Hoti: Le t'i tregojë dikush ministrit se rritja e importit të produkteve bujqësore tregon që prodhimi vendor ka rënë
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se rritja enorme e importit të produkteve bujqësore gjatë vitit të kaluar, tregon se prodhimi vendor ka rënë.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se qysh nga fundi i vitit 2021 e ka theksuar disa herë, se nëse nuk rritet menjëherë mbështetja për bujqit, rritja e konsiderueshme e çmimit të inputeve bujqësore do të dëmtojë prodhimin vendor.
“Ministri i Bujqësisë, në vend se të sqaroj se çfarë po bën për të zbutur krizën për bujqit, kishte shkruar një pamflet me plot tallje e cinizëm. Faktet tregojnë se efektet e punës së tij janë zero”, ka shkruar Hoti.
Hoti tutje ka thënë se bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës për vitin 2022, krahasuar me vitin 2021 shihet rritje e importit të produkteve bujqësore.
“Importi i llojeve të ndryshme të grurit është rritur me 63% (2021 – 22.7 mil euro, 2022 – 36.9 mil euro). Importi i llojeve të ndryshme të mishit është rritur me 51% (2021 – 82.5 mil euro, 2022 – 124.5 mil euro). Importi i gjedheve për therje është rritur me 42% (2021 – 45.2 mil euro, 2022 – 64.2 mil euro). Importi i qumështit dhe produkteve të qumështit është rritur me 32% (2021 – 56.8 mil euro, 2022 – 75.2 mil euro)”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.
Tutje, Hoti ka theksuar se kjo rritje është tepër e madhe pavarësisht rritjes së inflacionit.
Sipas tij, nuk ka gjasa që në Kosovë më 2022 të jetë rritur kaq shumë konsumi i qumështit, grurit apo mishit.
“Kështu që, këto shifra tregojnë se ka rënë prodhimi vendor, dhe se konsumi është plotësuar nga rritja e importit. Le t’ia sqaroj dikush Ministrit të nderuar këto të dhëna. Në ditët e ardhshme do të publikohen edhe të dhëna të tjera për të demaskuar mashtrimin dhe dështimin e kësaj qeverisje”, përfundon statusi i tij.
