Dy qasje: Cilat janë pozicionet e Kurtit dhe ShBA-së e Gjermanisë për dialogun pas Banjskës - NACIONALE

Dy qasje: Cilat janë pozicionet e Kurtit dhe ShBA-së e Gjermanisë për dialogun pas Banjskës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë pas sulmit në Bansjkë të Zveçanit, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania kanë kërkuar që palët edhe përkundër 24 shtatorit t’i përmbahen Marrëveshjes Themelore dhe asaj të Ohrit. Pra gjithçka të vazhdojë sa i përket “bisedimeve në Bruksel” siç ka qenë edhe para se një grup serbësh ta sulmonin policinë e Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Çfarë po ndodh?

Pas takimi me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja nuk mund të vazhdojë sikurse nuk ka ndodhur asgjë në Banjskë me 24 shtator.

Në një konferencë për medie me senatoren Shaheen, Kurti ka thënë se për të pasur sukses procesi i dialogut për normalizim duhet të ndërmerren disa hapa.

Gjithashtu i njoftova senatorët se dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk mund të vazhdojë thuajse nuk ka ndodhur asgjë, nuk mund të vazhdojmë punën në këtë staus quo edhe më tutje. Kapitulli i dialogut duhet të marrë parasysh edhe veprimet sulmuese e agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Prandaj, duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të këtë edhe një shansë për të pasur suksese. Besoj se është tepër e rëndësishme që të kemi një qasje të balancuar përfshirë atë që të dënohet çdo shkelje e marrëveshjes bazë të arritur më 22 shkurt në Bruksel dhe aneksit për zbatim të Ohrit”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë thirrje që të dënohen sulmet e fundit të Serbisë mbi Kosovën. Në të kundërtën, sipas tij, sulmet e tilla mund të përsëriten.

Institucionet e inteligjencës kanë vërejtur se ka pasur një rritje të rrezikut të sulmeve nga Serbia. Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjitha komuniteteve të vendit tonë prandaj të gjitha këto përpjekjet për destabilizim duhet të ndërpriten tani. Është koha që Serbia të mbetet përgjegjëse, përndryshe këto sjellje agresive do të vazhdojnë edhe më tutje”, është shprehur Kurti.

Kthimi në Dialog

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ditë më parë për Zërin e Amerikës tha se ShBA do të marrin masa pasi të vërtetohet se kush qëndron prapa sulmit të 24 shtatorit.

Hovenier për Zërin e Amerikës deklaroi se zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një nga mënyrat për të rritur sigurinë e Kosovës, të cilën e cilësoi të brishtë pas ngjarjeve të 24 shtatorit.

Jam dakord që siguria e Kosovës është një pëparësi shumë e lartë. Unë besoj, qeveria ime beson se një nga mënyrat për të rritur urgjentisht sigurinë e Kosovës është përmes zbatimit të Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të zbatimit. Kjo do të rrisë jashtëzakonisht sigurinë e Kosovës. Prandaj, ne mendojmë se është kaq urgjente të ecim përpara në dialog për ta arritur këtë”, tha Hovenier.

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, në konferencën e se premtes së javës së kaluar në Tiranë, tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i përmbahen Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshjeve të fillimvitit të 2023-ës.

Ajo nga kryeqyteti shqiptar kërkoi kompromise nga të dy palët.

Nuk ka asnjë alternativë tjetër përveçse Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë të vendosur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ajo që presim është më shumë gatishmëri për kompromis dhe kurajë për t’u bërë ballë edhe rrymave të kundërta të politikës së brendshme. Pikërisht mbi këto baza është ngritur BE”, tha ajo në Ministerialin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit.

Lajme të ngjashme