“Humbje jetësh; agresion nga Serbia”: Deklaratat shqetësuese të Kurtit dhe Sveçlës pas sulmit me granatë në veri - NACIONALE

“Humbje jetësh; agresion nga Serbia”: Deklaratat shqetësuese të Kurtit dhe Sveçlës pas sulmit me granatë në veri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbrëmë është hedhur një mjet shpërthyes, që dyshohet të ketë qenë grantë dore, në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut. Ky sulm u cilësua si terrorist nga Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme. E deklaratat e kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit Xhelal Sveçla janë jashtëzakonisht alarmuese dhe shqetësuese. Përderisa Kurti foli për “humbjen e jetëve”, Sveçla përmendi agresionin e mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Çka thanë Kurti e Sveçla?

Fillimisht për sulmin në veri, pra hedhjen e granatës së dorës, informoi Policia e Kosovës, duke treguar se është hapur rasti për kryerjen e “veprës terroriste”.

“Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë Veri, afër hyrjes së objektit, është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granatë dore, me ç’rast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare. Fatmirësisht nuk raportohet për lëndime në njerëz, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare të policisë. Në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti "kryerja e veprës terroriste".” – thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në lidhje me këtë temë, ka reaguar edhe Kurti, i cili shkroi në Twitter se “fatmirësisht askush s’është lënduar, por fare lehtë mund të kishte pasur.” Por fjalia pasuese e cicërimës së kryeministrit Kurti është pjesa ku duhet të vihet theksi. Në fjalinë pasuese, që është edhe e funidt, Kurti i bëri thirrje Serbisë të ndalojë nxitjen e dhunës para se të humbin jetë njerëzish.

“I bëj thirrje Serbisë që menjëherë të ndërpresë nxitjet për dhunë para se të humbasin jetë.” – ishte fjalia e shkruar nga Kurti.

Pra në fjalinë e cituar më lartë, Kurti flet për mundësinë e viktimave, të humbjes së jetëve të njerëzve si pasojë e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas Kurtit, nxitja e dhunës nga ana e Serbisë mund të shkaktojë viktima.

E për Serbinë foli edhe ministri Sveçla. Në një intervistë për “Euroneës Albania”, ai theksoi se Kosova është e rrezikuar nga një agresion i mundshëm nga ana e Serbisë. Duke folur për agresionin e mundshëm nga Serbia, Sveçla vlerësoi se institucionet kosovare kanë parë ngritjen e gatishmërisë së ushtrisë dhe policisë serbe në kufi me Kosovën.

“Kosova është subjekt i sulmeve, sulmeve hibride të ndryshme, mund të themi se ka një dozë rreziku nga agresioni nga Serbia në mënyrë të drejtpërdrejtë ne kemi parë mobilizim dhe ngritje të gatishmërisë së ushtrisë dhe policisë serbe në kufij me Kosovën, duke i njohur liderët autokratë që momentalisht i ka Serbia çdo gjë është e pritshme, patjetër që neve kjo na bënë të brengosemi, por assesi të frikësohemi, kjo siç duket është breng edhe e aleatëve tanë” – theksoi ministri Sveçla, transmeton Albanian Post.

Ndërsa në një shkrim në faqen e tij në Facebook, Sveçla shkroi se “Me granata të prodhimit serb, kriminelët e Vuçiqit sulmuan institucionet shtetërore të Kosovës”. Tutje, ai kërkoi që të shtrohet më shumë presion ndaj Serbisë.

“Serbisë t’i shtohet presioni në mënyrë që ajo të mos jetë element destabilizues jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj vendeve fqinje në rajon. Këto sulme terroriste duhet të përballen me reagimin e ashpër të komunitetit ndërkombëtar.” – shkroi Sveçla.

Ndryshe situata në veri vazhdon të mbetet e tensionuar, ndërsa sot serbët në Graçanicë e kanë publikuar një deklaratë të quajtur “Deklarata e Vidovdanit”, teksa nesër shënohet përvjetori i Betejës së Kosovës (1389), një nga mitet më të rëndësishme të kombit serb.

Lajme të ngjashme