Hetimi i krimeve të luftës: Për një javë dy të arrestuar e dy kallëzime penale
Një serb në Hungari, e një boshnjak në Kosovë janë arrestuar përgjatë kësaj jave, si të dyshuar për krime lufte. Përderisa për serbin e arrestuar në Hungari pritet kërkesa për ekstradim, i dyshuari boshnjak për krime lufte në Istog, do të qëndrojë për 30 ditë në paraburgim. Po këtë javë janë dorëzuar edhe dy kallëzime penale për krime lufte në Pejë.
Për shkak të dyshimeve për kryerjen e krimeve të luftës në lagjen ‘Kristal’ të Pejës ku u vranë 33 civilë, një serb u arrestua në Hungari. Për të kishte lëshuar urdhër-arrest edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.
Nacionale gjatë javës ka raportuar bazuar në burime se ky serb është Savo Stefranoviq. Ai do të qëndrojë nën arrest deri kah fundi i nëntorit, kur do të vendoset përfundimisht nëse do të ekstradohet në Kosovë apo jo. Për këtë, kërkesën duhet ta bëjë Ministria e Drejtësisë në Kosovë.
“Gjykata hungareze kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të dërgojnë kërkesën për ekstradim dhe të japin më shumë informacione. Dokumentet e kërkuara mund të dërgohen deri më 26 nëntor 2022 kur skadon arresti i përkohshëm i ekstradimit. Ministri i Drejtësisë i Hungarisë ka të drejtë të vendosë vetë për ekstradimin”, thuhet në një përgjigje të Prokurorisë së Holandës për gazetën Nacionale.
48-vjeçari serb ka refuzuar ekstradimin në Kosovë. Ai dyshohet se ka marrë pjesë në një aksion të forcave serbe në lagjen ‘Kristal’ të Pejës, ku ishin vrarë 33 civilë kosovarë.
“Sipas të dhënave në dispozicion, serbi është mashkull dhe dyshohet me arsye se më 26, 27, 28 dhe 13 maj 1999, dha ndihmë në lagjen Kristal të Pejës, mori pjesë në të shtënat kundër civilëve, që rezultuan me vdekjen e 33 shqiptarëve të Kosovës. Tek të akuzuarit dënimi maksimal i mundshëm është burgimi i përjetshëm”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Hungarisë për Nacionalen.
Gjykata e Hungarisë ka thënë për Nacionalen se i dyshuari lirohet, nëse nuk arrin ndonjë kërkesë për ekstradim.
Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, ditë më parë kishte konfirmuar për gazetën se tash do të vazhdojnë me procedurat e tjera për këtë rast.
Krimet e luftës në Pejë
Përderisa në Hungari u arrestua një serb i dyshuar për krime lufte në Pejë, në Kosovë pikërisht për krimet në këtë komunë, janë dorëzuar dy kallëzime penale.
Ato janë dorëzuar nga avokati Kujtim Kërveshi bashkë me zyrën e tij të avokatisë. Në një komunikatë për media, bëhej e ditur se dosjet përmbajnë prova të krimeve që janë kryer në këtë zonë.
“Sot, shoqëria e avokatisë Kërveshi&Partners me seli në Prishtinë, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ka dorëzuar dy kallëzime penale për krime lufte dhe krime kundër njerezimit të kryera ndaj popullatës shqiptare të pa armatosur në Pejë nga pjestar të forcave të rregullta të armatosura të Serbisë dhe ish-Jugoslavisë”
“Dy dosjet përmbajnë deklarata të viktimave dhe dëshmitarëve, qindra fotografi të të dyshuarve të periudhës së luftës së fundit në Kosovë të identifikuar gjatë punës disa vjeçare të ekipit tonë. Dëshmitë në fjalë besojmë se do ti shërbejnë institucioneve tona përtej këtyre dy kallëzimeve penale të ushtruara sot. Presim që me veprimet hetimore për këto raste të zbardhen rrethanat dhe veprimet e kryera nga personat e identifikuar dhe që të njejtit të marrin dënimin e merituar”, thuhej në komunikatë.
Për krime lufte në Pejë ishte dënuar Zoran Gjokiq. Avokat i viktimave në këtë proces ishte Kujtim Kërveshi, që kishte vendosur ta merrte rastin pa pranuar kompensim.
Edhe një boshnjak arrestohet për krime lufte
E gjatë kësaj jave, gjithashtu është arrestuar edhe Ekrem Bajroviq. Ai dyshohet për krime lufte në fshatin Staradranë të Istogut.
Ndaj tij është caktuar edhe masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi Gjykata ka konstatuar se ka rrezik të ikjes apo ndikimit në dëshmitarë e prova.
“Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilën dyshohet se është kryer vepra penale dhe me lënien në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, që do të pengonte rrjedhë e procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Bajroviq, i cili prej vitesh jeton në Mal të Zi, u mundua që këtij vendimi të gjykatës t’i shpëtojë duke e shfrytëzuar gjendjen e tij shëndetësore.
Sipas Prokurorisë Speciale, me urdhër të së cilës Bajroviq u arrestua në shtëpinë e tij në Vitomiricë të Pejës, ish-polici dyshohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Kjo kur i njëjti bashkë me kolegë të tjerë kishte sulmuar konvojin e popullsisë civile të cilët ishin nisur nga Istogu në drejtim të Klinës. Qytetarët që po iknin njëherë i plaçkitën e më pas i vranë.



