Harrojeni Urën e Saradranit: Solemniteti i vadës së Armend Mujës i ngjan skenës nga ndonjë film i Christopher Nolan-it - NACIONALE

Harrojeni Urën e Saradranit: Solemniteti i vadës së Armend Mujës i ngjan skenës nga ndonjë film i Christopher Nolan-it

1 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Mund të jetë menduar se Ura e Saradranit kishte vendosur standardin përfundimtar të absurdit qeveritar të mburrjes me 'investime' të këtij niveli. Por vada e Armend Mujës në Lupç të Poshtëm, e promovuar me pompozitet në llogarinë e tij në Facebook, po shndërrohet në memen e radhës kombëtare.

Pak para zgjedhjeve parlamentare, Ministri “në detyrë” i Bujqësisë u sigurua që të ketë xhirime nga të gjitha këndet e nevojshme dhe solemnitetin e duhur për të trumpetuar si “mega projekt” një vadë ujitjeje në Lupç të Poshtëm në Podujevë.

Koreografia e dëshpëruar elektorale ishte kalkuluar deri në detajin më të imët.

Ministri në detyrë, Armend Muja, dhe Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, parakalojnë thua se po ecin drejt prerjes së shiritit të ndonjë aeroporti transatlantik në mes të arave të Podujevës.

Krejt komedia e inskenuar rrëshqet në grotesk të plotë kur Bulliqi shfaqet i ulur në një tavolinë krahas Mujës duke nënshkruar një copë letër me solemnitetin e nënshkrimit të shpëtimit të njerëzimit në ndonjë film të Christopher Nolan-it.

Dëshpërimi për t'i dhënë pompozitet të tillë punëve kaq të vogla reflekton atë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri i tij i Financave, Hekuran Murati, me gjithë mirazhin e “progresit ekonomik” të ndërtuar në fjalimet nëpër tubime elektorale, nuk po mund të nxjerrin një investim të vetëm kapital që mund të qëndronte vetë, pa kamera, skenografi a propagandë pak orë para zgjedhjeve.

Në një paraqitje të fundit, i pari i Vetëvendosjes iu kthye me tone të ashpra analistit në Kanal 10, duke i kërkuar të mos e krahasonte “me mendësinë e atyre”, sepse “unë kam punuar për t’i nxjerrë njerëzit nga varfëria”.

Kur u pyet se me cilin projekt specifik mund të krenohej nga mbi 20 miliardë euro të menaxhuara, Kurti u mbrojt duke thënë se motoja “punë dhe drejtësi” ka përbërë suksesin e tij qeverisës, “e jo, autostrada, si ata”.

Këtë ai e deklaroi përkundër të dhënave kokëforta ndërkombëtare: Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e rreshtojnë Kosovën si vendin më të varfër pas Moldavisë, ku 33.7% e popullatës mbetet nën pragun prej 8 dollarësh në ditë, ndërsa mbi 10% mbeten në varfëri ekstreme.

Kurti e pranoi madje se investimet kapitale nuk kanë qenë orientimi i tij: “Ata kanë premtu ashtu, unë s’kam premtu ashtu. Ju duhet me më matë mu me premtime të mia, jo tyne.”

Lajme të ngjashme