në shtatorin e vitit të kaluar, akuzoi pushtetin se ‘statistikat e punësimit' të prenzatuara nga zyrtarët qeveritarë janë të qeverisë dhe jo të ASK-së

“Ju punoni statistika, ato janë tuajat, por unë po i referohem Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Nuk ka lulëzim ekonomik. Ka rritje të importit në 4.7 miliardë euro. Ka deficit tregtar”, deklaronte Bajrami.

Kurti dhe Murati vazhdimisht kanë proklamuar një rritje formale të punësimit, gjë që shumë ekspertë të ekonomisë ia atribuojnë efekteve të emigrimit të lartë në Kosovë.

Gjatë një fjalimi para mbledhjes së Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosjes në fundvitin e kaluar, Kurti u mburr edhe me eksportet për të cilat tha se janë dyfishuar. “Janë dyfishuar si investimet e huaja ashtu edhe eksportet”, tha kreu i qeverisë.

Një deklaratë të tillë, Kurti e dha në një kohë kur të dhënat Tregtisë së Jashtme të Mallrave në Kosovë gjatë vitit 2023, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregonin për një rritje të deficitit tregtar me 4.4 për qind dhe rënie të eksporteve.

Përgjatë muajve të vitit 2023, raportet e tregtisë se jashtme të Kosovës, të publikuara nga ASK-ja, treguan për një rritje të theksuar të deficitit tregtar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përdredhja e indikatorëve u vu re edhe në rritjen reale ekonomike të vendit. DNdonëse që nga ardhja në pushtet e Lëvizjes Vetëvendosje, BPV-ja e vendit u karakterizua me një rrjedhë negative, fakt që u bë i ditur në raportin e “Bruto Produktit Vendor (BPV) meQasjen e Shpenzimit dhe të Prodhimit, TM2 2023”, kreu i ekzekutivit deklaroi në shtator të vitit të kaluar se “rritja mesatare në dy vite ka qenë 7.9%, më e larta se çdo herë tjetër për dy vite rresht që nga shpallja e Pavarësisë”.

Kreu i qeverisë i bëri këto deklarata duke shmangur krahasimin me vitin 2021, ku rritja reale ekonomike u tkurr nga 10.7 në rreth 3.5 për qind në fund të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme