Heronjtë e Banjskës sërish protestojnë të shtunën, s’ka marrëveshje me Kurtin
Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese sërisht do të protestojnë para objektit të Qeverisë së Kosovës, pasi nuk kanë arritur marrëveshje me kryeministrin Albin Kurti. Heronjtë e Banjskës, të cilët u përballën në mënyrë të suksesshme me grupin e armatosur të Milan Radojiçiqit, tashmë kanë dorëzuar kërkesën për protestë.
Përmes kërkesës së dorëzuar, NjSI-ja ka zgjedhur datën nëntë dhjetor për të protestuar. Pra të shtunën e kësaj jave, NjSI-ja do të protestojë sërish në kërkim të realizimit të kërkesave të tyre.
Lajmin për gazetën Nacionale e ka konfirmuar Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës. Në një prononcim për Nacionale, Zeqiri tregoi se tashmë NjSI-ja ka dorëzuar kërkesën për protestë më datën 9 dhjetor.
“Ata kanë bërë kërkesë me datën nëntë, që i bje të shtunën. Jemi në diskutim me ta, unë do ta kem një takim me ta me i pyet cilat janë kërkesat taman. Kërkesën për protestë e kanë dërgu, jemi në diskutime me ta, të shohim çka më tutje, cilat janë kërkesat” – tha Zeqiri për Nacionalen.
Protesta nr.1
Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që NjSI-ja do të protestojë para objektit të Qeverisë së Kosovës. Para gati një muaj, NjSI-ja dhe Njësa për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, që janë njësitë më elitare e Policisë së Kosovës, protestuan në Prishtinë, duke kërkuar që të “mos luhet me dinjitetin e tyre”.
Ne jemi unik, sepse kërkesat tona janë legjitime dhe të nevojës urgjente dhe nuk do të zmbrapsemi deri në realizimin e tyre. Prandaj, ftojmë kryeministrin dhe Qeverinë të ndërmarrin hapa konkretë në realizimin e tyre. I nderuar kryeministër, ju i dini shumë mirë rreziqet dhe kërcënimet që operatorët e këtyre njësive i bartin gjatë gjithë kohës, jo vetëm gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por edhe në jetën private…Prandaj, mos luani me dinjitetin tonë, mos luani me ndjenjat e familjeve tona. Ne kemi dëshmuar vetën në shumë raste të kaluar dhe së fundmi në neutralizimin e grupit terrorist më 24 shtator 2023. Pra ne nuk zmbrapsemi asnjëherëa pavarësisht pengesave dhe vështirësive që na dalin përpara” – theksonte një polic në protestën e 11 nëntorit.
Në protestën e nëntorit, ata treguan edhe kërkesat e tyre.
"Kërkesat tona janë: Kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve dhe Rrezikshmëria të caktohet në 50 përqind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.” - u shpreh përfaqësuesi i tyre para medieve.
Pas protestës së parë, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, shkruanin se NjSI-ja kanë rroga të mira e pajisje në vlerë prej dhjetë mijë eurosh.
“Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro. Të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat). Tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdon kjo situatë në veri të vendit, e që është niveli më i lartë i kësaj shtese. Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023).” – shkruante Kurti.
Pas kësaj proteste, Kurti dhe Sveçla i pranuan në takim pjesëtarët e NjSI-së, por i cili takim nuk rezultoi me arritje të ndonjë marrëveshjeje. Pra Qeveria e Kosovës nuk i plotësoi kërkesat e kësaj njësie.
