Halimi e LDK-së pas raportimeve brutale në mediet ndërkombëtare: Dëmet e Kurtit vështirë të ndreqen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është portretuar mjaft shëmtueshëm në dy artikuj të medieve ndërkombëtare së fundi. Çka mendojnë në LDK për një gjë të tillë?
Në Frankfurter Allgemeine Zeitung, i lihet faji në mënyrë direkte kryeministrit Kurti për tensionet e fundit në veri të Kosovës. Madje, edhe përmes këtyre fjalëve:
“...politikat e kryeministrit kosovar Kurti janë në përputhje me planet serbe për destabilizim të rajonit,” – thuhej në atë artikull.
Ndërkohë, përshkrime mjaft rëndues e kishte edhe britanikja The Times. Por, çka mendojnë nga LDK-ja për këto raportime?
Për të marrë një qëndrim pyetëm zëdhënësen politike dhe anëtaren e kryesisë së partisë më të vjetër opozitare në vend, znj. Sibel Halimi.
Halimi: Esse est percipi
Halimi e thekson rëndësinë se si shihemi nga të huajt qysh në fillim të përgjigjes së saj.
Kosova u prezantua vazhdimisht si tregim suksesi, thotë ajo, duke nënkuptuar se tash kjo po ndërronte për shkak të manovrave të kryeministrit Kurti.
“Një vend i vogël që arriti të bëjë vepra të mëdha - të përbashkëta - sidomos në etablimin e demokracisë liberale dhe të drejtave të njeriut e lirive civile për të gjithë, natyrisht falë rrugëtimit me miq, posaçërisht ShBA-në. Mirëpo, klasa aktuale politike duke mos ditur t’i lexojë mesazhet diplomatike e lëshoi gjuhën, duke i shndërruar marrëdhëniet me po ata aleatë, nga cilët nuk na erdhi asnjë e keqe, në zënka, për më keq në sherre!” – argumenton ajo.
Më tej, Halimi shton se Kosova ka rënë në kurthin e Serbisë, duke qenë se vetëm Serbia kërkonte që vendi ynë të ishte në përplasje me aleatët e saj.
“Rrjedhimisht, vendi ynë ka ndërruar kursin e drejtimit, pa e ditur se në cilin breg do të ankorohet dhe kur e si do të dalë.” - shpreh shqetësimin e saj ajo.
Përgjigja e plotë dhe pa ndërhyrje:
Në vazhdimësi, sidomos pas pavarësimit, Kosova në shtypin Perëndimor është prezantuar si një tregim suksesi në ndërtimin e paqes dhe solidaritetit qytetar.
Të gjithë kemi bërë përpjekje për këtë pamje të vendit tonë në sytë e të huajve, sepse nuk thuhet kot se ti je ashtu siç të sheh tjetri.
Një vend i vogël që arriti të bëjë vepra të mëdha - të përbashkëta - sidomos në etablimin e demokracisë liberale dhe të drejtave të njeriut e lirive civile për të gjithë, natyrisht falë rrugëtimit me miq, posaçërisht ShBA-n.
Mirëpo, klasa aktuale politike duke mos ditur t’i lexojë mesazhet diplomatike e lëshoi gjuhën, duke i shndërruar marrëdhëniet me po ata aleatë, nga cilët nuk na erdhi asnjë e keqe, në zënka, për më keq në sherre!
Në mungesë të rezonit shtetëror, Kosova ra në grackë të Serbisë, sepse vetëm fqinji verior dëshiron përplasjen me aleatët.
Qeveria e Albin Kurtit për dy vjet e përmbysi narracionin për Kosovën në median ndërkombëtare në një fotografi të zymtë, si një zonë gri ku konflikti e dhuna i përshkruhen palës kosovare, për herë të parë gjatë dy dekadave, duke vënë shenjën e barazimit me Serbinë.
Shqetësuese se si gazeta e njohur gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung portretizon kryeministrin kosovar si një lider, politikat e të cilit përputhen me planet serbe për destabilizim të rajonit.
Në kohën kur Kosova dhe qytetarët e saj po ballafaqohen me krizat e jetës së shtrenjtë dhe mungesës së vendeve të reja të punës, imazhi i tillë i vendit në arenën ndërkombëtare do të ndikojë direkt në hezitimin e investimeve të huaja. Taktikat e pamatura të Kurtit, pa strategji për integrimin e serbëve kosovarë në shtet, do të t’i kushtojë Kosovës në thelb, jo vetëm në imazh, sepse pak vende në botë janë nën sanksionet amerikane dhe janë ato vende që i përkasin boshtit të së keqes. Dëmet e shkaktuara vështirë do të ndreqen, sepse i marrin Kosovës kohën e saj për prosperitet e afirmim në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Rrjedhimisht, vendi ynë ka ndërruar kursin e drejtimit, pa e ditur se në cilin breg do të ankorohet dhe kur e si do të dalë.
Çmimi do të jetë i madh, fatkeqësisht!
Sibel Halimi, zëdhënëse politike dhe anëtare e kryesisë së LDK-së

