I tha që Kurti "i bëri dhuratë Serbisë", Haki Abazi përplaset me mikun e tij - NACIONALE

I tha që Kurti "i bëri dhuratë Serbisë", Haki Abazi përplaset me mikun e tij

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Përplasjet për zgjedhjet serbe të 3 prillit duket se nuk do të mbarojnë për një kohë të gjatë. Përfitimet dhe pasojat e vendimit të Qeverisë Kurti II po dalin e do të dalin në sipërfaqe me shpejtësi, derisa terme si “sovraniteti”, “dëmtimi i raporteve me miq” etj. do të vazhdojnë të qarkullojnë. Një përplasje tjetër domethënëse po ndodh në këto momente.

Deputeti dhe kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Haki Abazi, ka bërë një reagim ndaj profesorit amerikan Edward P. Joseph, i cili mos-lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të 3 prillit nga Qeveria Kurti II e konsideroi “dhuratë të madhe për Vuçiqin”.

Joseph, i cili kishte shërbyer edhe në Kosovë, ishte shprehur me ton të ashpër kritik ndaj Qeverisë Kurti për këtë çështje – madje duke shkuar edhe më larg se ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po dëmton interesat e vendit të tij dhe po i avancon ato të Serbisë, duke hedhur poshtë precedentin e fituar me vështirësi në vitin 2012”, shkruante z. Joseph në Balkan Insight.

Në atë shkrim, z. Joseph tregonte gjithë kompleksitetin e krijuar për zgjedhjet e 6 majit të vitit 2012 dhe se si gjetja e zgjidhjes kishte shmangur konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.

“Si Kurti, edhe kryeministri i asokohshëm Hashim Thaçi, kishte përmendur sovranitetin e Kosovës për të mos lejuar zgjedhjet serbe. Duke udhëhequr qeverinë e një shteti që i kishte veç katër vjet ekzistencë, Thaçi fillimisht kërkoi që serbët e Kosovës të votonin “jashtë vendit”, duke i dërguar votat përmes postës – njësoj siç kishte kërkuar Kurti. Por kjo sitatë ishte dhe mbetet e bazuar në një analogji rrezikshëm ç'orientuese. Serbët e Kosovës atëherë, dhe fatmirësisht edhe sot përbëjnë një komunitet të madh me traditë dhe interes që të votonin në Serbi”, shkruante më tej z. Joseph.

Megjithatë, ai tregonte se pas orësh të tëra negociatash me ish-Qeverinë Thaçi II ishte arritur një zgjidhje që nuk dëmtonte sovranitetin e Kosovës dhe ulte tensionet.

Një kompromis të tillë kanë kërkuar edhe shtetet mike të Kosovës.

H A K U i Hakiut

Kjo ka acaruar z. Abazi që mori ‘hak’ për këto fjalë përkundër që nuk refuzon t’i drejtohet Josephit si “mik i tij”.

Abazi thotë që Joseph po bën “të njëjtin gabim” që disa herë me radhë.

“Fatkeqësisht po duket që miku im Edd (Joseph) ende nuk e ka kuptuar se në Kosovë ka një demokraci vendore dhe institucione të dala nga kjo votë demokratike”, thotë ndër tjerash z. Abazi, por pa sqaruar arsyet pse e mban një bindje të tillë.

Po ashtu, z. Abazi akuzon Josephin se duhet të konsultohet edhe me ata që “mund të kenë guximin intelektual dhe kurrizin politik për të përplasur argumentet”.

Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Haki Abazi, fatkeqësisht nuk jep ndonjë kundër-argument përveç që kërkon të respektohet vendimmarrja demokratike e institucioneve tona.

S T A T U S I i plotë dhe pa ndërhyrje

Për disa herë me radhë Edward P. Joseph është duke bërë gabimin e njejtë dhe po shpresoj që kjo po ndodhë në mungesë të informacionit dhe siç ndodhë zakonisht gabimet e tilla janë rezultat i furnizimit me informacion nga individët nga Kosova me hidhërim personal apo nga pozicionet ku janë përjashtuar nga sistemi nga ata që sot nuk janë më në qeverisje edhe pse të njejtit, kanë qenë shërbëtor të atij sistemi që ka lënë Kosovën në vrimë të zezë.

Dmth Edd Joseph të cilin e njof një kohë të gjatë është duke bërë gabimin shumë të madh në tentimin e tij për të zënë vend në Washington D.C sa i përket çështjeve të Ballkanit duke tentuar që ketë ta bëjë pa bërë punët e shtëpisë dhe pa e hapur rrethin e konsultimeve edhe me ata që mund të kenë guximin intelektual dhe kurrizin politik për të përplasur argumentet. Mendoj që Edd duhet mësuar nga Daniel Serwer dhe përvoja e njerëzve si profesori Serwer, që kanë histori në raportet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare sidomos vendeve në tranzicion dhe shtetndërtim.

Afganistani ka dëshmuar se ka nevojë të dilet përtej analizave të limtuara që krijohen nga raportet individuale dhe “elevator talk”. Duhet thelluar në çështjet dhe duhet poashtu respektuar vendim-marrjen e insitucioneve legjitime dhe demokratike ndryshe rezultatet janë me prolongim të tranzicionit dhe krijim mundësish për struktura të kriminalizuara dhe korrupsion.

Raporti i Muajit maj i vitit 2021 të Wilson Center, ku Edd Joseph është autor, është gabim fund e krye dhe me objektiva të paqarta poashtu artikulli në Balkan Insight të para disa ditëve lidhur për vendimin e çështjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Fatkeqësisht po duket që miku im Edd ende nuk e ka kuptuar se në Kosovë ka një demokraci vendore dhe institucione të dalura nga kjo votë demokratike. Rrjedhimisht janë përfaqësuesit e votës që përcaktojnë drejtim dhe vendimarrje strategjike ndërsa konsulenca teknike që vije në formë të “biletave biznesklasë” dhe me përfitime individuale, është pensionuar në Kosovën që ka ndryshuar.

Lajme të ngjashme