Urimi 'përdredhës' i pushtetit për 8 mars, Murati lakon për qejfi shifrat e punësimit për gratë - NACIONALE

Urimi 'përdredhës' i pushtetit për 8 mars, Murati lakon për qejfi shifrat e punësimit për gratë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka një problem kur ministri i Financave Hekuran Murati, prezanton një grafikon që grumbullon statistikë të punësimit të grave dhe që flet për mbi 150 mijë sosh të punësuara. Problemi është te vërtetësia e statistikës. Sa është e vërtetë kjo? Nacionale shpjegon...

Ministri Hekuran Murati, uroi gratë kosovare për 8 Marsin, duke ua përmbledhur një statistikë punësimi.

Trajektorja e grafikonit që fillon nga viti 2020 dhe nxjerr 151 mijë gra të punësuara, në vitin 2023, është vetëm ‘e vërteta e Qeverisë’.

Grafikoni i publikuar – pa ndonjë referencë zyrtare – në fakt është një ‘statistikë administrative e punësimit’.

Institucioni i vetëm që mund të merret për referencë, kur flitet për punësimin, është Agjencia e Statistike të Kosovës.

Në kuadër të këtij institucioni, ekziston një panel i veçantë, që quhet ‘Anketa e Fuqisë Punëtore’. Vetëm duke iu referuar kësaj Ankete, mund të nxirret numri i saktë i punësimit në Kosovë.

Por kjo anketë që do të merrej si referencë e saktë rreth punësimit, publikimin e fundit e ka për tre mujorin e parë të vitit 2023.

Për këtë, Qeveria Kurti shpesh është kritikuar nga ekspertë të ekonomisë që vijnë nga opozita, se e ka ndalur publikim e të dhënave zyrtare rreth punësimit në Kosovë.

Arben Mustafa i PDK-së, në qershorin e vitit të kaluar dhe në seri reagimesh të mëvonshme, do të vinte në pah këtë problem kështu:

Qeveria Kurti, përmes Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka kohë që ka ndërprerë publikimin e Anketës së Fuqisë Punëtore, e cila paraqet burimin kryesor të të dhënave të tregut të punës. Kjo ndërprerje skandaloze e këtij publikimi kaq të rëndësishëm ka ndodhur pa asnjë shpjegim për publikun”, shkruan ai në një postim në vitin 2023.

Sa i përket barazisë në punësim, i njëjti sot ka publikuar një grafikon – referuar ASK-së, që flet për mbi 70% të grave dhe vajzave në moshë punë që nuk janë të punësuara e as aktive në tregun e punës.

Çka po bën – në vend të kësaj (të vërtetës) – Qeveria Kurti?

Po improvizon statistika të tregut të punës, ngjashëm siç bëri sot për festën e 8 Marsit, ministri Murati.

“Në vend të këtij publikimi, Qeveria Kurti filloi të improvizojë me statistikat e tregut të punës duke shfrytëzuar të dhënat e kontribuuesve pensionalë në Trust dhe të tatimpaguesve në ATK, sepse në periudhën kur jepeshin subvencione të ndryshme për punëtorët këto figura rriteshin dhe Qeveria në mënyrë manipulative i paraqiste si punësime të reja”, do të tregonte më 2023, Arben Mustafa.

Të njëjtën vijë shpjeguese, e ka edhe deputetja e LDK-së, znj.Hykmete Bajrami, e cila në një seancë të Kuvendit, në shtatorin e vitit të kaluar, pati deklaruar se ‘statistikat e punësimit që po jep Qeveria Kurti, janë statistika të Qeverisë’ por jo ‘të Agjencisë’.

“Trendi është më negativ sesa në qeveritë e kaluara. Ju punoni statistika, ato janë tuajat, por unë po i referohem Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Nuk ka lulëzim ekonomik. Ka rritje të importit në 4.7 miliardë euro. Ka deficit tregtar”, pati deklaruar Bajrami, shkruan Nacionale.

Sa i përket keqpërdorimit të shpeshtë të fjalës ‘lulëzim’, Bajrami kishte disa fjalë për Qeverinë kështu:

“Punësimi është duke lulëzuar, veçse po lulëzon në Gjermani. Atje ka 59 mijë qytetarë më shumë me origjinë nga Kosova”, ishte shprehur Bajrami.

Lajme të ngjashme