"Heqja e vizave, KiE, zgjedhjet”: Deputetët e pushtetit sulmojnë gazetarët - NACIONALE

"Heqja e vizave, KiE, zgjedhjet”: Deputetët e pushtetit sulmojnë gazetarët

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duket se nuk po u pëlqen mënyra se si kanë raportuar mediat për zhvillimet e fundit në vend. Kështu, dy prej tyre deri më tash, Salih Zyba e Tinka Kurti, kanë sulmuar gazetarët. Çka deklaruan ata?

Ditëve të fundit ka pasur zhvillime të shumta në vend, sidomos në politikë. Natyrisht, mediat kanë raportuar si për suksese, ashtu edhe për çështje të tjera.

Por duket se me mënyrën e raportimit nuk janë të kënaqur deputetët e VV-së, të cilët zgjodhën rrjetet sociale për t’i sulmuar gazetarët.

Çka thanë ata?

Fillimisht, deputeti Salih Zyba përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka sulmuar gazetarët e analistët që kritikuan mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve në veri.

Ai ka publikuar fotografitë e disa prej analistëve, Halil Matoshi, Valon Syla, Baton Haxhiu e Albert Krasniqi.

Sipas Zybës, asnjëri prej të lartëcekurve nuk kanë folur ndonjë gjë në lidhje me organizimin kriminal të Listës Serbe.

“Vetëm disa nga reagimet ndaj mbajtjes së zgjedhjeve në veri dhe bojkotit të tyre nga Lista Serbe. Në studiot televizive: Njëri i quan zgjedhjet e pavlefshme; Tjetri bën thirrje për zgjidhje politike. Njëri i krahason me zgjedhje të Milosheviqit; Tjetri, flitet për mungesë të legjitimitetit. Asnjëri asnjë reagim ndaj organizimit kriminal të Listës Serbe dhe për ndërhyrjet e Serbisë.” – shkroi ai.

Sulmit ndaj gazetarëve iu bashkua edhe deputetja Tinka Kurti, e cila pretendoi se “natën po prishet ajo që po ndreqet ditën nga Qeveria Kurti”.

Ajo ka përmendur liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

“Të njëjtit dikur i lartësonin gëshnjeshtrat. Sot përpiqen t'i mbysin të vërtetat.” – ka shkruar tutje Kurti.

Megjithatë, vlen të theksohet se mediat nuk kishte se si të mos raportonin për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili njëherit është edhe anëtar i VV-së.

Këtij të fundit madje, i janë caktuar edhe 30 ditë paraburgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit, e edhe konflikt të interesit.

Nisin reagimet…

Gazetari dhe analisti Halil Matoshi ka bërë një reagim të fortë ndaj këtyre sulmeve, duke thënë se “pushteti i Albin Kurtit janë viktima të miteve dhe besimeve të tyre, ose liderit të tyre”.

“Pushteti i Albin Kurtit sulmon gazetarët, jo pse janë të frikësuar prej opozitës as pse nuk pajtohen me mendimin ndryshe, por kujdes, budallenjtë rëndom janë viktima të miteve e besimeve të tyre, ose liderit, sepse struktura reaktive e tyre është e ngadaltë e shfaqet tek ta si patologji mentale e vonesës në përpunimin e të dhënave. Ata besojnë se janë ma të diturit i dinë të vërtetat përfundimtare dhe sipëran në patriotizëm. Por ata s’kanë gjë që vlen me shfaqë së këndejmi fabrikojnë armiq përreth. Që goditja e tyne të jetë shfaqje. Ata janë të rrezikshëm sepse u besojnë marrëzive!”ka thënë Matoshi.

Në lidhje me këto sulme të deputetëve të VV-së ndaj mediave ka reaguar edhe profesori Milazim Krasniqi.

Krasniqi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se partia në pushtet duhet të kuptojë se mediat nuk i frikëson, e as s’i fut në kontroll.

Ai ka shtuar tutje se politikanët duhet të frikësohen nga mediat e gazetarët, e jo mediat nga politikanët.

“LVV duhet ta kuptojë se mediet nuk i frikëson. As i fut nën kontroll. Ka tri arsye: e para, mediet janë biznese private, nuk varen nga reklamat e saj, e dyta, janë krijuar gjenerata gazetarësh/esh që nuk nënshtrohen, e treta, sponsori i pavarësisë së Kosovës, e sponsorizon edhe gazetarinë e pavarur. Në kohën tonë politikanët duhet të frikësohen nga mediet e gazetarët, jo mediet e gazetarët nga politikanët. Siç thuhet: ”i ka dekë nana kësaj pune.”ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme