‘Hitlerët’ shqiptarë që kërkojnë përmbysjen e sistemit: Intervistë me grupin e errët fashist - NACIONALE

‘Hitlerët’ shqiptarë që kërkojnë përmbysjen e sistemit: Intervistë me grupin e errët fashist

1 muaj më parë

nga Festim Gërguri

Çmenduria e një piktori gjerman që aplikoi ideologjinë fashiste, rezultoi me vrasjen e 6 milionë njerëzve veç sepse kishin gjak hebre. Ky piktor shkroi një libër nga burgu, ku përzierjen e racave quante helmim të gjakut. Libri quhet “Mein Kampf”, ndërsa autor është Adolf Hitler. Të njëjtat fjalë sot i thotë edhe një adolf i vogël që ka ngritur krye në Shqipëri.

Përzierja e gjakut dhe rënia pasuese në nivelin racor është arsyeja e vetme e vdekjes se kulturave të vjetra”, “Historia na tregon me qartësi tmerruese se si çdo përzierje e gjakut arian me atë të popujve më të ulët rezulton me fundin e popujve të kulturuar. Të gjitha kulturat e mëdha të së kaluarës shuhen vetëm sepse raca origjinale kreative vdes nga helmimi gjakut– shkruante Hitleri në librin e tij.

“Neve nuk duam që raca Shqiptare te zhbëhet duke u përzier me raca të tjera. Pra jemi kundër çdo lloj injektimi racor, etnik, politik, në palcën Shqiptare” – thotë Brerore për Nacionale, pak a shumë si Hitleri më sipër.

Emri i adolfit tonë nuk dihet ama organizata e tij fashiste e quajtur “Brerore” (shqip: Kurorë e ndritshme), me ‘Goebbelsët’ e ‘Himlerët’ në krah, është temë diskutimi në rrjete sociale. Me llogari shumë aktive në Twitter, kanal në Telegram, fanpage në Facebook dhe portal në internet, SS-at e tyre po rriten, e bashkë me ta edhe shqetësimi në shoqëri.

Nacionale ka kontaktuar Breroren për të pyetur se cili është qëllimi i kësaj organizate që proklamon fashizmin.

Nacionale: A konsideroni se qëllimet e juaja arrihen duke aplikuar fashizmin në shoqëri?

Brerore: Varet. Shqipëria kurrë nuk ka zbatuar ndonjë doktrinë politike burimore, as nuk ka konceptuar ndonjëherë kësilloji. Me e mira e të mirave është një doktrinë burimore që i përshtatet frymës Shqiptare.

Nacionale: Ideologjia juaj ka karakter nacionalist, por për të na e sqaruar më mirë, a ka lidhje me nazi-fashizmin?

Brerore: Cilësimi nazi-fashizem nuk ka kuptim, por gjithsesi. Ideologjia jonë është moderniste, anti-liberale dhe anti-komuniste.

Nacionale: A konsideroni se ideologjia juaj promovon dhunë dhe racizëm?

Brerore: Çdo ideologji promovon dhunë, qoftë të drejtpërdrejtë apo simbolike, përderisa ndodhet në luftë me ideologji të tjera, dhe përderisa në botë nuk mbizotëron një ideologji e vetme e cila në teori do ta shuante nevojën për konflikt. Neve nuk duam që raca Shqiptare te zhbëhet duke u përzier me raca të tjera. Pra jemi kundër çdo lloj injektimi racor, etnik, politik, në palcën Shqiptare.

Nacionale: Pse nuk dilni publikisht, me emër dhe mbiemër? A është plani qe së shpejti të ndodhe kjo dhe të dimë kush jeni?

Brerore: Deri me tani nuk kemi dalë me emër dhe mbiemër pasi mendojmë që fjala e thëne dhe e shkruar në troje bëhet pis nga personi pas fjalës, në orvatjet e tij apo të saj, për të bërë karrierë. Dhe meqë fjala, sidomos në Shqipëri, e humbet kuptimin kur shkruhet apo thuhet, nga që veprat e personit/personave bien ndesh me to, kemi parapëlqyer të mbetemi vetëm tek fjala.

Aktiviteti teorik dhe praktik i organizatës fashiste “Brerore”

Organizimi i Space-ve në Twitter për çdo ditë është veç një nga pasionet e Brerores. Derisa në faqen e tyre në internet gjejmë 8 libra të botuar në shqip, ku kontribut në përkthim dhe përmbledhje kanë dhënë emrat Juxhin Halo dhe Eugen Lilo. I pari emër fals që publikon shkrime për Breroren në Facebook, ndërsa i dyti del të jetë një djalë i ri nga Pogradeci që në profilin e tij në Facebook ka të shpërndarë librin “Doktrina e Fashizmit”.

Ekziston edhe një emër i tretë, Enea Kujtim Gjonaj, i cili sipas të dhënave në Facebook ka studiuar drejtësi në Tiranë dhe është siguruar t’i shpërndajë dy libra të Brerores.

Nuk dihet nëse njëri nga të përmendurit më sipër në të vërtetë është personi që shpërndanë ideologjinë e tij fashiste në rrjete sociale. Ama dihet se edhe jashtë rrjeteve sociale Brerore është goxha aktiv.

Të siguruar se fytyrat e tyre nuk shihen, katër persona me flamurin e organizatës janë fotografuar edhe në Prishtinë para shtatores së Skënderbeut.

Si Hitleri me hebrenjtë, njëjtë edhe Brerore beson se të gjithë serbët duhet të vriten. Organizata tashmë ka ngjitur letra nëpër mure ku bëhet thirrje kundër nacionalitetit serb.

Gjuha e urrejtjes dhe mosdurimit, janë të sanksionuara me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.

Në shumë vende të Evropës, ka një rilindje të grupeve neo-fashiste e neo-naziste viteve të fundit. Ky trend duket se ka filluar të gjejë zbatim edhe në Shqipëri.

Lajme të ngjashme