Incidenti në Aeroportin e Shkupit e "llafe llafe" në Prishtinë: Java e presidentes Osmani
Përplasja e presidentes, Vjosa Osmani me Qeverinë Kurti, skandali me Aeroportin e Shkupit, hapja e Urës së Ibrit e minatorët pa paga, ishin ndër ngjarjet kryesore të javës që po e lëmë pas. Në veçanti java ishte e presidentes, Vjosa Osmani. Qe pse.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte personazhi kryesor i javës që po e lëmë pas.
Osmani u bë temë e komentimit e reagimeve të shumta për shkak të incidentit që i ndodhi në Aeroportin e Shkupit të Maqedonisë Veriore.
Siç ka bërë të ditur Presidenca, situata u përshkallëzua kur sigurimi i aeroportit tentoi t'ia merrte telefonin personal Presidentes Osmani dhe t'i merrte me forcë çantën. Në një moment sigurimi i Aeroportit ka tentuar ta shtyjë fizikisht Osmanin.
“Duke mos i respektuar rregullat, sipas Presidences së Kosovës, pala maqedonase e kishte marrë çantën personale të dorës së presidentes Osmani. Por, dorëzimi i telefonit personal nuk është pranuar nga ajo. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike.” – thuhej ndër të tjera në reagimin e Presidencës së Kosovës.
Më tej, në një reagim tjetër, Presidenca e Kosovës ka fajësuar edhe ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë Veriore, duke thënë se u dha urdhëri nga ta.
“Presidentja me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vet institucionet e sigurisë. Në fakt sot edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhëri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontrollë të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike.” – thuhet në reagim.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës në anën tjetër, i ka dërguar Maqedonisë së Veriut notë proteste për këtë incident.
Për këtë incident ka pasur reagime të shumta.
Por emri i presidentes, Vjosa Osmani, është përmendur gjatë javës edhe për kritikat që ia bëri kryediplomatë, Donika Gërvalla.
Ajo ka lënë të kuptohet se Donika Gërvalla është “mjeshtër e mashtrimeve dhe përsëritese e gabimeve”
“Nuk do të komentoja raportet, por kemi në dallime të qarta në qëndrimet me zonjën Gërvalla. Nuk është në interes të qytetarëve e as të Kosovës që ato mos të thuhen publikisht. Meqë doni me kangë të Dafinës me vazhdu, e ka një të re para 1 muaji: Me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast, me kast përsëritës i gabimeve. Më falni është kënga e Gilit se idhnohet Gili.” – ka thënë Osmani si përgjigje ndaj Gërvallës që tha se kënga e preferuar e presidentes është kënga e Dafina Zeqirit “Llafe llafe”.
Gjithashtu, Osmani kritikoi edhe Qeverinë Kurti, dhe kryeministrin i cili nuk i shkoi në takimin konsultativ për datën e zgjedhjeve.
“Kompetencat e institucionit të Presidencës nuk kanë ndryshuar asnjëherë, gjithmonë kanë qenë të njëjta: Neni 84, pastaj ligjet specifike. Nganjëherë ka propozime që me ligje specifike që të minohet ndonjë kompetencë e Presidencës, ka kohë pas kohe, beson ju e dini, i keni pa, por i ndalim ato dhe do t’i ndalim edhe të tjerat.” – ka thënë Osmani si përgjigje ndaj Qeverisë.
Ndërkohë, gjatë javës që po e lëmë pas, minatorët e Trepçës ishin në vëmendje për shkak se kanë dy muaj që nuk kanë marrë paga.
Qeveria ka kërkuar nga menaxhmeti që të dalë me një plan konkret teska minatorët vazhdojnë të jenë pa paga.
Edhe çështja e hapjes së Urës në Mitrovicë nxiti debat. Qeveria po insiston në hapjen e saj ndërsa ndërkombëtarët kanë kërkuar që kjo gjë të bëhet vetëm përmes dialogut.