I kishte dy nisma, njëra i dështoi: Vuçiq ende “shpresimtar” rreth seancës “për veriun” në Këshill të Sigurimit - NACIONALE

I kishte dy nisma, njëra i dështoi: Vuçiq ende “shpresimtar” rreth seancës “për veriun” në Këshill të Sigurimit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në stilin e tij të kahershëm të paraqitjes në media me fytyrë të mërzitur dhe të lodhur, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para mëse një muaji pati njoftuar se “për shkak se serbët (e Kosovës) janë mbështetur për muri” do të kërkojë seancë emergjente në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku, siç pretendonte ai, do të ngriste çështjen e “spastrimin të heshtur etnik të nisur (Kryeministri i Kosovës Albin) Kurti”.

Kësaj kërkese për seancë speciale, ai do t’ia paraprinte një kërkese tjetër për takim me Sekretarin Gjeneral të NATO’s, Jens Stoltenberg, të cilit do t’ia kumtonte “gjendjen e rëndë të sigurisë së serbëve” në Kosovë. Ky takim i shkoi keq.

Stoltenberg-u do t’ia kthente fytyrës pretendimet Vuçiqit, ku ia tregoi statistikat e lëndimeve të forcës paqeruajtëse të NATO’s në Kosovë nga elemente radikale dhe të dhunshme në veri.

Mirë të takohem me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar dhunën e kohëve të fundit në veri të Kosovës, që la 93 trupa të NATO-s të lënduar. NATO ka dërguar trupa shtesë dhe e zbaton mandatin e saj të OKB-së paanshëm. Prishtina dhe Beogradi duhet të parandalojnë eskalimin dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, pati shkruar Jens Stoltnberg.

Sekretari Gjerneral i NATO-s krejt theksin e tij e vendosi në dhunën barbare ndaj KFOR-it, ku madje hiç më larg se kohëve të fundit, një ushtarit hungarez të KFOR-it, iu amputua edhe këmba nga plagët e rënda që kishte marrë në Zveçan më 29 maj.

Vuçiq shprehej se nëse këto dy inicativa – takimi me Stoltenberg-un dhe seanca emergjente në KS të OKB-së – nuk funksionojnë, atëherë Beogradi mund të nis “aktivitete të vështira”, për çka nuk jepte më shumë detaje.

E para i dështoi, tash qëndron ende në të dytën.

Hiç më larg se dje, Aleksandar Vuçiq u shpreh se po presin “moment të përshtatshëm” për thirrjen e kësaj seance emergjente, seancë kjo që ka gjetur gjer më tash mbështetje vetëm nga Federata Ruse.

"Ne zgjedhim momentin. Nuk mund t’i them të gjitha. Duhet të shikoni se kush kryeson me Këshillin e Sigurimit dhe disa gjëra të tjera dhe pastaj të nxirrni përfundime", tha Vuçiq të enjten.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit gusht mban presidencën e KS OKB-së, ndërsa në shtator e mban Shqipëria. Vetëm në tetor dhe nëntor, Brazili dhe Kina do ta kryesojnë, shtete këto gjerësisht mbështetje ndaj Serbisë në raport me Kosovën.

Lajme të ngjashme