Haradinaj: Sulmet ndaj gazetarëve janë të patolerueshme dhe duhet që të ndalen menjëherë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dënuar sulmet në veri të Kosovës në drejtim të gazetarëve, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se janë të patolerueshme sulmet dhe duhet që të ndalen menjëherë.
“Dënojmë ashpër sulmet e vazhdueshme në veri të vendit ndaj gazetarëve dhe forcave të rendit, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe Eulexit. Këto sulme, sikur ky i sotëm ndaj gazetarëve të Klan Kosova, janë të patolerueshme dhe duhet që të ndalen menjëherë!”, ka shkruar ai.
Tutje Haradinaj ka kërkuar nga organet përgjegjëse që të garantojnë sigurinë fizike për gazetarët.
“Njëherësh, kërkoj nga organet përgjegjëse të jenë më vigjilentë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, në mënyrë që t'iu mundësohet të punojnë të lirë nga kërcënimet. Sulmuesit të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë!”, ka përfunduar ai.
