"Heshtja presidenciale": Osmani në linjë të plotë me Kurtin, opozita i kërkon të ruajë raportet me ShBA'në - NACIONALE

"Heshtja presidenciale": Osmani në linjë të plotë me Kurtin, opozita i kërkon të ruajë raportet me ShBA'në

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Është kujdesur që as edhe një centimetër të vetme të mos devijojë nga qëndrimet e qeverisë kosovare në raport me situatën në veri. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë në konfrontim të hapur me komunitetin ndërkombëtar Trans-Atlantik, me moszmbrapsjen kategorike të kursit të tij të veprimit në veri pavarësisht ndëshkimeve (dhe pasojave të paralajmëruara), ndërsa Vjosa Osmani, me fraza të fjetura, ka provuar të theksojë “nevojën për bashkërendim” me aleatët. Kjo, gjer më tash, vetëm frazeologji abstrakte, kur konkretisht vendi është në kohën kur i tërë komuniteti ndërkombëtar është kthyer kundër Kosovës

Vjosa Osmani, e cila supozohet të përfaqësojë unitetin e popullit, është vit-drite larg kësaj përmbushjes së kësaj detyreje kushtetuese të saj. Në një kohë kërcënimi të madh të lëndimit të raporteve mes institucioneve kosovare dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbarë hemisferës perëndimore, Osmani, është lexuar që përmes heshtjes të jetë duke miratuar kursin e Kurtit.

Më të zëshmit në kërkesën që ajo të përcaktohet në një qëndrim politik kanë qenë ish-bashkëpartiakët e saj, të cilët i kanë bërë thirrje t’i jep fund kësaj heshtje miratuese. “Presidentja e vendit duhet të ketë qëndrim të qartë politik dhe të marrë veprime në riparimin e marrëdhënieve me aleatët tanë sepse përfaqëson unitetin e popullit dhe zëri i popullit në këtë rast është që këto relacione të ruhen pa ndonjë dallim”, kërkoi mbrëmnë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftuan se kanë “probleme thelbësore” me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa e vendosën në pikëpyetje “nëse mund ta konsiderojmë si aleat”. Kjo ngase, sipas tyre, Kurti nuk ndan “instinkt për të bashkëpunuar dhe bashkërenduar” me ShBA’në. Në dritën e kësaj, ata kishin lëshuar edhe ndëshkimet e para ndaj Kosovës.

Përjashtimi nga ushtrimi më i emadh ushtarak ndërkombëtarë ku po merrte pjesë Forca e Sigurisë së Kosovës; nga Defender 2023. Ky ushtrim është kryer për FSK-në, pati njoftuar javë më parë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Osmani, e cila është edhe Komandante Supreme e FSK-së, as edhe një fjalë të vetme s’e ka thënë në atë drejtim. “Komandantja Supreme e Forcave të Armatosura asnjë fjalë s’e nxjerr nga goja për përjashtimin e ushtrisë të cilën e komandon, nga ushtrimi më i madh që është mbajtur ndonjëherë në rajon – ‘Defender 2023’”, reagoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Ky i fundit nuk kurseu kritika të ashpra ndaj presidentes, për të cilën tha se “po qëndron krah pushtetit në shkatërrimin e marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me aleatin kryesor që garanton sigurinë e shtetit të Kosovës, SHBA-në”.

Si çdo republikë parlamentare, edhe Kosova e ka Presidentin posaçërisht për raste të tilla – për të mbajtur balancet institucionale dhe për t’ia pamundësuar mazhorancës veprimet që dëmtojnë interesat shtetërore duke ndjekur interesat e tyre elektorale”, përfundoi Hoti.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës është shprehur se për gjendjen ndëshkuese që ka ngjarë në vend është përgjegjëse edhe Vjosa Osmani, e cila ka vendosur që të qëndrojë në linjë me kursin e Kurtit.

“Presidentja ka përgjegjësi, ajo mes tjerash është edhe komandante supreme e ushtrisë së Kosovës dhe përjashtimi i ushtrisë së Kosovës nga stërvitja më e madhe ushtarake në rajon, e që udhëhiqet nga SHBA-ja, nuk mund të merret me këtë qasje injoruese”, ka thënë Memli Krasniqi, kreu i PDK-së.

