“I ri, s’e ka ditë”, “gënjeu” - analistët përplasen keq për Kurtin dhe mendimet e tij për dialogun
Kryeministri Albin Kurti, ka kohë që po e thekson urgjencën për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë. Edhe sot, pas takimit me Gabriel Escobar, i dërguar i posaçëm i SHBA-së, shefi i ekzekutivit përsëriti se është i përkushtuar në mënyrë konstruktive për një marrëveshje me Serbinë.
Konstruktivitetin, por edhe kreativitetin, Kurti e përmendi edhe në intervistën për transmetuesin publik të Gjermanisë, Deutsche Welle. Madje, aty Kurti tha se koha për arritjen e një marrëveshje është e shkurtër, më e shkurtër se “dritarja e mundësisë” së Miroslav Lajçakut, që skadonte në maj të vitit 2024.
Dialogu e marrëveshja me Serbinë, që dikur ishte prioritet i largët, tash është bërë një temë e gjithëpranishme për Kurtin.
Njohësit e politikës në vend ndryshimin e qëndrimit rreth marrëveshjes përfundimtare e konsiderojnë pozitiv, duke theksuar se qëndrimi i mehershëm i Kurtit ishte për efekte elektorale.
“Karremi”
Analisti i njohur, Imer Mushkolaj tha se me deklaratat e tanishme, Kurti e ka kuptuar rëndësinë e marrëveshjes finale me Serbinë.
Në një përgjigje për gazeten Nacionale, Mushkolaj thotë se premtimet e Kurtit për dialogun kanë qenë vetëm karrem për vota.
“"Ka qenë i ri, nuk e ka ditë", do të thoshte dikush me ironi. Sidoqoftë, Albin Kurti e ka kuptuar se sa me shpejt që arrihet marrëveshja me Serbine, aq me mirë për vendin dhe qytetarët. Kjo nuk nënkupton se duhet nenshkruar çfarëdo marrëveshje, por Kurti tash e ka rastin dhe fuqinë politike që të dëshmojë në praktikë se do të nënshkruajë marrëveshje jo të dëmshme me Serbinë. Duket se ai është i gatshëm të bashkëpunojë me BE dhe SHBA për të arritur ujdinë, ndërkaq deklaratat e tij të mëhershme rreth dialogut po del të kenë qenë veç karrem për vota, ngase ai dhe qeveria e tij tashmë kanë përligjur marrëveshje që dikur i konsideronte të rrezikshme dhe të papranueshme”, tha Mushkolaj.
Ndërsa, politikologu Shkodran Ramadani thotë se dialogu e ka shpërfytyruar komplet Kurtin.
Ramadani tha për gazeten Nacionale se shefi i ekzekutivit nga kundërshtar i egër i negociatavë është kthyer në garantuesin e dialogut.
“Tregon shpërfytyrimin e plotë të Kurtit: nga një kundërshtar i egër i negociatave, këtij formati të dialogut dhe marrëveshjeve të tij, në garantuesin e tyre kryesor dhe promotorin më të zellshëm të marrëveshjes. Një ngritje politike mbi gënjeshtra, mashtrime dhe dhunë”, tha Ramadani.
Tutje, Ramadani tha se kryeministri i ka ndryshuar prioritetet pasi ka dështuar në zhvillimin ekonomik dhe në drejtësi, duke theksuar se këtu është edhe burimi i fokusimit të Kurtit për dialogun.
“E sa i përket prioriteteve, poashtu ka qenë gënjeshtër. Ai mund ta ketë dialogun prioritet të nëntë e të dhjetë, por dialogu e ka Kurtin prioritet të parë. Ai është Kryeministër me 51% të votave dhe është adresa kryesore ndërkombëtare. E poashtu, në ato që ai thotë se i ka “prioritete kryesore” – Drejtësi dhe Punësim - ka dështuar tërësisht. Qytetarët e Kosovës jetojnë dukshëm më keq sesa para 1 viti. Kriza ekonomike sigurisht ka ndikuar, por paaftësia e qeverisë për të menaxhuar atë e ka përkeqësuar mirëqenien. Prandaj tash pas dështimit në politika të zhvillimit ekonomik, mundohet të fokusohet ne dialog, ku e di që ndërkombëtarët janë të fokusuar më shumë e ku opozita është edhe më konstruktive sesa në tema tjera”, përfundoi ai.
Por, ndryshe mendon analisti Gazmir Raci. Ai thotë se meqë Kurti është pjesë e dialogut, e rëndësishme është arritja e një marrëveshje finale.
“Kryeministri Kurti tashmë është pjesë e dialout te Brukselit për arritjën e marrëveshjes finale. Sa me shpejt që arrihet të ajo marrëveshje do jetë mirë jo vetëm për Kosovën por edhe për paqën dhe stabilitetim e Ballkanit. Bashkëpunimi rajonal, ruajtja e paqës dhe promovimi i fqinjësisë se mirë janë parakushte edhe për anëtarësim në BE. SHBA dhe vendet kryesore të BE-së, Gjermania dhe Franca tashmë janë sëbashku në këtë rrugëtim drejt finales. Poashtu edhe roli britanik është shumë i rëndësishëm”, tha Raci.
Më tej, Raci thotë se Kurti e ka pozicionuar mirë Kosovën në kuadër të dialogut me Serbinë.
“Kryeministri Kurti deri tani e ka pozicionuar Kosovën përfekt në kuadër të dialogut duke ruajtur vijat e kuqe por e ka instaluar edhe reciprocitetin si veprim që garanton seriozitet në zbatim të obligimeve ndërkombetare por edhe Kosovën e bën serioze në vendimet e saja. Për herë të parë Serbia nuk bëri zgjedhje apo referendume në territorin e Kosovës sa herë ajo kishte deshirë”, përfundoi ai.
Në lidhje me arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e mardhënievë mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë ditës se sotme në Kosovë ka qëndruar i ngarkuari amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar, një javë pas vizitës së të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak.
