Hoti: Qeveria po e përdor dialogun për politika të brendshme
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për qasjen në procesin e dialog.
Ai ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë përben një moment të ri në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
“Besoj se tani është një moment i ri në proces të dialogut dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me fqiun tonë veriore. Se dyti, unë pres nga lidershipi i Kosovës që të jetë i kujdesshëm, sepse në fund të fundit ne nuk kemi opsion tjetër, përveçse dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve. Dhe e treta, shpresoj që kësaj radhe janë mbushur mend, kanë reflektu mjaftueshëm që veprimet institucioneve të shtetit duhet të ndërmerren gjithmonë në koordinim me aleatët”, është shprehur ai.
Ish-kryeministri ka shprehur drojën e tij se institucionet e Kosovës nuk po e shfrytëzojnë sa duhet këtë moment të ri në proces.
Ai ka vlerësuar se Qeveria Kurti po vazhdon ta përdor këtë proces për politika të brendshme.
“Fatkeqësisht, kjo qeveri e ka përdorur procesin e dialogut për politika të brendshme, e kanë përdorur edhe 10 vite sa kanë qenë në opozitë, duke i sharë qeveritë paraprake edhe me mjete jo demokratike dhe jo kushtetuese për të penguat procesin e dialogut, i cili natyrshëm do të çonte tek marrëveshje finale për njohje”, ka thënë Hoti.
Duke e komentuar sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri, ai e ka dënuar atë, duke e bërë përgjegjës Serbinë.
Megjithatë, ai ka kërkuar disa sqarime nga institucionet e Kosovës.
Hoti ka thënë se Qeveria duhet të tregojë se si janë futur në Kosovë dhe si kanë dalë nga vendi gjithë terroristët.