Bordi i ZRrE-së vendos për shtrenjtimin e rrymës, por nuk tregohet sa për qind
Bordi i Zyrës se Rregullatorit të Energjisë sot i ka miratuar propozimet për aprovimin e të hyrave te lejuara maksimale të operatoreve energjetik.
Miratimi i këtyre kërkesave nënkupton se ky institucion ka vendosur për shtrenjtimin e energjisë elektrike në vend.
Ndonëse propozimit për aprovimin e te Hyrave te Lejuara Maksimale për OST/OT; propozimit për aprovimin e te Hyrave te Lejuara Maksimale për OSSH; dhe propozimit për aprovimin e te Hyrave te Lejuara Maksimale për FSHU është bërë më 5 vota për dhe asnjë kundër, askush prej të pranishmeve në sallë nuk ka dashur të flas se cila do të jetë përqindja e rritjes se tarifave për energjinë.
Pas miratimi të këtyre raporteve, Kryesuesi i Bordit të Zyrës Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, ka kërkuar nga gazetarët që të lirojnë sallën.
“Meqenëse tani kemi piken për shqyrtimi i Ankesave të Konsumatorëve, i kisha lutur të gjitha mediat me na mirëkuptu, për shkak të privatësisë kalojmë në seancë të mbyllur dhe vazhdojmë me pika tjera të rendit të ditës”, ka thënë ai.
Kjo ka nxitur reagimin e gazetarëve të pranishëm, të cilët kanë kërkuar sqarime se sa për qind është rritur çmimi i energjisë elektrike.
Askush prej anëtareve të bordit të ZRR-së dhe as kryesuesi Fejzullahi nuk është përgjigjur në pyetje e gazetarëve.
Vetëm pas polemikave të shumta të gazetarëve, Fejzullahi ka thënë se përmes një komunikate për media do të jepen më shumë detaje.
“Ne do ta lëshojmë edhe një komunikatë për media dhe do ti shihni të gjitha detajet”, ka thënë ai.
Duke i thirru në burimet e saj, Radio Evropa e Lirë ka bërë me dije se rritja e çmimit do të jetë rreth 16 për qind.
Protesta në ora 12:00
Grupi i qytetarëve “Asnjë cent më shumë” do të protestojë në qendër të Prishtinës për të kundërshtuar rritjen e energjisë elektrike në ora 12:00. Kjo është protesta e dytë e këtij kundër propozimeve për ngritje të tarifave të energjisë.
Organizatorët e kësaj protesta kanë ftuar qytetarët që sa më masivisht të dalin në këtë protestë.
Njëri nga organizatorët e protestave kundër rritjes së çmimit të energjisë, Luan Hasanaj, ka deklaruar se shtrenjtimi i energjisë është i padrejtë.
Në emisionin Rubikon të Klan Kosova, ai ka treguar për pasojat e ngritjes se çmimit.
“Siç duket ZRRE është bërë mekanizëm në duart e KEDS dhe KESCO, të paktën në bazë të deklaratave dhe çdo gjë që ata e kanë bërë gjatë këtyre ditëve përderisa vazhdon një fushatë e madhe kundërshtuese qoftë prej organizatave, qoftë prej aktivistëve, qoftë prej bizneseve pothuajse prej të gjithëve. Nga ana tjetër ne e shohim një këmbëngulje të tyre që rritja e çmimit është e pashmangshme dhe do të ndodhë”, ka thënë Hasanaj.
Kurse, Shenoll Muharremi, njeri nga mbështetësit e protestës kundër shtrenjtimit të rrymës, ka vlerësuar se protesta e sotme është në interes të qytetarëve.
“Po qajo protestë... ka qenë një emocion i fortë, pozitiv, që të jep ndjenjën që po ban diçka për këtë vend. Po mundohesh me mbrojt diçka që quhet interes publik. Që nuk është as i imi, as i yti... po diçka e krejt neve bashkë”, ka shkruar Muharremi në profilin e tij në “Facebook”.
Protesta e parë kundër shtrenjtimit të rrymës është mbajtur të shtunën e kaluara.