Hulumtimi i Nacionales: Pa paralajmërim nis ndërrimi i njehsorëve të energjisë, kërkohet ndërhyrja e Prokurorisë - NACIONALE

Hulumtimi i Nacionales: Pa paralajmërim nis ndërrimi i njehsorëve të energjisë, kërkohet ndërhyrja e Prokurorisë

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Ekipet e KEDS-it janë parë në terren në disa objekte banesore, ku ka nisur ndërrimi i njehsorëve që masin shpenzimin e energjisë elektrike. Një veprim i tillë i paparalajmëruar vjen pas hulumtimit të Nacionales, ku u panë qartë devijime, çështje për të cilën janë aktivizuar tashmë edhe Prokuroria dhe Policia.

Gjatë ditës, nëpër rrjete sociale janë publikuar disa postime ku tregohet se ka nisur ndërrimi i njehsorëve të energjisë elektrike pa paralajmëruar qytetarët.

Drejtoi i IKD, Ehat Miftaraj, publikoi një fotografi në Facebook, ku njoftoi se nga ekipi që ndodhej në terren iu tha se njehsorët janë vendosur në vitin 2010 dhe duhet të ndërrohen çdo 10 vjet.

Madje, sipas tyre, në muajin e fundit njehsori i secilës banesë nuk i ka regjistruar në mënyrë të drejtë kilovatët e shpenzuar, çka ka bërë që rryma të vijë pothuajse dyfish apo trefish më e shtrenjtë.

“Sipas ekipit, njehsorët janë vendosur në vitin 2010 dhe duhet të ndërrohen çdo 10 vjet. Sipas tyre, në muajin e fundit njehsori i secilës banesë nuk i ka regjistruar në mënyrë të drejtë kilovatët e shpenzuar, çka ka ndikuar që rryma të vijë pothuajse dyfish apo trefish më e shtrenjtë. Ndërrimi i njehsorëve është bërë pa njoftim paraprak të banorëve dhe pa asnjë informacion se pse po ndërrohen. Sikur të mos isha sot në banesë dhe të mos bisedoja me ekipet që po i ndërrojnë njehsorët, sigurisht që nuk do ta dija fare se janë ndërruar. KEDS është shtet në vete. ZRRE, qeveria dhe Kuvendi padyshim se i mbrojnë interesat financiare në dëm të qytetarit, andaj edhe sillen si kauboj” – ka thënë ai.

Po ashtu, edhe lexues të Nacionales kanë treguar se në objektet banesore ku ata banojnë, mëngjesin e së shtunës janë parë ekipe të KEDS-it.

Në anën tjetër, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka thënë se kjo është fshehje e provave dhe ka kërkuar që në këtë rast të ndërhyjë Prokuroria.

Në një shkrim në Facebook, Azemi ka thënë se kjo ngre dyshime të mëdha për fshehje të provave.

“Mos i prekni njehsorët, mos i fshihni provat! Prokuroria duhet të ndalojë menjëherë çdo intervenim të KEDS-it dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në njehsorët elektrikë derisa të përfundojë hetimi dhe të mblidhen të gjitha provat” ka shkruar ai.

Theksojmë se Prokuroria në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave në lidhje me njehsorët e KEDS-it.

Në një komunikatë për media, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë me dije se ekziston dyshimi se njehsorët nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.

“Në këtë drejtim, dyshohet se është kryer vepra penale ‘Mashtrimi’, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve të KEDS-it” – thuhet tutje në komunikatë.

Po ashtu, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka konfirmuar se, pas verifikimit, është vërtetuar se njehsorët e energjisë elektrike kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë, si dhe ka pasur devijime në datë dhe orë.

Më poshtë, gjeni raportimin e plotë të Nacionales mbi këtë situatë:

Në lidhje me këtë, ka reaguar KEDS, ku ka pretenduar se ndërrimi i njehsorëve të energjisë po bëhet sipas planit vjetor të investimeve të miratuar nga ZRRE dhe është proces i rregullt, jo veprim i lidhur me ditët e fundit.

Sipas kompanisë, zëvendësimi i njehsorëve po kryhet vazhdimisht nga ekipet dhe kontraktorët e saj, me qëllim digjitalizimin e sistemit matës. Sipas KEDS, këto ndërrime nuk kanë lidhje me pretendimet që po qarkullojnë në opinion dhe se njehsorët matin saktë konsumin, ndërsa dallimet e mundshme lidhen vetëm me datën dhe kohën e matjes.

Lajme të ngjashme