"Inskenime të sulmeve": Kurti kërkon nga komandanti i KFOR-it trupa shtesë në kufirin me Serbinë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar të mërkurën me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Ozkan Ultutas, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë në vend. Ai në këtë takim ka kërkuar që trupat e rinj të KFOR-it të fokusohen në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo kërkesë vjen pas sulmit në Banjskë dhe pas paralajmërimeve për incidente të reja.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti në këtë takim ka thënë se është i interesuar për bashkëpunim më të fortë e takime me të shpeshta me komandatin e KFOR-it, teksa temë qendrore ka qenë situata e sigurisë në Kosovë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
“Temë qendrore e takimit ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë. Kryeministri theksoi që ky sulm terrorist ka vënë në pah nevojën për rritjen e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi.” – thuhet në njoftimin për medie.
Më tej, Kurti ka mirëpritur shtimin e numrit të trupave të KFOR-it dhe ka kërkuar këtë trupa të koncetrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, ku “prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.
“Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.
Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës.”
Paralajmërimet e Kurtit
Ndërkohë, ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte paralajmëruar se mund të ketë inskenime të sulmeve nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë.
"Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim në tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Mbështetja e grupit terrorist që ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar si heronj, në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën vetëm sa i inkurajuar ata.” – kishte thënë ditë më parë.
Gjithashtu edhe presidentja Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca kishin paralajmëruar për sulme të tjera pas rastit në Banjskë.
Shtimi i trupave të KFOR-it
Pas sulmit në Banjskë, NATO ka marrë vendim që të shtojë numrin e trupave të KFOR-it në Kosovë.
Pas kësaj thirrje, Britania e Madhe dërgoi 200 trupa shtesë në Kosovë. Pas Britanisë së Madhe, Rumania dërgoi 130 si dhe Sllovenia 100 ushtarë.
Gjithashtu tashmë janë shpeshtuar edhe patrullimet e përbashkëta të KFOR-it me Policinë e Kosovës gjatë vijës kufitare me Serbinë.
Aktualisht KFOR-i numëron rreth 4 mijë e 700 trupa nga 27 vende anëtare të NATO-s.



