Nisma për zhvotim të Abdixhikut, ankohet VV-ja se “po pengohet finalizimi i marrëveshjes” me LDK-në
Zhvotim ose votëbesim.
Pas gjashtë muajsh që kur e kaloi me votë mbijetuese Kuvendin Zgjedhor të LDK-së, Lumir Abdixhiku, sërish del para delegatëve të partisë së tij.
Organi më i lartë i LDK-së sërish e peshon nëse do të mbajë për drejtues Lumir Abdixhikun, për çka 151 nënshkrime të delegatëve janë deponuar në sekretariat të partisë.
Duhen 177 vota për ta kaluar me sukses mosbesimin ndaj Abdixhikut.
Kjo ngjarje vjen në një kohë kur Abdixhiku shprehej se flet “në emër të 18 deputetëve,” për marrëveshje politike me partinë Vetëvendosje.
Bisedimet te Albin Kurti i nisi me Vjosa Osmanin e cila s’ishte as anëtare e LDK-së.
Tash, tha ai, me deponimin e nënshkrimeve të delegatëve të LDK-së “i kam ndërprerë angazhimet” për biseidmet për formim të institucioneve.
Abdixhiku u shpreh kundër iniciatorëve se po çojnë në dëmtimin e LDK-së dhe se do t’i përgjigjet iniciativës me thirrje të Kuvendit Zgjedhor.
Sipas statutit të partisë, ai duhet ta thërras Kuvendin Zgjedhor brenda 60 ditësh.
“Nuk do t’i shmangem asnjë procesi demokratik. Nuk do t’i iki asnjë vote dhe nuk do ta mbaj asnjë detyrë kundër vullnetit të shumicës”, tha Abdixhiku.
“Nuk do të ishte as serioze dhe as e përgjegjshme që unë të vazhdoja të negocioja në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati im për ta udhëhequr dhe për ta përfaqësuar atë është vënë në diskutim”, tha ai.
Këtë adresim të Abdixhikut e shpërndau edhe bashkëpunëtorja e tij politike, ndonëse kurrë nuk është saktësuar nëse partiake, Vjosa Osmani.
Abdixhiku foli edhe “nxitje të jashtme” që, sipas tij, qëndrojnë prapa tensioneve, por nuk përmendi persona, parti apo grupe konkrete.
"Nxitjet e jashtme do të veniten shpejt dhe mbesim sërish ne – vetëm ne. Kjo shtëpi nuk definohet nga ata që projektuan shuarjen e saj e që, në çdo çarje minimale, projektojnë përçarje maksimale", tha ai ndër tjera.
Të pakënaqur me këtë iniciativë u shprehën edhe nga Vetëvendosje të cilën pretenduan se po arrihej marrëveshje për institucione.
Ministrja në detyrë e Tregtisë, Mimoza Kusari, tha se zhvillimet e brendshme në LDK po e komplikojnë procesin e arritjes së një marrëveshjeje me LVV-në.
Ajo deklaroi se situata e re "e komplikon situatën në diskutim" dhe ndikon në bisedimet për formimin e institucioneve.
Sipas Kusarit, përfaqësuesit e LDK-së që kërkojnë largimin e Lumir Abdixhikut kanë qenë kundërshtarë të bashkëpunimit me Vetëvendosjen.
"Shihet qartë se përpjekja është për të mos u lënë për t'u arritur një finalizim i një marrëveshjeje", tha ajo në KTV.
Në dritën e këtyre zhvillimeve reagoi edhe një nga nismëtarët e shkarkimit të Abdixhikut, Avdullah Hoti. Ai tha se LDK-ja është mbi ambiciet e individëve.
“Forca e LDK-së është vullneti i anëtarësisë, jo ambicia e individëve. Askush nuk është mbi LDK-në dhe anëtarësinë e saj,” shkroi ai.
Zyrtari i LDK-së, Florian Dushi, ka deklaruar se zhvillimet e fundit brenda partisë synojnë forcimin, e jo përçarjen e saj.
Duke folur në Debat Plus, ai tha se askush brenda LDK-së nuk është i gatshëm të largohet nga partia, pavarësisht nismës për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.
I pyetur për mundësinë e ndarjeve nëse Lumir Abdixhiku mbetet kryetar, Dushi u shpreh se “përçarje nuk mund të ketë në LDK dhe nuk do të ketë.”
Ai shtoi se “qëllimi është rritja dhe zhvillimi i LDK-së dhe në asnjë mënyrë ndarja apo zvogëlimi i saj.”