Hetimi i Lumezit, vetura e Morena Tarakut – Kush është kandidati për kryeprokuror Kujtim Munishi?
“Dubrava 12-kat”, “hajnat n’burg”, “korrupsion”, “zhvatje”, etj. janë disa nga frazat dhe fjalët e përdorura nga eksponentë të pushtetit aktual për të përshkruar kundërshtarët politikë dhe realitetin politik e ekonomik në vend. Por, pushteti për t’u marrë me këto çështje i takon kryeprokurorit të shtetit, dhe mandati i aktualit skadon më 21 prill. Nacionale ka përgatitur një seri artikujsh për secilin prej kandidatëve që e synojnë këtë pozitë. A është ndonjëri prej tyre i gatshëm të bëhet si – folur me fjalët e kryeministrit – prokurori amerikan Eliot Ness apo prokurori italian Giovanni Falcone?
I pari i dedikohet kandidatit Kujtim Munishi.
Munishi është aktualisht udhëheqës i Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Por, përveç pozitës, shumëçka nga detyrat dhe avancimet e tij si prokuror, ndërlidhet me emrin e Aleksandër Lumezit.
Karrierën në sistemin prokurorial të Kosovës e nisi në vitin 2012, pasi u emërua prokuror në Gjilan. Por, emri i Kujtim Munishit në publik u bë i njohur pasi kishte marrë përgjegjësinë ta trajtonte një rast që tashmë kishte bërë jehonë.
Dilemat për falsifikimin e provimit të jurisprudencës nga Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, ishin subjekt i një hetimi nga shteti, pas një kallëzimi penal që e kishte ngritur Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Në raste të tilla, kur subjekt i hetimeve janë persona të profilit të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, rastet trajtohen nga Prokuroria Speiale e Kosovës. Por, njëjtë nuk kishte ndodhur në rastin e hetimeve për dyshimet ndaj Lumezit.
Ky rast, pra, në vitin 2017 ishte hetuar nga Kujtim Munishi, asokohe Shef i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Prishtinës. Vetë Munishi pak kohë para se të niste hetimet për provimin e jurisprudencës të Lumezit, kishte qenë prokuror përgjegjës për integrime evropiane në zyrën e Kryeprokurorit Lumezi.
Pas një hetimi 21 ditor, Prokuroria e Prishtinës kishte vendosur ta hidhte poshtë kallëzimin e Enver Hasanit, duke e vlerësuar si të pabazuar. Në anën tjetër, ishte konstatuar se Kryeprokurori nuk e kishte falsifikuar provimin e jurisprudencës - Lum Lumezi!

Jo më shumë se 2 vjet pas hetimit që kishte bërë Munishi, ai ishte emëruar ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prishtinës. Kjo u bë, pavarësisht ligjeve në fuqi, sipas së cilave ushtrues i detyrës në këtë pozitë emërohet zv/Kryeprokurori, e që në atë kohë ishte Ibrahim Berisha. Kjo dispozitë ligjore nuk u mor parasysh, pasi që në mbledhjen e Këshillit Prokurorial që u mbajt në qershor 2019, Kujtim Munishi u emërua njeriu i parë i Prokurorisë Themelore të kryeqytetit. Rol nuk pati as ankesa e Berishës në instancat e tjera, duke bërë që Munishi të mbetej në krye të Prokurorisë së Prishtinës si ushtrues detyre.
Munishi u konfirmua në këtë pozitë në dhjetor të vitit 2019, ku me 10 vota për, u zgjodh Kryeprokuror i Prishtinës me kompetenca të plota. Kjo, pavarësisht kundërshtimeve që ishin shprehur nga Ambasada e Amerikës në Prishtinë.
“Të zhgënjyer që Këshilli Prokurorial i Kosovës dështoi të ndiqte rregulloren e vet në zgjedhjen e shefave për Zyrën e Prokurorisë Speciale dhe Zyrën e Prishtinës”, thuhej në postimin e ambasadës në Facebook.
Puna e Kujtim Munishit si (krye)prokuror
Në nëntorin e vitit 2018, Kujtim Munishi si prokuror në Prishtinë, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish zv/ministrit të Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, nën dyshimet për korrupsion. Munishi e akuzonte Cenën se si shef i drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec kishte marrë shumën prej 15 mijë eurosh nga i dëmtuari Afrim Berisha në emër të një granti. Cena ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, dënim i cili ishte kthyer me gjobë, duke bërë që zëvendësministri të mos shkonte asnjë ditë të vetme në burg.
Emri i Munishit u përmend në një rast që bëri mjaft bujë në Kosovë. Fjala është për Morena Tarakun, e cila kishte tentuar t’i shmangej taksës doganore në vlerë prej gati 15 mijë eurosh për një veturë, duke bërë që për znj. Taraku të niste edhe një kërkim ndërkombëtar. Hetimet për këtë rast fillimisht ishin mbyllur nga Prokuroria në Prishtinë. Madje, prokurori i rastit Shpend Krasniqi, kishte thënë se për këtë çështje ishte konsultuar paraprakisht me Kujtim Munishin, që asokohe ishte U.D i Kryeprokurorit në Prishtinë.

Ngjashëm, Munishi bashkë me prokuroren Merrushe Llugiqi, kishin mbyllur hetimet edhe për një kontratë të dyshimtë që ndërlidhej me furnizim me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kjo me arsyetimin se kontrata për këtë çështje ishte në trajtim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit [OSHP]. Disa muaj më pas, Prokuroria e Prishtinës kishte nisur sërish hetime, në lidhje me dyshimet për falsifikim të dosjes së tenderit në po të njëjtin rast.
Prokuroria që Munishi e drejton, ishte bërë subjekt i kritikave edhe pas vrasjes së Sebahate Sopit nga bashkëshorti i saj në lagjen Kalabria të Prishtinës, në marsin e vitit 2021. Pasi që e ndjera kishte paraqitur rastin e dhunës në familje, ajo nuk ishte paraqitur më në Prokurori për intervistim. Kurse, Prokuroria e Prishtinës përgjatë asaj kohe nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim tjetër ligjor. Disa ditë pas kësaj, Sopi u vra nga bashkëshorti, i cili më pas vrau edhe veten. Pavarësisht reagimeve, Prokuroria që Munishi drejtonte nuk kishte marrë ndonjë masë ndaj prokurorit të këtij rasti.
Pasuria e Kujtim Munishit
Në deklarimin e pasurisë për vitin 2021, Munishi që synon pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ka deklaruar se i ka 25 mijë euro të kursyera në një nga bankat në Kosovë. Përderisa, një veturë të tipit Ford në vlerë mbi 4 mijë euro, ai e ka raportuar në pronësi të bashkëshortes.

Munishi gjithashtu ka deklaruar se posedon edhe dy shtëpi me oborr, njëra si trashëgimi, e tjetra e blerë nga prindërit. Të dyja, kapin vlerën e 180 mijë eurove.
Kujtim Munishi vlerësohet si një nga kandidatët që ka gjasa të mira për t’u ulur në karrigen që aktualisht e zë Aleksandër Lumezi si Kryeprokuror i Shtetit. "Shkon Lumezi, vjen Munishi? Kryeministri Kurti nuk do të mund të bënte rimë përmes emrit të tij, por sidoqoftë, Këshilli Prokurorial ndoshta edhe mund ta bëjë!"
Kandidati i radhës për të cilin do të raportojë Gazeta Nacionale, do të jetë Arben Ismajli.