Haxhiu ngre pretendime: Marrëveshja finale brenda pak javësh, pak gjëra mund të ndryshojnë
Gazetari Baton Haxhiu po pretendon se marrëveshja Kosovë-Serbi është shumë afër.
Haxhiu në Debat Plus deklaroi se kanë mbetur shumë pak gjëra në tavolinë që mund të ndryshohen rreth marrëveshjes finale.
“Kryeministri tha sot në Gjilan se projekti është i lëngshëm dhe ende asgjë s’ka të ngurtësuar. Unë mendoj se lëngshmëria ka ikur dhe ka shumë pak për të biseduar. Kornizës i ka ardhur fundi dhe ka shumë pak javë që projekti do ta marr formën finale”, tha ai.
Haxhiu mes tjerash, e ka lidhur marrëveshjen me procesin e “reformimit” të Bashkimit Evropian, duke pretenduar se po punohet për një “Evropë tjetër”.
“Duke ditur që kemi një 10 vjetësh para, është paraparë që ky proces i reformimit të BE-së t’i ketë tri faza. Faza e parë është përfunduar. Faza e dytë është për vitin që vjen, që lidhet me pushtimin respektivisht mbrojtjen heroike të vendit që i bën Ukraina vetes edhe Evropës. Në njëvjetorin e fillimit të pushtimit të Ukrainës do të krijohet një unitet evropian që simbol do ta ketë marrëveshjen Kosovë-Serbi”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka thënë tutje se një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe i është dorëzuar zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimit, por ky e ka refuzuar atë.
“Bislimit kur i është ofruar ky draft kategorikisht e ka refuzuar, ka treguar edhe atyre që ia kanë ofruar se është antikushtetues, kjo është një muaj më herët që kjo është kundër kushtetutës së Kosovës. Asociacioni, dy pika janë interesante, as Kosova dhe as Serbia nuk do t’i hynë ndryshimeve kushtetuese. Asociacioni është në ndërtim e sipër dhe është para fundit”, tha gazetari.

