Haxhiu do 'proporcionalitet të përfaqësimit' në KQZ, lë të kuptojë se do t'i emërojë anëtar të tretë VV-së
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, sërish dha të kuptojë se emërimin e anëtarit të fundit në Komisionin Qendror Zgjedhor do t’ia jep partisë së vet, Vetëvendosjes.
“Do ta trajtoj këtë çështje me seriozitetin më të lartë”, deklaroi ajo për gazetarë, duke shtuar se mungesa e një anëtari “nuk e bllokon funksionimin e institucionit.”
“Kam marrë informacione që asgjë nuk rrezikohet nga kjo situatë… do të veproj në përputhje me përgjegjësitë atëherë kur e konsideroj.”
Haxhiu këtu iu kthye argumentit që rrok partia Vetëvendosje për “proporcionalitet të përfaqësimit” si parim, duke lënë të kuptohet se Lëvizja Vetëvendosje mund të marrë një anëtar të tretë.
“E rëndësishme për mua është që të respektohet fuqia e subjekteve politike… pra fuqia, proporcionaliteti, përfaqësimi”, tha ajo.
Një gjë e tillë bie ndesh me praktikën e deritashme institucionale dhe kushtetuese, sipas së cilës vendi i mbetur i përcillet partisë së dytë në rend, në këtë rast PDK-së.
Aktualisht, Vetëvendosje ka dy anëtarë në KQZ, ndërsa PDK një, siç ka një edhe LDK dhe AAAK.
Deputeti e Vetëvendosjes, Artan Abrashi, javë më parë bënte thirrje publike ushtrueses së detyrës së presidentes që të emërojë “anëtarin e tretë” për partinë e saj.
“Kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, zyrtarë të tjerë të lartë të Vetëvendosjes kanë dërguar kërkesa formale për të njëjtin emërim.
Në anën tjetër, njohësit e Kushtetutës dhe shoqëria civile kundërshtojnë këtë interpretim.
Eugen Cakolli nga KDI thotë se përbërja e KQZ-së assesu nuk bazohet në peshën numerike të partive në Kuvend.
“Ajo e reflekton vetëm numrin e grupeve parlamentare si të tilla”, shkroi ai ditë më parë rreth kësaj çështje.
“Nuk ka asnjë sens që për anëtarët ‘shtesë’ të aplikohet një formulë tjetër”, shtoi ai.
Kohevë të fundit madje një Raport i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ngriti shqetësime serioze për politizimin e KQZ-së.
“Kur vendimet… merren nga organe të përbëra nga të nominuar partiakë, ekziston rrezik i shtuar,” thuhet në raport.
Sipas dokumentit, ky rrezik cenon besimin publik dhe sigurinë juridike të procesit zgjedhor.
“Duhet të sigurohet depolitizimi i plotë i KQZ-së… që organet jo vetëm të veprojnë paanshëm, por edhe të perceptohen si të tilla.”
Kushtetuta e Kosovës përcakton model përbërjeje të KQZ-së që nuk lidhet drejtpërdrejt me peshën elektorale të partive, por me përfaqësim të grupeve parlamentare.
Sipas nenit 139, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa katër vende u shkojnë komuniteteve.

Në rrethanat aktuale, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, në Kuvend ishin vetëm katër grupe parlamentare shqiptare: LVV, PDK, LDK dhe AAK.
Simbas kësaj përbërje katër vendet e para në KQZ ndahen automatikisht, nga një për secilin grup.
Dy vendet e mbetura trajtohen si “vende shtesë”, për të cilat Kushtetuta lejon emërimin nga grupet më të mëdha parlamentare.
Kushtetuta nuk specifikon ndarje proporcionale sipas numrit të deputetëve, por i referohet vetëm strukturës së grupeve parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje pretedon se rezultati mbi 50% në zgjedhje duhet të reflektohet edhe në përfaqësimin në KQZ, duke kërkuar tre anëtarë.
Megjithatë, situatë e ngjashme është regjistruar dhe rrëzuar në vitin 2021.
Atëherë, presidentja Vjosa Osmani kishte refuzuar një kërkesë të njëjtë nga Vetëvendosje dhe kishte kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata e kishte shpallur kërkesën të papranueshme, duke mos hyrë në interpretim të nenit 139.


Pas këtij vendimi, përbërja e KQZ-së ishte përcaktuar pa reflektuar proporcionalitet të drejtpërdrejtë zgjedhor.
Vetëvendosje kishte marrë dy vende, ndërsa një vend shtesë i ishte dhënë PDK-së.
Ky precedent konsiderohet nga njohësit si orientimi i duhur për situatën aktuale.
Afati për propozimin e anëtarëve ka përfunduar më 16 mars, ndërsa të gjitha partitë parlamentare kanë dorëzuar emrat e tyre në Presidencë.
Vendimi përfundimtar mbetet në kompetencën e ushtrueses së detyrës së presidentes.