Incident në veri: Serbët me veturë i mëshojnë Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë qëllojnë me armë zjarri drejt tyre - NACIONALE

Incident në veri: Serbët me veturë i mëshojnë Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë qëllojnë me armë zjarri drejt tyre

1 vit më parë

nga NACIONALE

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë, Petar Petkoviq, ka ngritur pretendime se pjesëtarë të njësisë speciale të Kosovës i kanë qëlluar dy qytetarë duke e lënë njërin prej tyre të plagosur. Policia e Kosovës menjëherë ka reaguar duke treguar se si qëndronte çështja.

Pa kaluar një muaj i plotë që nga shtensionimi i situatës në veri të Kosovës, politikanët serbë kanë nisur një propagandë të egër e të rrezikshme.

Së fundi, mediumi serb nga vendi ynë, Kosovo-Online, raporton fjalët e Drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ky i fundit ka pretenduar se një qytetar serb ka mbetur i plagosur psa të shtënave me armë zjarri nga njësia speciale e Kosovës në drejtim të veturës ku ai ndodhej.

Sipas tij, ky qytetar quhej Millan Delleviq.

“Forcat speciale të Kurtit nuk kanë se çfarë të kërkojnë në veri të Kosovës, si dhe në këtë postbllok që është ngritur ilegalisht për ta ngacmuar popullin serb që kalon andej çdo ditë...” – ka thënë ai.

Policia e Kosovës ka deklaruar se është sulmuar nga vetura në fjalë duke iu rrezikuar jeta zyrtarëve policorë. Në mënyrë që të neutralizohej rreziku, ata thonë se më pas “kanë shtënë me armë zjarri” në drejtim të veturës.

“Personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme.” – shkruhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Edhe gjatë ditës së djeshme ishte raportuar për një incident tjetër, bazuar në fjalët e një 15-vjeçari serb nga Suhodolli të quajtur Llazar Millutinoviq. Ai kishte pretenduar se ishte rrahur nga katër shqiptarë derisa po shkonte në punë në orët e para të mëngjesit. Babai i tij, Zllatibori, kishte pretenduar edhe se e kishte lajmëruar rastin në stacionin policor të Mitrovicës së Jugut.

Por, në raportin e fundit 24-orësh, ky rast nuk ndodhej fare.

Lista Serbe kishte bërë një reagim të ashpër me gjuhë të ulët bazuar në këtë rast duke i fryrë edhe më shumë tensioneve:

“Sulmi i paprovokuar dhe i poshtër ndaj djalit serb Llazar Millutinoviq nga një grup shqiptarësh në Suhodoll para forcave speciale të Kurtit, është vazhdim i planit të tmerrshëm të Albin Kurtit për të frikësuar dhe dëbuar serbët nga Kosova dhe Metohija. Pas tentativës për vrasjen e Stefanit dhe Milloshit në Shtërpcë dhe rrahjes së Stefan Tomiqit në Kllokot, pesëmbëdhjetë vjeçari Llazar është fëmija i katër që sulmohet nga ekstremistët shqiptarë në vetëm pak javë,” – u shprehën nga kjo parti politike.

Lajme të ngjashme