Haradinaj: Qeveria Kurti ka rritur luksin, vitin e kaluar i kanë tepruar 533 milionë euro
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mos punë në vitin 2022.
Në një status të gjatë në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka publikuar disa shifra që sipas tij i nxjerrin mashtrimet e Qeverisë.
Ai ka treguar se gjatë vitit që e lëmë pas Qeverisë së Kosovës i kanë tepruar 533 milionë e 862 mijë euro.
“Janë të rralla rastet kur në kohë krize, ekonomike, sociale e shëndetësore, shtetit t’i teprojnë para, ose edhe të mos i mbledh as të hyrat e parapara për buxhetin e vet. Kështu psh, qeveria ka paraparë që për vitin 2022 t’i shpenzojë rreth 3 miliardë e 159 milionë euro, por i ka shpenzuar vetëm 2 miliardë e 625 milionë. Dmth i kanë tepruar hiç më pak se 533 milionë e 862 mijë euro, pjesa më e madhe prej të cilave në investimet kapitale”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, për dy vjet kësaj qeverie i kanë mbetur të pashfrytëzuara 478 milionë euro.
“Me buxhetin e vitit 2022, për investime kapitale ishin paraparë 698 milionë euro e janë realizuar 422 milionë. Dmth 280 milionë më pak. Për dy vjet kësaj qeverie i kanë mbetur të pashfrytëzuara 478 milionë, vetëm nga investimet kapitale. Kjo dmth se është investuar më pak, është punuar më pak, është fituar më pak. Gjithçka më pak, vetëm se qytetari është varfëruar më shumë. Këto 478 milionë të taksapaguesve nuk u janë kthyer atyre, por janë ruajtur në ‘bunkerin financiar’ të qeverisë dhe kjo në kohën më të keqe, jo vetëm për shkak të krizës ekonomike sociale, por edhe të inflacionit që ka mbërritur në pothuaj 20 për qind”, ka shkruar Haradinaj.
Më tej, ai ka bërë me dije se Qeveria Kurti ka shënuar rritje të shpenzimet në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.
“Prej 280 milionë sa ka qenë në vitin 2021 në 333 milionë në vitin 2022; Shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit prej 3 milionë e 182 mijë eurosh sa ka qenë në vitin 2020, janë rritur në 8 milionë e 185 mijë në vitin 2022; Janë rritur edhe udhëtimet brenda vendit, nga 1 milionë e 73 mijë euro për vitin 2020 në 2.199 mijë; Karburantet për vetura zyrtare nga 6 milionë e 613 mijë në 2020 janë rritur në 11 milionë e 342 mijë euro në 2022. Edhe drekat zyrtare po ashtu. Që të mos dalë se kjo qeveri ka pasur vetëm rënie. Ka pasur edhe rritje, në luksin e qeverisë, për të cilin na ka pasë folur aq shumë Albin Kurti! Dhe krejt këto që i paraqita më sipër, janë nga të dhënat zyrtare të Qeverisë, sepse e vërteta e plotë do të dalë vetëm pas raportit të Auditorit Gjeneral për buxhetin e vitit 2022 dhe ajo ka mundësi të dalë edhe më e hidhur”, ka shkruar Haradinaj.