Hoti: Negocimi i statutit të Asociacionit po bëhet pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke - NACIONALE

Hoti: Negocimi i statutit të Asociacionit po bëhet pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar para takimit të kryeministrit, Albin Kurti me presidentin, Aleksandar Vuçiq, duke thënë që nuk po e kupton pse negociohet në Bruksel, ku nuk ka kurrfarë premtimi për njohje reciproke.

Hoti ka shkruar në Facebook se negocimi i statutit të Asociacionit nga Kurti është veprim i një politikani “që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin”

Sikur bisedat e sotme në Bruksel lidhur me asociacionin të ishin pjesë e “Marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ndoshta do i kisha kuptuar dhe arsyetuar qeveritarët aktual.

Por, pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke, e me gjithë atë dhunë që kreu aktual i qeverisë ka përdorur për të kundërshtuar asociacionin, negocimi i statutit të asociacionit që ndodh sot në Bruksel është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin.” – ka shkruar Hoti.

Më tej, ai është shprehur skeptik nëse mund të arrihet diçka më e mirë se ajo që parashihet në marrëveshjen e vitit 2015.

Pavarësisht kësaj, dyshoj se ka mundësi të arrihet diçka më e mirë se ajo që parashihet në marrëveshjen e vitit 2015, ku thuhet në mënyrë eksplicite se statuti i asociacionit duhet të marrë pajtimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës para se të miratohet nga Qeveria.” – përfundon shkrimi i Hotit.

Ndryshe Kurti dhe Vuçiq pritet të takohen sot në Bruksel në kuadër të dialogut. Prezantimi i statutit të Asociacionit dhe deklarata për të pagjeturit, janë dy çështjet kryesore që do të diskutohen.

Lajme të ngjashme