Hile e një kallëzim penal: Çka ndodhi me tenderin për furnizim me gjenerator në BQK?
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) po akuzohet nga kompania “Okta Electronics Sh.p.k” për shkelje ligjore në tenderin me titull “Furnizim me gjenerator për nevojat e BQK-së” me vlerë prej 80 mijë eurove. Tenderi ishte rishpallur në muajin shkurt 2024-ës, ndërsa anulimi i tenderit ishte bërë në muajin mars të 2024-ës. Kompania ka vlerësuar se BQK-ja ka bërë shkelje ligjiore, për të cilat kanë dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj një zyrtari. Ne anën tjetër, Banka Qendrore e Kosovës është arsyetuar për anulimin e këtij tenderi. Çka ndodhi?
Banka Qendrore e Kosovës dy herë radhazi ka anuluar tenderin “Furnizim me gjenerator për nevojat e BQK-së” nën arsyetimin se ka pasur mangësi në specifikacionin teknik gjatë procesit të vlerësimit të tenderëve.
Edhe herën e parë edhe në të të dytën, kompania "Okta Electronics sh.p.k” ishte rekomanduar nga Komisioni Vlerësues për fitues të tenderit, ndonëse BQK-ja kishte anuluar tenderin pavarësisht rekomandimit dhe plotësimit të kushteve të parapara.
Mirëpo, kjo gjë është kuptuar vetëm pasi kompania në fjalë kishte bërë kërkesë në qasje në dokumentet publike. Fillimisht BQK-ja, kishte refuzuar qasjen në dokumente publike.
Kompania kishte kërkuar raportin e vlerësimit dhe dosjen e tenderit, por që qasja në raportin e vlerësimit ishte refuzuar nën arsyetimin se “nuk është në interes të publikut”. Nacionale ka siguruar këtë vendim.
Ndërkohë, pas ankesës së kompanisë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, Banka Qendore i kishte dhënë qasje kompanisë në raportin e vlerësimit të kompanive.
Sipas këtij raporti, kompania “Okta Electronics sh.p.k” i kishte plotësuar të gjitha kërkesat administrative të tenderit dhe specifikat teknike dhe ka çmimin brenda buxhetit.
Andaj duke plotësuar këto kritere, komisioni vlerësues kishte rekomanduar Okta Electronics për dhënie të tenderit.
“Duke u bazuar në komentet tona të paraqitura në raportin narrativ, se vlerësimi është bërë sipas specifika teknike që janë përgatitur nga BQK (njësia e kërkesës), specifika këto të cilat janë aprovuar nga personat përgjegjës në BQK dhe Udhëheqësi i Divizionit të Prokurimit dhe Kontraktimit. Komisioni vlerësues rekomandon për dhënie kontrate operatorin ekonomik Okta Electronics SHPK” – thuhet në vendimin të cilin e ka siguruar Nacionale.
Për këtë gjë, zyrtar të kompanisë kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj një zyrtari në BQK. Kompani dyshon se zyrtari i BQK-së ka keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë këtij tenderi.
Por për BQK-në, tenderi ishte anuluar vetëm “për shkak të disa mangësive në specifikacionin teknik të vërejtura gjatë procesit të vlerësimit të tenderëve”.
Kështu të paktën na thanë nga BQK-ja kur pyetëm për arsyet e anulimit të tenderit.
“Tenderi ishte anuluar për shkak të disa mangësive në specifikacionin teknik të vërejtura gjatë procesit të vlerësimit të tenderëve. Me qëllim ruajtjen e parimeve bazë të prokurimit, të trajtimit të barabartë për të gjithë tenderuesit, u vlerësua e nevojshme që tenderi të anulohet duke u bazuar në nenin 40 të "Rregullës së Prokurimit në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës". Rregulla në fjalë, e cila përbën bazën ligjore e procedurale të prokurimeve në BQK, e lejon anulimin e një procedure të prokurimit nga ana e BQK-së si në rastin e furnizimit me gjenerator në çdo fazë para nënshkrimit të kontratës, dhe për këtë tenderuesit ishin të informuar përmes njoftimit për kontratë dhe dosjes së tenderit.” – kanë thënë nga BQK-ja për Nacionalen.
Më tej, BQK-ja ka thënë se informata për anulim ishte ndarë me kohë për operatorët ekonomikë.
“Informata për anulim ishte publikuar dhe ndarë me kohë te të gjithë operatorët ekonomik tenderues. Për më tepër, të njëjtit janë njoftuar për mundësinë e ri-tenderimit të këtij furnizimi sipas nevojave të BQK-së në të ardhmen, duke ju dhënë të gjithëve mundësi të barabartë aplikimi. Përfundimisht, vendimi i BQK-së për anulimin e këtij tenderi u bë në harmoni me parimet e përgjithshme të prokurimit sipas nenit 4 të "Rregullës së Prokurimit", të parimit të qasjes dhe trajtimit të barabartë për të gjithë operatorët ekonomik pjesëmarrës, parimit të transparencës dhe publicitetit, dhe atij të konkurrencës së drejtë dhe të mos-diskriminimit.” – thuhet në përgjigjen e tyre.