A e ndihmoi policia ministren Hajdari ta fshehë aksidentimin e fëmijës?
Aksidenti i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë [MINT], Rozeta Hajdari, ku goditi me veturë një fëmijë 9-vjeçar, bëri bujë shumë të madhe për disa arsye, e të cilat do të mundohemi t’i shpjegojmë në shkrimin më poshtë.
E para e punës, është reagimi i çuditshëm dhe irritues i ministres Hajdari, gati 10 orë pas aksidentit.
Hajdari në shkrimin e saj në Facebook, ndër të tjera, efektiisht tha që ‘fëmija e goditi veturën e saj’ dhe nuk ishte ajo që e goditi fëmijën në lagjen Arbëria në Prishtinë, të dielen.
Deklarata e saj nuk u prit hiç mirë, çka bëri që të ‘vlojnë’ rrjetet sociale me reagime në kundërshtim të saj, e të cilët kërkuan edhe dorëheqjen nga pozita e ministres.
E dyta çështje që duhet trajtuar është mungesa e informacioneve nga Policia e Kosovës në kohën kur ndodhi aksidenti.
Informacionet zyrtare gjithmonë ndalin spekulimet dhe pasaktësinë në raportim, por edhe në diskutimet që bëhen në opinionin e gjerë. E mungesa e informacioneve ra në sy të mediave, qytetarëve dhe njerëzve publikë.
Në këto reagime, kishte edhe kritikë ndaj Policisë së Kosovës, të cilët nuk dhanë asnjë përgjigje deri sot në raportin 24-orësh të tyre, bile detajet ishin shumë të pakta.
Policia u kritikua sepse nuk dha informacione për këtë aksident, duke ngjallur spekulime se zyrtarët e lartë shtetërorë, në këtë rast ministrja Hajdari, po mbrohen nga ta.
“AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME / Rr. Vicianum, Prishtinë (NN) 10.04.2022 – 12:25. E dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, këto janë informcionet nga Policia pas 24 orëve që ka ndodhur aksidenti.
Pse policia nuk dha informacione në kohën kur ndodhi aksidenti?
Për të shtjelluar më shumë se pse ndodhi që policia nuk u përgjigj në pyetjet e gazetarëve për aksidentin e djeshëm të ministres Hajdari, ne kemi pyetur ish-drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Qalaj për gazetën Nacionale pasi uroi shërim të shpejtë për 9-vjeçaren që u godit me makinë nga Hajdari, shtoi se Policia e Kosovës duhet t’i trajtojë të gjitha aksidentet njëjtë.
Ai ka thënë se nuk ka arsye që mund ta çojnë policinë deri në mosnjofimin e rastit.
“Unë konsideroj që Policia e Kosovës duhet trajtuar çdo aksident njëjtë për të gjithë qytetarët e po ashtu edhe nga aspekti i informimit të publikut. Aksidenti i trafikut mund t’i ndodhë çdokujt dhe nuk shoh arsye pse publiku mos të njoftohet me kohë”, ka thënë Qalaj për Nacionale.
E njohësi i çështjeve të sigurisë dhe policisë, Drizan Shala, shpjegoi se pse është vonuar njoftunu i PK-së për aksidentin në fjalë.
“Policia e Kosovës ka procedura standarde operative (PSO), ku sipas standardit të paraparë ajo në raportin e saj zyrtar të 24-orëshit paraprak vendos të gjitha veprimet policore të lajmëruara sipas detyrës zyrtare, ku aty hyjnë edhe aksidentet në komunikacion. Mund të themi në këtë rast policia ka kryer punën e tyre sipas PSO-ve”, ka thënë ai për Nacionalen.
Shala theksoi se deklarimi i ministres Hajdari është dashur të ndodhë mënjëherë pas aksidentit dhe jo pas presionit publik.
Më tej, ai ka thënë se Hajdari si veprim moral do të duhej të paraqiste dorëheqjen e saj nga pozita e ministres.
“Meqë kemi të bëjmë me një person që ka funksion publik, është dashtë që ajo të japë një sqarim se është involvuar në një aksident pa fatalitet. Por meqë një veprim i tillë nuk është bërë nga personi i apostrofuar, është jetike dhe e domosdoshme që të ishte deklaruar vetvetiu, jo nga presioni publik pasi doli informacioni. Pra si veprim moral do të ishte paraqitja e dorëheqjes te kryeministri i Kosovës”, ka nënvizuar Shala.
Policia e Kosovës u pyet nga Nacionale se pse nuk kishin një njoftim para atij që publikohet çdo 24 orë për aksidentin ku u përfshi ministrja Hajdari, mirëpo ata nuk patën përgjigje konkrete.
Nga PK-ja thanë që t’i referohemi raportit 24-orësh të Policisë, për të cilin jemi të njoftuar dhe po ashtu i jemi referuar.
“Lidhur me rastet kryesore që publikohen për media dhe publikun, ju mund t’u referoheni raporteve 24-orëshe të Policisë së Kosovës që lëshohen nga niveli qendror, përfshirë edhe rastet per 24-orëshin që po lëmë pas”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Policisë së Kosovës.
Edhe pse nuk folën për media kur gazetarët tentuan të konfirmojmë zyrtarisht aksidentin, nga PK-ja thonë se përkrahin transparencën edhe ofrimin e qasjeve në informata.
“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit, gjithashtu, gjithmonë përpiqet të jetë transaprente edhe në aspektin e ofrimit të qasjeve në informata për mediat dhe publikun në pergjigjithësi, bazuar në ligjet e aplikueshme në vend”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Përndyrshe për aksidentin e ministres Hajdari me një njoftim ka dalë edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, të cilët kanë bërë të ditur se rasti është inicuar si kundërvajtje.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se pas informimit të prokurores kujdestare nga policia, bazuar në raportin mjekësor se, personi i mitur pasi ka pranuar tretman mjekësor është liruar në gjendje të mirë në shtëpi, konform dispozitave ligjore, rasti është iniciuar në procedurë të kundërvajtjes”, ka thënë për Nacionalen Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Kujtojmë që njoftimi i ministres për aksidentin ngjalli shumë reagime në rrejtet sociale, pasi ajo tha se ‘fëmija iu përplas për veture’, duke gënjyer pasi e vërteta ishte që Rozeta Hajdari e goditi 9-vjeçaren me veturë.