I mbushi 47 dhe ia futi vrap: Mimoza Kusari qe 20 vjet në politikë - 'magjepsi' Albinin por dikush po e ndjekë - NACIONALE

I mbushi 47 dhe ia futi vrap: Mimoza Kusari qe 20 vjet në politikë - 'magjepsi' Albinin por dikush po e ndjekë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, po feston sot ditëlindjen e saj të 47. Ajo bëri publik këtë fakt me anë të një fotografie ku shfaqet duke vrapuar. Megjithëse asnjëherë në karrierë nuk ka qenë më e popullarizuar, dhe duket se ka 'magjepsur' edhe mocanikun e saj Albin Kurtin - dikush megjithatë i është vënë pas. Me kë bashkëpunoi Kusari gjatë karrierës, kush po e ndjek dhe cila është situata e politikanes kosovare në këtë moment?

“Duke hyrë në 47-sh me vrap” - shkroi znj. Kusari që në mënyrë të papritur është bërë një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit Albin Kurti.

Në këtë shkrim, që i kushtohet znj. Kusari Lila, nuk do të merremi specifikisht me ‘ndjekësit’ e saj.

Kryetarja e Alternativës u kritikua së fundi nga kolegu i saj deputet nga Vetëvendosje, Haki Abazi. Ky i fundit nuk mund ta kuptonte se si në grupin e deputetëve të partisë më të madhe në Kosovë e drejtonte një anëtare e një partie tjetër.

Megjithëse është e vërtetë se Kusari nuk është anëtare e Vetëvendosjes, është po ashtu e vërtetë se ajo është shndërruar mes njerëzve më të besueshëm dhe më të afërt të kryeministrit Kurti. Abazi ishte në Qeverinë Kurti I, por nuk është më.

47 vjeçarja nga Gjakova ka një karrierë të gjatë politike, dhe vitin tjetër shënon 20 vjetorin e hyrjes së saj në politikë.

20 vjet në politikë

Sa herë të thuhet “20 vjet shkatërrim”, Kusari Lilën mund ta kapin mornicat pasi ajo ishte aktive në politikë për 20 vjet.

Kusari Lila ka qenë bashkëpunëtore e gati secilës prej partive politike kosovare. Ka qenë anëtare e AKR-së, ka qenë anëtare e Grupit Parlamentar të LDK-së, ka bashkëpunuar me PDK-në, është kryetare e Alternativës dhe tash është një ndër njerëzit kryesorë të Vetëvendosjes.

Gjithçka nisi në vitin 2003 kur mori pozitën e zëdhënëses dhe këshilltares politike në kabinetin e atëbotë kryeministrit Bajram Rexhepi, që ishte pjesë e PDK-së.

Ajo u bë zëri i Qeverisë së Kosovës për më shumë se një vit në një kohë kur Kosova u përball edhe me trazirat vdekjeprurëse të marsit 2004.

Në fund të 2004-s, ajo njoftoi largimin nga politika për shkak të martesës dhe lindjes së djalit të parë. Por, kështu nuk ndodhi.

Kusari ka qenë po ashtu Zëvendës-Kryeministre dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë Thaçi II për tri vjet (2011-2013).

“Thaçi e ka një karakteristikë, që me bashkëpunëtorët sillet në mënyrë të kulturume dhe unë personalisht nuk kom pasë ndonjë përvojë të keqe me të. Do të njihet për rolin e tij në UÇK dhe natyrisht për angazhimin në shpalljen e vendit të pavarur. Dihet dhe do të mësohet se kush e ka lexu deklaratën e pavarësisë,” thoshte znj. Kusari duke nxjerrë kujtimet e bashkëpunimit të saj me ish kryeministrin Thaçi.

Ndërkohë, fjalët për kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurtin nuk ishin aspak të këndshme.

“Kurti është surrealist. Për disa procese e disa gjana që nuk lidhen krejtësisht me realitetin. Definitivisht nuk pajtohem me disa prej metodave që aplikon subjekti i tij. Konsideroj që z. Kurti ka shku pak larg me qasjen e tij ndaj bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.”

Përveç këtyre pozitave të larta shtetërore, Kusari ka qenë edhe kryetare e Gjakovës për një mandat të plotë – duke qenë gruaja e parë kryetare e një komune në Kosovë.

Ajo mori pozitën e ushtrueses së detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes pas arrestimit nga Specialja të Rexhep Selimit. Kusari është akuzuar nga Haki Abazi se favorizon disa deputetë të caktuar të Vetëvendosjes që çojnë përpara “linjën e saj”, ndërkohë është akuzuar edhe nga Jahja Kokaj se nuk po e lejon të flas sa po kërkon.

Kusari megjithatë është treguar e paaftë që të mbajë rregull në grupin parlamentar që drejton në seancën e marsit kur pritej të votohej Projekt-Kodi Civil, me shumë deputetë të Vetëvendosjes që kishin shprehur qëndrime të papranueshme homofobike.

Por, vetë Kurti dhe partia e tij duken shumë të kënaqur me punën e bërë nga Kusari. Në festën e ditëlindjes së partisë së vogël të znj. Kusari, kishin shkuar shumë personalitete të larta të partisë së z. Kurti, përfshirë edhe kryekuvendarin Glauk Konjufca, ministrat Liburn Aliu, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, etj.

Alternativa ishte një projekt politik i nisur prej znj. Kusari Lila dhe ish politikanit Ilir Deda. Megjithatë, ky i fundit më pas ishte larguar duke e lënë Kusarin të vetme. Nuk dihet se cila është platforma politike e kësaj partie, dhe sa ndryshon nga ajo e Lëvizjes Vetëvendosje.

Marrë parasysh mospopullaritetin e partisë, karriera e znj. Kusari Lila aktualisht duket të jetë shumë e varur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Lajme të ngjashme