Hoxhë Krasniqi e kritikon Big Brotherin, por e huq Fan Nolin me Naim Frashërin: Ooo dreq i larëm është - NACIONALE

Hoxhë Krasniqi e kritikon Big Brotherin, por e huq Fan Nolin me Naim Frashërin: Ooo dreq i larëm është

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shefqet Krasniqi, hoxhë i njohur nga Prishtina, nuk ngurron që të flasë për shumë tema, qofshin ato fetare, politike apo kulturore dhe, natyrisht, gjuha e tij, shpesh e thjeshtëzuar, është direkte e arbitrare në cilësime e përfundime.

Pas “linçimit” të bredhit të zi, të cilin e cilësoi si “bredh i dreqit”, Krasniqi ka folur në RTI për një spektakël shumë të shikuar nga kosovarët. Imami nga Prishtina e komentoi spektaklin “Big Brother VIP Kosova”, por jo si opinionistët e këtij spektakli.

Gjuha e Krasniqit ishte diametralisht e kundërta e komenteve të opinionistëve të BBVK-së, pra të Anita Haradinajt e Bledi Manes. Në fakt, gjuha e Krasniqit ishte arbitrare dhe në të njëjtën linjë si në rastin e komentimit mbi bredhin e vitit të ri. Sërish, Krasniqi e përdori dreqin, duke e quajtur "Big Brother"-in “dreq të larëm”.

“Ooo dreq i larëm është ajo, mos ta përmendi, se për dreqën nuk ke çka flet. Kjo është kur ka thënë në ato vargje Naimi, “mjerë vatani, mjerë mileti”, mjerë atdheu, e mjerë feja, e mjerë kombi, e mjerë qeveria, e mjerë shoqëria çka i ka gjetë”– deklaroi që në hyrje hoxhë Krasniqi, transmeton Nacionale.

“Çka i vyn një motrës atdhetare, shqiptare, me këqyrë dreqën të larëm? Pse me ja bë një argat dreqit”– ishin pyetjet retorike të Krasniqit, teksa në prapavijë dëgjohej moderatorja duke qeshur me zë të ulët.

Tutje, Krasniqi deklaroi se shikimi i BBVK-së është miratim i së keqes. Videoja e hoxhë Krasniqit, që është e mbushur me cilësime negative për BBVK-në, është shikuar deri më tani mbi 100 mijë herë.

Për më tepër, imami Krasniqi bëri edhe një lëshim gjatë përgjigjes. Duke tentuar të legjitimonte përgjigjen e tij me poezi kombëtare, Krasniqi e ngatërroi Fan Nolin me Naim Frashërin, të dy figura të njohura të Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve.

Në fakt, ai e ngatërroi autorin e vargjeve ikonike, “Vaj vatani, mjerë mileti”, duke ia njohur autorësinë e këtyre vargjeve gabimisht Naim Frashërit, poetit ndoshta më romantik shqiptar. Nacionale i sjell ndër mend Krasniqit se autori i vargjeve “Vaj vatani, mjer mileti” është Fan Noli, apostulli i parë i Kishës Ortodokse Shqiptare dhe njëra nga figurat e shquara të plejadës rilindase. Këto vargje Fan Noli i shkroi në poezinë e njohur, “Anës Lumenjve”.

*Gazeta Nacionale nuk ka arritur të vërtetojë në mënyrë të pavarur nëse dreqi ka ngjyrë të larme apo jo.

Lajme të ngjashme