Nga “20 vite shkatërrim”, në “25 vjet është bërë përparim i madh”: Si e ndryshoi Kurti narrativën për progresin në Kosovë?
Kryeministri Albin Kurti e ka ndryshuar edhe narrativën për progresin e Kosovës në periudhën e pasluftës. Derisa ishte në opozitë nuk njihte ndonjë progres që ishte bërë në dy dekadat e fundit, raporton gazeta Nacionale.
Vazhdimisht ai deklaronte se gjatë kësaj periudhe në Kosovë pushtetet e kaluara vetëm kanë vjedhur dhe shkatërruar vendin. Duke i përsëritur qëndrimet e tilla, Kurti kishte arritur të bindte një pjesë të elektoratet se për “20 vite nuk ishte bërë asgjë në Kosovë”.
Me ardhjen në pushtet, kryeministrit Kurti ka ndryshuar mendim edhe për këtë çështje. Duket se i pari i VV-së i ka rënë pishman për ato që ka thënë më herët. Si kryeministër i Kosovës beson se Kosova është një storie suksesi.
Tani ai është i bindur se në këto dy dekada është bërë përparim i madh.
Mbrëmë, në një intervistë për A2CNN, Kurti ka thënë se për këto 25 vite ndryshimet në Kosovë janë gjigante.
Madje, sipas tij, shumë të huaj nuk po e njohin Kosovën nga ndryshimi pozitiv.
“Të gjithë ata të huaj të cilët po vinë këto ditë për të shënuar bashkë me neve çlirimin e Kosovës, përkatësisht 25 vjetorin, nëse nuk kanë ardhur më herët nuk po mund ta njohin më vendin tonë. Sepse ndryshimet janë gjigande, përparimi është enorm në çdo aspekt. Kjo na bën njëkohësisht krenar, por edhe një çik të pikëlluar, një cikë me dhimbje, për ata të cilët nuk janë më e që paguan çmimin më të lartë për lirinë, 10 mijë civil të vrarë, 20 mijë të dhunuar gra, ende i kemi afro 1 mijë e 600 të pagjetur, dhe ajo ishte koha ku 120 mijë shtëpi të shqiptarëve ishin të djegura”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë me dije se gjatë kësaj periudhe kohore është bërë përparim i madh në Kosovë.
“Andaj, për 25 vjet padyshim që është bërë përparim i madh, veçse kemi nevojë për drejtësi, përveç se për progres, e për këtë nevojitet trysni më e madhe e faktorëve ndërkombëtare, që kriminelët që janë në pushtet në Serbi, përveçqë se sillen të lirë atje, që të përgjigjen para drejtësisë në Kosovë dhe asaj ndërkombëtare ashtu që plagët që na kanë ngelur ende të hapur 25 vite me vonë të na mbyllen”, ka thënë Kurti.
Si e mohonte Kurti progresin në Kosovë?
Krejt ndryshe shprehej Albin Kurti sa ishte në opozitë dhe në vitet e para të tij si kryeministër i Kosovës.
Ai vazhdimisht kritikonte qeveritë e kaluara se nuk kanë bërë asgjë për zhvillimin e Kosovës.
Një gjë të tillë e kishte thënë edhe më 9 qershor të vitit 2019.
Në 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, në profilin e tij në “Facebook”, ai kishte shkruar se për 20 vite Kosova kishte ngelur një shtet i dobët.
Sipas tij, për 20 vite populli i Kosovës kishte mbetur “nën sundimin e një dyzine mujsharësh e tajkunësh”.
“Një dekadë pas suprimimit të autonomisë, Kosova u çlirua. E, dyfish më shumë se kaq që prej çlirimit, Kosova ngelet shtet i dobët, pa drejtësi minimale e me papunësi maksimale. Edhe dy vjet nuk janë pak, kurse 20 vjet janë tejet shumë për një popull të mbetur nën sundimin e një dyzine mujsharësh e tajkunësh”, kishte shkruar Kurti.
Derisa mohonte progresin e pasluftës në të gjitha fushat, Kurti lavdëronte kohën kur Kosova ishte pjesë e ish-Jugosllavisë.
Në mars të vitit të kaluar, derisa shkruante për vdekjen e Nazmi Mikullovci, ish-drejtorin e “Trepçës”, Kurti kishte thënë se ato kanë qenë vite të “shkëlqyera të industrializimit të vendit”.
“Nazmi Mikullovci është përfaqësuesi i një gjenerate të jashtëzakonshme profesionistësh që projektuan dhe realizuan në masë të gjerë vetëqëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës. Kushdo e njeh atë si Drejtorin e Trepçës në vitet e shkëlqyera të industrializimit të vendit. Ndërsa shumë nga ne si orientuesin e përpiktë se si të optimalizohen mundësitë vendore në industri dhe ekonomi. Për mua ka qenë më shumë se sa një bashkëpunëtor në më shumë se sa një dekadë. Nazmi Mikullovci është mentori i dijes mbi Kosovën dhe ekonominë e saj”, kishte shkruar Kurti.
Nuk është vetëm Albin Kurti që mohonte çdo progres në periudhën e pasluftës.
Të njëjtin gjë e kanë shprehur edhe shumica e mbështetësve të tij.
Një mendim të tillë e ka edhe deputetja e VV-së, Fitore Pacolli.
Në profilin e saj në “Facebook”, në vitin 2021, ajo shkruante se për 20 vite Kosova është vjedhur.
“20 vjet e kanë vjedh dhe e kanë mjelë këtë shtet e po lypin nga Qeveria Kurti për 9 muaj me e ngrit në këmbë. Për mos me ardh në këtë ditë është dasht me punu me mish e me shpirt për këtë vend e jo me e vjedh e milionat e tyre me i mbajt offshore. Të kishte pasur shteti ynë rezerva veç sa kanë disa individ (ish pushtetarë e bashkëpuntorë të ish-pushtetarëve) pasuri ndryshe do të ishim sot. S’ka rrymë, sepse e kanë shit dhe e kanë vjedh. Po të kishim punuar mirë e mbarë për 20 vjet sot Kosova do të ishte në gjendje të furnizonte shtetet e rajonit me rrymë e jo të mbetej vet pa të. S’ka rrymë, sepse ish pushtetarët dhe bashkëpunëtorët e tyre e kanë hangër deri në palcë këtë vend”, kishte shkruar Pacolli.