"Historian i mëhallës; s'ka suksese për të ndarë": Pse Kurti shkruan kaq shumë statuse përkujtimore? - NACIONALE

"Historian i mëhallës; s'ka suksese për të ndarë": Pse Kurti shkruan kaq shumë statuse përkujtimore?

2 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka një dëshirë interesante – dikush do të mund ta cilësonte të çuditshme – që i shfaqet, dorën në zemër, goxha shpesh. Në mënyrë disi solemne, Kurti shkruan përkujtime të ndryshme për figura që më nuk gjallojnë apo për data e ngjarje të rëndësishme historike. Një pyetje krejt legjitime mund të shtrohet: pse ndodh kjo?

Së fundi, Kurti çuditi me mënyrën e përkujtimit të Ismail Kadaresë, shkrimtari më i madh shqiptar, i cili ndërroi jetë tri ditë më parë. Në pikëpamjen e Imer Topanicës, gazetar e shkrimtar, Kurti duket si një kryeshërbyes që punon në një kufomore.

“Është më se e vërtetë, i pari i Qeverisë, herë-herë ngjan me një kryeshërbyes që punon në një kufomore, e që për detyrë parësore e ka njoftimin e miletit për fluturimin e ndonjë shpirti të tokësorit në botën tjetër; e herëve të tjera, në një gazetar në prag të pensionit, të cilin redaksia nuk e flak dot jashtë, por ia ngarkon detyrën e një nekrologu, sa për ta angazhuar në diçka. Jo vetëm kaq, ai është sprovuar edhe në zanatin e “historianit” të mëhallës, duke i mbushur muret e llogarive në rrjetet sociale me reflektime mbi ngjarje të rëndësishme historike, ku i shpërfaqet gati qartë edhe një tis ideologjik...”” – ka thënë Topanica për Nacionalen.

Në analizën e tij, Topanica ka vlerësuar se këto shkrime janë shenja të një kumti.

“Me gjasë, në mungesë të këtyre sukseseve në diplomaci, në zhvillimin e infrastrukturës, në luftën kundër korrupsionit, e sidomos në zhvillimin ekonomik, duhet t’ua mbajë me diçka qytetarëve vëmendjen e mbërthyer. Bëhet që ka disa arsye se pse muret e faqeve të tij janë skajshëm të mbushura me tekste të kësaj natyre: këshilltarët e shumtë që i paguan, duhet t’i angazhojë në diçka; ose, siç e thashë më sipër - nuk ka shumë suksese për t’i ndarë me opinionin publik; ose, ai e vlerëson tej mase popullizmin, në kuptimin e metodologjisë politike” – ka shtuar Topanica.

Ndërsa në sytë e gazetarit tjetër, Shkodran Hoti, Kurti përfshihet në këtë ndërmarrje për ta shquar veten si politikani më i formësuar intelektualisht i skenës politike kosovare. Në interpretimin e Hotit, kjo përpjekje e Kurtit shpesh “e çon në sforcim”.

“Kjo mendoj që, me apo pa qëllim, shpesh e çon në sforcim, prandaj e shohim me reagime për data të shumta, qoftë historike, ditëlindje a përvjetore, e që në perspektivën time jo të gjitha do të duhej të ishin preokupim i një kryeministri, qeverisja e të cilit është e ngulfatur me sfida e probleme të tejzgjatura. Për më tepër, Kurti disa herë publikisht ka thënë se nuk i pëlqejnë simbolikat dhe nuk është njeri i simbolikave, veçmas kur pyetej pse nuk e vizitonte varrin e presidentit Rugova” – ka thënë Hoti.

Gazetari Hoti i ka treguar edhe arsyet se pse mendon që Kurti i shkruan këto reagime.

“Reagimet e këtilla, siç i shoh unë, më shumë se përkujtim për një datë a vlerësim për një personalitet, janë tendencë për ta "magjepsur" popullin në disa forma. Në një mënyrë, për t'u veçuar si i vetmi politikan që "nuk i harron figurat kombëtare" apo "i vetmi që i di krejt zhvillimet e rëndëshme historike". E, në anën tjetër, për ta krijuar perceptimin e të gjithëditurit, me dijet enciklopedike që i shpërfaq, gjë që është e lehtë të bëhet përballë atyre që i ka target.

Kjo e zbret deri në nivelin sa nuk heziton që edhe në ndonjë takim me pensionistë në ndonjë odë të Malishevës apo Deçanit, t'u flasë atyre për Ernest Gellnerin si për ndonjë bashkëfshatar të tyre, duke ia "kontekstualiziar" teoritë e tij me sfidat e nevojat e përditshme që kanë ata” – ka përfunduar Hoti.

Sjellim ndër mend që disa vjet më parë, Kurti ishte vendosur në qendër të kritikave pas një shkrimi gati absurd për vdekjen e nënës së tenorit Ramë Lahaj. Duke e kopjuar hyrjen e romanit “I huaji” të Albert Kamysë, Kurti kishte shkruar ““Nëna vdiq sot”, kështu e mbylli koncertin mbrëmë Ramë Lahaj, njësoj siç e fillon Albert Kamy romanin e tij të famshëm “I huaji””.

Lajme të ngjashme