Haxhiu i PDK-së: Miratimi i Ligjit të Pagave nuk ka qenë transparent, pushteti gaboi
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka thënë se dërgimi i Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit, ua hoqi maskën Qeverisë dhe Grupit Parlamentar të VV-së.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka thënë se 104 ankesa të dorëzuara tregojnë pakënaqësinë e nëpunësve publik me Ligjin e Pagave.
Ai tutje ka thënë se ankesat janë kryesisht për shkak të trajtimit jo adekuat, jo të barabartë, ulje të koeficientit etj.
“Dërgimi i Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit, ua hoqi maskën Qeverisë dhe Grupit Parlamentar të LVV-së. 104 ankesa të dorëzuara nga subjekte të ndryshme të sektorit publik te Avokati i popullit tregojnë pakënaqësinë e nëpunësve publik me Ligjin e Pagave të miratuar nga kjo mazhorancë e pa dijshme dhe e papërgjegjëshme. Ankesat janë kryesisht për shkak të trajtimit jo adekuat, jo të barabartë, ulje të koeficientit, zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave etj.” – ka shkruar Haxhiu.
Deputeti i PDK-së duke iu referuar Avokatit të Popullit ka thënë se procesi i miratimit të Ligjit të Pagave nuk ka qenë transparent.
“Sipas Avokatit të Popullit procesi i miratimit të Ligjit të Pagave nuk ka qenë transparent, i përgjegjshëm dhe as demokratik. Ligji nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe as me frymën e Aktgjykimit KO219/19 të Gjykatës Kushtetuese. Shpresoj që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë i shpejtë dhe i drejtë për të eleminuar pabarazinë dhe padrejtësitë.” – ka shkruar ai.
Ndër të tjera, Haxhiu ka thënë se pas vendimit të Kushtetueses për këtë Ligj, deputet duhet të miratojnë ligje për interesa të qytetarëve dhe jo për interesa të politikës ditore për dëshirën e “shefit”.
Deputeti i PDK-së ka thënë se pushteti ka gabuar që i ka injoruar amendamentet e tyre për këtë Ligj.
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave deputetët e Kuvendit duhet të reflektojnë dhe të miratojnë ligje për interesa të qytetarëve të vendit dhe jo për interesa të politikës ditore për dëshirën e “shefit”. Pushteti gaboi që injoroi amendamentet tona në Ligjin e Pagave dhe kërkesat e sindikatave sepse do të eliminoheshin me kohë padrejtësitë dhe pabarazitë.” – ka përfunduar Haxhiu.
