Haxhiu flet për Vetingun: Na duhen edhe votat e deputetëve që përfaqësojnë komunitetin joshumicë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur rreth çështjes së Vetingut në sistemin e Drejtësisë.
Haxhiu ka thënë se me opozitën janë në rregull, por sipas saj për të kaluar ndryshimet kushtetuese duhen edhe votat e deputetëve që përfaqësojnë komunitetin joshumicë.
“Sa i përket konsensusit politik e vlerësoj se është e rëndësishme që të jemi të unifikuar për çështjen e reformës në Drejtësi, me opozitën jemi në rregull. Për të kaluar ndryshimet Kushtetuese duhet edhe 2/3 e 20 deputetëve që përfaqësojnë komunitetin joshumicë në Republikën e Kosovës. Është e rëndësishme të kemi takime”, ka deklaruar ajo.
Ministrja e Drejtësisë ka treguar se në fillimin e diskutime dhe hartimi i drafteve për Vetingun, nuk e kanë pasur mbështetjen e partnereve, dhe sipas saj për këtë çështje edhe ShBA-ja ka pasur rezerva.
“Ajo çfarë është e rëndësishme është që ne kemi vendosur që të ndjekim rekomandimet e Venecias. Në fillim të diskutimeve dhe hartimit të drafteve për çështjen e Vetingut nuk e kemi pasur mbështetjen e plotë sidomos nga partnerët tanë. Nga Ambasada amerikane, Zyra e Bashkimit Evropian. Përveç Mbretërisë së Bashkuar që ka dalë publikisht qysh nga fazat fillestare për mbështetje të këtij procesi, në anën tjetër ka pasur qëndrime të ndryshme nga partnerët tjerë. Nga SHBA-ja ka pasur rezerva p.sh në raport me stërgjatëjen e reformës por megjithatë vlerësojë që këmbëngulësia jonë ka bërë që ta mbërrijmë këtë rezultat”, tha Haxhiu në Teve1.
