I dyshuari serb për terrorizëm u lirua edhe nga arresti shtëpiak: Pse kjo mund ta përcaktojë ‘fatin’ tuaj? - NACIONALE

I dyshuari serb për terrorizëm u lirua edhe nga arresti shtëpiak: Pse kjo mund ta përcaktojë ‘fatin’ tuaj?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dejan Pantiq është liruar edhe nga arresti shtëpiak. Ai do të ketë tashmë liri të plotë përkundër që akuzohet për hiç më pak e as më shumë se sa sulm terrorist. Çka na thotë kjo? Dhe çka kishte ndodhur – eh, këtu hapni veshtë – kur Pantiqi ishte liruar nga burgu për herë të parë.

Së pari, le ta themi lajmin e plotë që të gjithë ju ta kuptoni mirë se për çka po bëhet fjalë dhe pse mund të ketë ndikim edhe për jetën tuaj.

Dejan Pantiqi ishte liruar nga arresti shtëpiak në shtator – e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë – pasi ishte paguar një dorëzani prej 30 mijë eurove. Që ta saktësojmë, aprovimi i kërkesës kishte ndodhur para sulmit terrorist të Banjskës.

Pantiqi akuzohej për vepër terroriste, të kryer në vjeshtën e vitit 2022. Ai fillimisht ishte mbajtur në paraburgim – çka kishte nxitur protestë nga bashkëqytetarë të tij – e më pas pas një hallakame e buje të madhe ishte liruar në arrest shtëpiak që e vuajti deri në shtator. Pra, akuzohej për terrorizëm por rrinte në shtëpinë e tij.

Këtë gjë e kishte protestuar në atë kohë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti. “Kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgosh në arrest shtëpiak, e unë jam kurreshtar ta marrë vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërksë dhe ai gjykatës i procedurës paraprake që e kanë marrë këtë vendim,”

Xhelal Sveçla kishte treguar se Pantiqi dyshohej se e kishte organizuar sulmin terrorist në zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor.

Më pas, nëse e mbani mend, pasoi një farë linçimi ndaj prokurorit e ndaj gjykatësit. Por, nuk zgjati më shumë se një ditë. U shua ai farë linçimi në mënyrë shumë misterioze. Hajt, a iu kujtohet kush ishte gjyqtari e prokurori? Jo, sepse VV-ja ashtu si e nisi edhe e ndali sulmin e linçimin ndaj tyre. Ishin ditët e fundit të vitit. Por, po niste diçka e madhe me atë lirim të Pantiqit. Po vinin do njerëz të rëndësishëm.

Pas këtij lirimi nga paraburgimi – që u përshëndet me përzemërsi nga Perëndimi – erdhi pesëshja e emisarëve. Dhe, kjo pesëshe pati mesazhet e saj. Më pas, siç e dimë, u arrit marrëveshja e Brukselit më 27 shkurt dhe ajo e Ohrit më 18 mars.

Tash, kur i dyshuari për terrorizëm Dejan Pantiq u lirua edhe nga arresti shtëpiak, përsëri po vjen pesëshja e madhe e emisarëve perëndimorë. Përsëri është periudhë pas tensionesh. Përsëri është periudhë pas terrorizmit. Dhe përsëri, është periudhë kur pritet të vijë një zgjidhje si ajo që na erdhi në muajin janar.

Natyrisht, Pantiqi s’është më shumë se sa një ish-polic që akuzohet për veprën e terrorizmit. S’është ndonjë farë politikani. S’është kurrkushi hiç. Por, megjithatë emri i tij dhe lehtësimet që i janë bërë duken të jenë në vijë me atë që po ndodh në dialog.

Mos të harrojmë, më 24 shtator Lista Serbe i zgjedh organet e reja të partisë. Është paralajmëruar që kryetar do të jetë një njeri jashtë politikës. A mund të jetë Dejan Pantiqi ky person? Fundja, çfarë dallimi do të kishte prej nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radojiçiqit që e pranoi se e bëri agresionin terrorist në Banjskë?

A do të përcaktohet ‘fati’ juaj nga kjo gjë? Po. Ai përcaktohet bash çdo ditë. Dhe do të përcaktohet edhe më shumë sidomos në vikend kur të vijnë pesë emisarët perëndimorë, e ku janë edhe dy hartuesit e Propozimit Franko-Gjerman.

Lajme të ngjashme