Harrohen tensionet, LVV thotë se veriu i Mitrovicës është më i sigurtë se para dy vitesh
“Komuna Veriore e Mitrovicës sot është vend më i sigurtë sesa që ka qenë dy vite më parë. Kjo falë vendosmërisë dhe punës serioze që ka bërë qeverisja qendrore në atë pjesë,”- kështu nis postimi në Facebook i Lëvizjes Vetëvendosje, teksa janë shpërndarë fotografi nga takimi në kuadër të fushatës së VV-së për zgjedhjet e planifikuara të mbahen në veri.
Përderisa përmenden “arritjet” e qeverisë në atë zonë, përfshirë luftimin e krimit, korrupsionit, kontrabandës dhe bandave të tjera kriminale, në rreshtat e publikuar përmendet edhe prania e shtetit e stacionet e reja të policisë.
“Luftimi i krimit, korrupsionit, kontrabandës dhe bandave kriminale atje, ka dhënë rezultate të suksesshme. Nuk ka më ferma të drogës e të kriptovalutave, rrugë ilegale për kontrabandë. Ka prani të shtetit, stacione të reja të policisë që garantojnë rendin dhe sigurinë,”- thuhet në postim.
Më tej, ndërsa flitet për katër kandidatët e LVV-së për kryetarë komunash, shtohet se numri “115 është numri i Fitores”.
“Por çfarë u mungon qytetarëve në atë pjesë dhe si duhen adresuar këto nevoja? Kësaj po i përgjigjen në komunikim të përditshëm me qytetarët katër kandidatët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që me numrin 115 do të jenë kryetarët e ri në komunën Veriore të Mitrovicës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Erden Atiq si Kryetar i ardhshëm i komunës Veriore të Mitrovicës, Flatron Hasani si kryetar i komunës së Zubin Potokut, Fetah Peci si kryetar i Zveçanit dhe Lulzim Hetemi i Leposaviqit, kanë mbështetjen e plotë të qytetarëve në katër komuna veriore,”- shkruhet tutje.
Duke nënvizuar se kandidatët për kryetarë kanë mbështetjen e kryeministrit Albin Kurtit dhe ministrave të kabinetit të tij, më tej thuhet se më 23 prill do të jenë edhe fituesit e ri në pjesën veriore.