“Presidentja duhet të flasë edhe për përjashtimin e ushtrisë tonë dhe shuarjen e andrrës do të thoja të mbi 1 mijë ushtarëve tonë që janë përgatitur për më shumë se një vit. Komandantja e supreme nuk ka thënë asgjë që unë e kam dëgjuar. Jo vetëm për këtë çështje, po edhe për situatën e krizës duhet të kemi deklarim”, ka thënë Krasniqi.

Vetë Kurti, veprimet e të cilit i sollën këto masa ndëshkuese, përjashtimin nga Defender 2023, e kishte quajtur fatkeqësi.

Çfarë kemi parë është suspendimi nga ushtrimi ‘Defender Europe 23’ dhe ne kemi qenë duke u përgatitur qe dy vjet për këtë. Është fatkeqësi. Nuk mendoj se është e drejtë, por kush jam unë të vendosi. Përsëri, më lejoni të theksoj se SHBA-ja është mike, partnere e aleate e pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen tonë, për demokracinë dhe zhvillimin tonë”, ka thënë Kurti.

Çfarë ka deklaruar Escobar së fundi?

Kemi disa sfida në marrëdhëniet dy-shtetërore në të pasurit punë me kryeministrin (Albin Kurti)”, tha fillimisht ai ditë më parë në një bisedë me gazetarë, teksa shpjegoi se “është e dhimbshme” të paramendohet se ShBA po i mban anën Serbisë.

Do të jem tejet i sinqertë: ShBA ka qenë mbështetësi më i madh i juaji dhe më dhemb kur e shoh që njerëzit mund të mendojnë se disi ne jemi ka e çojmë angazhimin për përfitime të Serbisë. Dua t’jua risjellë ndërmend se Serbia ishte kundër pavarësimit tuaj më 2008, ne e çuam përpara; Serbia ishte kundër fushatës tonë për njohje (ndërkombëtare) të Kosovës përgjat viteve e ne e çuam përpara; edhe këtu, ata ishin kundër Kosovës në KiE e e ne çuam përpara; ishin kundër zgjedhje, ndërsa ne i pamë në funksion legjitim; ishin kundër rezultateve e ne i thamë atyre se ishin të lira dhe fer. Prandaj, kur qeverisë i kërkuam të mendojë si do të shkonin para dhe u dhamë disa sugjerime konkrete, ne u çuditëm se si ata mund të mendojnë që disi ne qenkeni armiku”.

Kjo na thotë neve diçka se si na shohin ata si partnerë, dhe kjo ka pasur pasoja”, teksa tha se qëndrimet e shprehura nga Kurti dhe kabiniteti qeveritar i tij ShBA i merr si sinjale për saktësisht këtë partneritet.

Nuk do të thotë me doemos që ne duhet të qëndrojnë gati (për koordinim) me një individ i cili nuk e ka atë instintinkt për bashkëpunim dhe bashkërendim. Dhe, më duhet ta them, që ne jemi krejtësisht të përçudnuar por ama edhe krejtësisht të përbashkuar me BE’në, aleatin e juaj më të afërm rreth asaj se pse po ndodh kjo. Pse kjo mungesë e koordnimi, bashkëpunimi dhe vizioni politik për të tejkaluar këtë?”.

Por, nuk është vetëm me ShBA’në që kjo qeveri po përplaset, u shpreh i bindur ai, por me tërë komunitetit Trans-Atlantik.

Dërgohet sinjal i fuqishëm se Kosova nuk është e interesuar të bashkërendohet me ne, mendoj se kjo do të ishte fatkeqe, dhe meqë jemi këtu, jo për Kosovën, por për Kryeministrin. Dua ta bëj tejet të qartë se kjo nuk të ndikojë në marrëdhëniet afatgjatë me Kosovën. Por, ama, veprimet e marra ose veprimet që nuk merren, mund të kenë disa pasoja që mund të afektojnë pjesë të marrëdhënieve. Por s’dua të dalë aty”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme