“Histori suksesi”: Kurti e Gërvalla ndërrojnë interpretimet, lavdërojnë progresin e Kosovës në 25 vitet e çlirimit
Albin Kurti dhe Donika Gërvalla, përveç se janë bashkë në qeveri, duket se bashkë e kanë ndryshuar edhe interpretimin për progresin e Kosovës në 25-vitet e çlirimit. Dikur të dy kanë qenë shumë kritikë për zhvillimet e pasluftës, ndërsa tash Kurti e Gërvalla kanë fjalë të mira për prosperitetin e Kosovës që nga viti 199.
Kurti e Gërvalla kanë përdorur terme superlative për të përshkruar historinë e zhvillimit të Kosovës nga çlirimi prej Serbisë në vitin 1999. Krejt periudhën nga 1999, Kurti e quajti “prosperitet enorm”, ndërsa Gërvalla e quajti Kosovën si “histori suksesi e jashtëzakonshme”.
Le të fillojmë nga Gërvalla, e cila sot foli relativisht gjatë në një intervistë në Kosovapress. E pyetur nga gazetari se ku qëndron Kosova në 25-vjetorin e çlirimit të saj, Gërvalla kishte fjalë të mëdha për të arriturat e Kosovës gjatë një çerek shekulli. Madje, Gërvalla përdori një togfjalësh tepër lavdërues, duke theksuar se Kosova është “histori suksesi e jashtëzakonshme”.
“Kosova 25 vjet pas çlirimit është shtet i qytetarëve të saj, është ai shtet në të cilin të gjithë qytetarët e saj mund të realizojnë aspiratat e tyre për mirëqenie dhe prosperitet. Kosova është shtet demokratik, shtet ligjor, shtet si histori suksesi e jashtëzakonshme e qytetarëve të saj, por edhe e gjithë bashkësisë ndërkombëtare, e cila na doli në krah në momentet më të rëndësishme” – tha Gërvalla gjatë intervistës, duke harruar deklaratat e të së kaluarës, ku ajo kishte pasur kritika rreth qeverisjes në Kosovës.
Dy-tri ditë më parë, pak a shumë njëjtë veproi edhe shefi i saj në Qeveri të Kosovës. Duke folur rreth përvjetorit të njëzet e pestë të çlirimit, Kurti kishte fjalë të mëdha për zhvillimin e Kosovës, një gjë të cilën dikur e mohonte.
Sipas Kurtit, ndërkombëtarët që po vinë për ta shënuar çlirimin e Kosovës, “nuk po mund ta njohin vendin tonë”. Njëjtë sikurse Gërvalla, edhe Kurti përdori disa terme superlative për të përshkruar prosperitetin e Kosovës në 25 vitet e fundit. Zhvillimin e Kosovës gjatë 25 viteve të çlirimit, Kurti i cilësoi si gjigante dhe enorme.
“Të gjithë ata të huaj të cilët po vinë këto ditë për të shënuar bashkë me neve çlirimin e Kosovës, përkatësisht 25 vjetorin, nëse nuk kanë ardhur më herët nuk po mund ta njohin më vendin tonë. Sepse ndryshimet janë gjigande, përparimi është enorm në çdo aspekt. Kjo na bën njëkohësisht krenar, por edhe një çik të pikëlluar, një cikë me dhimbje, për ata të cilët nuk janë më e që paguan çmimin më të lartë për lirinë, 10 mijë civil të vrarë, 20 mijë të dhunuar gra, ende i kemi afro 1 mijë e 600 të pagjetur, dhe ajo ishte koha ku 120 mijë shtëpi të shqiptarëve ishin të djegura” – tha Kurti dy-tri ditë më parë gjatë një intervistë për një televizion në Shqipëri.
Sjellim ndër mend që sikurse Gërvalla, edhe Kurti dikur e mohonte se Kosova është një histori e suksesit. Madje, në 20 vjetorin e çlirimit, Kurti shkruante se për 20 vite populli i Kosovës kishte mbetur “nën sundimin e një dyzine mujsharësh e tajkunësh”.
“Një dekadë pas suprimimit të autonomisë, Kosova u çlirua. E, dyfish më shumë se kaq që prej çlirimit, Kosova ngelet shtet i dobët, pa drejtësi minimale e me papunësi maksimale. Edhe dy vjet nuk janë pak, kurse 20 vjet janë tejet shumë për një popull të mbetur nën sundimin e një dyzine mujsharësh e tajkunësh” - kishte shkruar Kurti më 2019.