'E provuam kaosin': Hamza prezanton vizionin e vet ekonomik, godet pushtetin për vështirësim të jetës dhe përçarje
- Jeta është bërë e shtrenjtë, pagat s’mjaftojnë, çmimet po rriten, s’mund të planifikohet e ardhmja. Njerëzit po duan të ikin.
Këto gjëra, tha Bedri Hamza, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, janë çka dëgjon më së shumti “kudo që shkoj”. Dhe, ekonomia, paret e shtëpisë, gjendja jopremtuese financiare e familjeve, bashkë me domosdoshmërinë për ta ndërruar atë, ishin temat mbi çka qëndroi kryemotivi i fjalëve të veta, në prezantimin e 110 kandidatëve të PDK-së për zgjedhjet parlamentare.
“Jo mrekulli, por dinjitet dhe politika ekonomike që lehtësojnë jetën...me një plan, jo listë premtimesh. Plan të llogaritur, koherent, realist dhe të përgjegjshëm”
Me synimin e vet qeverisës, tha ai, për ta çuar vendin në zhvillim ekonomik, në çka pushteti pararendës “ka dështuar”. Me t’i prezantuar 110 kanditatët e partisë së vet, Hamza fjalët i pati për një shtet ekonomikisht të fortë, me mirëqenie, dhe perspektivë. Sektori publik do të ketë rritje të gjithëmbarshme të pagave për 50%, u zotua Hamza.
“Ne do t’i rrisim pagat dhe pensionet. Do të ketë rritje të pagave 50% mbi pagën aktuale, për mësues e arsimtarë, policë e zjarrfikës, mjekë e ushtarë dhe për të gjithë ata që marrin paga nga buxheti i Republikës së Kosovës”, ka thënë Hamza.
“Të ardhurat deri në 400 euro, zero tatim. 400 deri në 800 euro vetëm 8%. Mbi 800 euro, 10%. Do ta shfuqizojmë ligjin aktual të tatimit në pronë, që të mos ketë barrë të papërballueshme mbi qytetarët dhe bizneset. TVSH-në nuk do ta paguajnë më në kufi, por pas shitjes, reformë e madhe dhe më se e nevojshme për bizneset.
Bizneset e vogla me deri në 10 mijë euro qarkullim, nuk do të paguajnë tatim e ato me qarkullim deri në 30 mijë do të paguajnë tatim vetëm mbi fitimin real. Bizneset e reja do t’i mbështesim me kredi dhe subvencione dhe do të zhvillojmë burime alternative të financimit, duke përfshirë edhe tregun e kapitalit”, ka premtuar Hamza.
Kritika ndaj pushtetit pararendës
Kryetari i PDK-së ka thënë ky nuk është fillim i një fushate të re politike, por fillim i një misioni.
“Ky nuk është fillim i një fushate të re politike. Ky është fillim i një misioni. I një misioni për ta rikthyer stabilitetin, për ta bashkuar shoqërinë dhe për t’i dhënë çdo familjeje në Kosovë një mundësi për jetë ma të mirë. Në këto vite, vendi ynë ka jetuar në pasiguri. Me shumë përçarje. Shumë improvizime. Shumë presion mbi supet e qytetarëve të zakonshëm”, ka thënë ai.
Hamza ka thënë se qytetarëve u është rënduar jeta me çmime më të larta, me furnizim të paqëndrueshëm me energji, me institucione në krizë dhe marrëdhënie të lënduara me partnerët tanë.
“Qytetarët janë lodhur nga politikat që ua kanë vështirësuar jetën. Janë lodhur nga kjo qeveri e papërgjegjshme. Nga kjo qeveri e paaftë ta udhëheqë vendin drejt mirëqenies. Kjo është arsyeja pse unë kandidoj për Kryeministër. Sepse, besoj se mund ta sjellim ‘pjesën që mungon’ dhe ta bëjmë shtetin tonë të funksionojë”, ka thënë ai.
“Le të jemi të qartë: Asnjë vend nuk mund të ecë përpara kur politika bëhet fushëbetejë. Asnjë familje nuk ndihet e sigurt kur shteti nuk ka stabilitet. Asnjë i ri nuk sheh të ardhme këtu, nëse jeta publike dominohet nga përçarja. E provuam përçarjen. E provuam kokëfortësinë. E provuam kaosin. Nuk funksionoi. Tani është koha të provojmë diçka tjetër. Tani është koha ta provojmë BASHKIMIN. Kosova që funksionon fillon me bashkimin e të gjithë neve”, ka shtuar ai.